Esmerald Balla, 30 vjeç, kallëzoi në Policinë e Durrësit në 13 gusht se babai i tij ishte larguar nga banesa dhe se kishte humbur kontaktet me të. Tre javë pas denoncimit, policia zbardhi ngjarjen dhe gjeti trupin e pajetë të 62-vjeçarit Enver Balla. Në pranga u vu 30-vjeçarin, i cili kishte vrarë me armë zjarri pistoletë babanë dhe e kishte hedhur në një pus, 1 km larg shtëpisë. Gjithashtu, policia gjeti dhe sekuestroi armën me të cilën 30-vjeçari kreu vrasjen. Blutë e Durrësit kanë zbardhur edhe dinamikën e krimit nga momenti i sherrit mes babë e bir, fshehja e trupit duke e hedhur në një pus rreth 1 km larg banesës dhe kallëzimi i rremë i 30-vjeçarit se babai i tij ishte larguar me një grua dhe se kjo mund ta kishte vrarë.

Gjithashtu, detaj interesant është edhe ajo që lidhet me dëshminë e djalit tjetër të viktimës i cili me të marrë lajmin se babai i tij ishte zhdukur, është kthyer nga Italia. Në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram ka mbërritur një mesazh nga një adresë me emër gruaje ku shkruhej se familja nuk duhej ta kërkonte 62-vjeçarin pasi ishte larguar me pushime. Mesazhi ishte inskenim i Esmerald Ballës.

Policia mbajti në përgjim 30-vjeçarin, ndoqi lëvizjet dhe komunikimet e tij me persona të tjerë dhe nga përgjimi 20 ditor rezultoi se ishte pikërisht i biri autori i krimit në familje.

Kallëzimi i rremë
30-vjeçari, banues në fshatin Shënavlash, Durrës, ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Durrës, se prej mëngjesit të datës 13.08.2024, babai i tij, shtetasi E. B., 62 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, ishte larguar nga banesa, me një shtetase të panjohur për të, dhe pas këtij momenti, 30-vjeçari kishte shkëputur kontaktet me babanë dhe nuk kishte mundur të lidhej më me të. Gjithashtu, ky shtetas ka deklaruar se dyshonte se kjo shtetase mund ta kishte vrarë babanë e tij dhe se 62-vjeçari nuk kishte arsye që të largohej nga banesa.

Mesazhi në Instagram
Djali tjetër i viktimës, shtetasi A. B., pasi është njoftuar se babai ishte larguar nga banesa, është kthyer nga Italia dhe ka kallëzuar në Polici, se në rrjetin social Instagram, i ka shkuar një mesazh, nga një shtetase e panjohur prej tij. Në mesazh thuhej që familjarët të mos e kërkonin 62-vjeçarin, pasi ai ishte larguar me pushime. Strukturat hetimore të DVP Durrës, duke qenë para këtyre fakteve, kanë intensifikuar hetimet dhe kërkimet, pasi lindën dyshime se kishim të bënim me një krim brenda familjes.

Si rezultat i veprimeve intensive u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, kapja dhe arrestimi i djalit të shtetasit Esmerald Balla, i cili ka pranuar autorësinë e këtij krimi, pas një konflikti që kishte me babanë për një shumë lekësh (7 500 000 lekë të rinj, kursime të përbashkëta familjare) që dyshonte se ia kishte vjedhur 62-vjeçari.

Sherri te stani i familjes, trupin e të atit e hodhi në pus
Sipas policisë, 30-vjeçari, më datë 13.08.2024, në afërsi të stanit të tyre në arat e fshatit Shënavlash, pasi është kofliktuar fizikisht me babanë e tij, e ka vrarë atë, me armë zjarri tip pistoletë. Armën e krimit e ka hedhur në një kanal, ndërsa trupin e babait e ka trasportuar dhe hedhur në një pus në një arë të këtij fshati, rreth 1 kilometër larg nga vendi i ngjarjes.

Grupi hetimor ka gjetur trupin e Enver Ballës, dhe ka sekuestruar armën e zjarrit tip pistoletë, kasafortën e hapur me sende të forta, ku mbante lekët 30-vjeçari dhe prova të tjera që lidhen me ngjarjen.

Trupi i 62-vjeçarit u transportua në Morgun e spitalit të Durrësit, për ekzaminim mjeko-ligjor.

Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedural i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Vrasja për shkak të marëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb