Viktoria Panchenko, 31 vjeç, ishte larg familjes së saj në një udhëtim në Milano kur forcat ruse pushtuan qytetin e saj të lindjes, Hostomel.
Në ditarin e saj, e reja rrëfen frikën për t’u kthyer dhe për të zbuluar vetë me sytë e saj mizoritë që kanë mbetur pas:
“Mbyll sytë dhe përfytyroj veten në shtëpi në Hostomel, qyteti im i qetë në periferi të Kievit. Mbaj mend aromën e luleve në oborrin tonë dhe shtëpinë e bukur të ndërtuar nga babai im. Një vend me ngrohtësinë e një qytetit të vogël, i rrethuar nga të afërmit dhe fqinjët tanë miqësorë.
I hap sytë dhe kuptoj se gjithçka tani është vetëm një kujtim. Shtëpia jonë është e zezë, nuk ka dritare, dyer ose çati. Nuk është më ngrohtë, nuk ka dritë, era depërton përmes saj. Dhe unë mendoj se ka vjern si era e dickaje që digjet.
Duket si gjëja më e keqe që mund të ndodhë ndonjëherë. Por nuk është. Për 35 ditë qyteti im ishte i pushtuar nga rusët. Tani që e kemi rikthyer, zbulojmë se çfarë lanë pas. Kryetari ynë u vra. Rreth 400 nga fqinjët tanë janë të zhdukur, shumë prej tyre dyshohet se kanë vdekur.
Çdo ditë shoh gjithnjë e më shumë njoftime nga miqtë për kërkimet e tyre për të afërmit. Dje u gëzova pa masë kur zbulova se shoqja ime e klasës, burri i saj dhe dy fëmijët e vegjël ishin gjallë pasi ishin zhdukur prej një muaji pa asnjë lidhje.
Shqetësohem për një tjetër shok klase që është ende i zhdukur dhe sot jam në lot sepse mora vesh se shoku i vëllait tim, Serhiy Zakhlyupany, u qëllua në kokë më 22 mars. Është një dhimbje e padurueshme. Serhiy ynë, ai djalë i qeshur. Ne nuk do ta harrojmë atë.
Fqinjët tanë në Bucha ishin akoma më pak me fat. Nuk kam parë asgjë më mizore në jetën time. Një varr masiv në Bucha pranë kishës. Kufomat e njerëzve të pafajshëm në rrugë me duar të lidhura pas shpine, gra të dhunuara, fëmijë. Plaçkitje pa fund.
Gjatë një muaji pushtim, qytetet tona u bënë gërmadha. Mendova se njerëzit nuk mund të bënin gjëra të tilla. Isha gabim. Ferri në tokë ekziston. Rrethimi i Kievit filloi më 24 shkurt dhe zgjati deri më 31 mars. Ferri është ushtria ruse.
Familja ime është gjallë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Unë isha në Milano kur filloi pushtimi dhe ata arritën të dilnin. Prindërit e mi nuk donin të iknin, nuk donin të largoheshin nga shtëpia dhe nuk e dinin se çfarë i priste.
Pesë netë me radhë ata e kaluan natën në bodrum, pasi shtëpia jonë ishte afër luftimeve të ashpra për aeroportin Antonov. Nata e pestë ishte më e keqja, sipas prindërve të mi. Ishte zhurmë, ftohtë dhe muret në bodrum dridheshin. Në mëngjes, babai im doli dhe pa se shtëpia jonë ishte shkatërruar nga një raketë. Ata mblodhën të gjitha gjërat e nevojshme dhe u larguan”.