Deputetja Ina Zhupa ka dalë në mbështetje të akademikut Artan Fuga, duke deklaruar se ndryshimet ligjore për t’i dhënë mandat të dytë Skënder Gjinushit, janë vazhdim i konjukturave politike në kurriz të shkencës.
Në një deklaratë për mediat, ajo u shpreh ndër të tjera se Akademia e Shkencave ka qëndruar në paligjshmëri me vite të tëra për shkak se kryetari i saj nuk ishte as akademik i përhershëm dhe ishte po ashtu kryetar partie kur u zgjodh kryetar i akademisë, duke shkelur ligjin në mënyrë flagrante.
Deklarata e plotë:
Akademia e Shkencave fatkeqësisht ka qëndruar në paligjshmëri me vite të tëra për shkak se kryetari i saj nuk ishte as akademik i përhershëm dhe ishte po ashtu kryetar partie kur u zgjodh kryetar i akademisë, duke shkelur ligjin në mënyrë flagrante. Edhe pse i padekretuar nga presidenti, duket se po e përfundon mandatin e tij, të cilin unë e kam dërguar me mbështetjen e firmave të kolegevë të nderuar, në Gjykatën Kushtetuese. Sepse besoj se, ligjshmëria e një institucioni të tillë lidhet drejtpërdrejtë edhe me besueshmërinë dhe aktivitetin në shërbim të vlerave, dhe jo të antivlera.
Në përgjigje të letrës publike të akademikut Artan Fuga, çdo shqetësim i ngritur prej tij është tërësisht i drejtë dhe është për të ardhur keq gjendja në të cilën është akademia sot dhe përpjekjet për stanjacion dhe kapje. Mbështes hapur të drejtën e akademikut Fuga për të garuar për kryetar dhe do ishte nder për vendin që të kishim një akademik në lartësinë e tij në krye të këtij institucioni të shkencës.
Kur menduam se kjo betejë do përfundonte me sukses, hapet një betejë e re për ligjshmërinë e akademisë dhe për rikapjen e saj nga i njëjti personazh. Emisioni investigativ Xhadat me të drejtë kërkonte t’i gjente një botim shkencor kryetarit, por kjo ishte çështje e pamundur, sepse nuk është aty për merita shkencore, por për konjuktura politike.
Ndryshimet ligjore që kanë sjellë dy deputetët Koçi-Beqiraj, siç e kam denoncuar edhe më parë publikisht, janë vazhdim i këtyre konjukturave politike në kurriz të shkencës dhe janë shumë larg të qënurit ligj për interes publik, por janë një kostum me porosi (ligj ad personam).
Disa nga çudirat e këtij projektligji që dallohet qartë porositësi janë:
1- Deputetët paraqesin arritjet e akademisë së shkencave në këto 4 vite në relacionin e ligjit. A mund të na sqarojnë deputetët si i kanë marr këto të dhëna? A ka shkresa zyrtare me akademinë e shkencave? Cilat janë organet që ju janë përgjigjur dhe pse ka vetëm arritje dhe jo mangësi? A mund të na sqarojnë deputetët se cila është nevojë për të na paraqitur këto arritje sipas tyre kur kërkojnë një ndryshim ligji që nuk lidhet fare me këto arritje?
2- Deputetët shprehen: “ka lindur nevoja e përmirësimeve të domosdoshme që janë propozuar nëpërmjet këtij projektligji, i cili nuk prek thelbin dhe përmbajtjen e ligjit bazë, por korrigjon disa dispozita parazitare.” A mund të na sqarojnë deputetët se kujt i lindi kjo nevojë? Kryetarit të akademisë, kryesisë, apo cilit organ? Se nuk besoj që iu ka lindur nevoja zgjedhësve te zonave te tyre që s’kanë lidhje me akademinë.
Pse e quajnë parazitare dispozitën që shpjegon zgjedhjen e kryetarit? Ndoshta e lidhin me nivelin e punës së deritanishme të kryetarit aktual.
3- Deputeti, Ismet Beqiraj ka qënë relator i këtij ligji që kërkon të ndryshojë, duke mbrojtur që parimet bazë të tij ishin pikërisht për të luftuar kontrollin nga një person apo grup, duke krijuar stanjacion dhe kapje të institucionit. Ndërsa ndryshimet e reja që sjell ai me kolegun Koçi, bëjnë të kundërtën. Heqin fjalën rradhazi për mandatet, heqin moshën kufizuese, pra nevoja e lartpërmendur, duket se i paska lindur Gjinushit për një mandat tjetër për veten.
4- Relacioni i deputeteve që marrin përsipër të ndryshojnë ligjin është plot gabime drejtshkrimore, që cënojnë seriozitetin e një projektligji që kërkon të rregulloj Akademinë e Shkencave.
Për të adresuar në mënyrë institucionale shqetësimet kam kërkuar në komisionin e edukimit që akademiku Fuga dhe akademik të tjerë që kanë ngritur shqetësime publike të dëgjohen në një seancë dëgjimore në komisionin e edukimit.
Që nga tetori 2022, gjithashtu kam kërkuar në të drejtën time kushtetuese një seancë dëgjimore me kryetarin dhe kryesinë e akademisë për veprimtarinë shkencore të akademisë, për veprimtarinë ekonomiko-financiare dhe për projektet kombëtare shkencore. Është rekord i zi se si në 4 vite kryetari i Akademisë së Shkencave nuk ka shkuar asnjëherë në kuvend për t’u pyetur dhe për të raportuar.
Beteja për Akademinë nuk është betejë për emra, por betejë për shkencën, për historinë, për dinjitetin dhe ligjshmërinë. Kapja politike edhe tinëzare e saj prek shtyllën e intelektualëve që duhet jenë në krye të diskutimeve të çështjeve kombëtare, ekonomike, identitare, sociale.