Inxhinieri Esat Balla, që ka jetuar prej 20 vitesh në Itali dhe që ka zgjedhur të mrret me kauzat e emigrantëve, i ftuar në emisionin “A show” në “News 24” tha se shqiptarët jashtë Shqipërisë janë si jetimët, ndërsa shtoi se duhet që shteti shqiptar të kujdeset më shumë për ta.

“Shqiptarët janë shpërndarë siç i shpërndau fati dhe jo sipas asaj që ka organizuar shteti. Për 30 vjet, këtë lob, diasporën vetëm e kanë rrjepur e nuk i kanë dhënë. Asgjë nuk është e pamundur, edhe shqiptarët në Itali e Greqi mund të marrin pension në shtetin grek dhe atë italian. Faiki Konica thotë se armiku i shqiptarëve janë shqiptarët. Ne duhet të bëhemi bashkë për të luftuar për pensionet.

Unë kam takuar Etjen Xhafajn, zv.ministrin e Punëve të Jashtme për këtë punë. Me atë që pashë sot, mbeta i inkurajuar. Mendoj se qeveria ka objektiva të sakta. Më pëlqeu sepse kishte filluar të flasë me zyrtarë të Italisë.  Edhe në herë të tjera ka premtime, por kam bindje se këtë herë do të bëhet diçka”, tha ai.

Esat Balla u shpreh se Italia ka nxjerrë së fundmi një ligj, me anë të së cilit njihet pensioni i shqiptarëve që kanë shumë vjet punë në vendin fqinj.

“Shqiptarët kanë shkuar si jetimë nëpër Itali, duke u mbështetur te miq dhe shokë. Ne asnjëherë nuk kemi menduar se shteti ynë mund të bëjë për ne. Shqipëria është një shtet i vjetër dhe duhet të rregullojë shumë gjëra.

Italia ka nxjerrë një ligj së fundmi, që nxjerr në pension ata që janë të një moshe 60, 62 apo 67. Nëse unë për shembull jam 62 vjeç, por kam punuar shumë vjet, mund të dalë në pension që tani për shembull dhe i hapet rruga të rinjve”, deklaroi ai.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb