NGA SPARTAK KOKA*
TIRANË- Makinat e eskortës së Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli thyejnë rregullat e qarkullimit rrugor duke hyrë me semafor te kuq  në zonën e Ish-bllokut. Nga pamjet e regjistruara nga një qytetar që udhëtonte pas makinës së ministres Kodheli evidentohen të dy mjetet e Ministrisë së Mbrojtjes që kalojnë semaforin me të kuqe në rrrugën “Abdyl Frashëri”, paranë Librit Universitar, ndërsa ajo që nuk mund të thuhet me siguri është nëse ka qenë edhe vetë ministrja e mbrojtjes në njërën prej makinave.

Një qytetar ka denoncuar shkeljen nëpërmjet pamjeve filmike në faqen e Facebookut të Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Në video duken qartë makinat me targë, TR 0147 Z si edhe Policia 07 FA, të cilat kalojnë në kryqëzim me semafor të kuq.

Pas denoncimit dhe publikimit të videos ministri Tahiri ka urdhëruar komisariatin e policisë rrugore për evidentimin e shkeljes. Ndërsa pas hetimit administrativ policia rrugore ka vendosur të penalizojë të dy drejtuesit e automjeteve, me inicialet B.T. dhe N.XH. me nga 30 mijë lekë gjobë, si edhe ulje të pikëve në patentë, sipas nenit 144 të kodit rrugor. Policia rrugore apelon qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të qarkullimit rrugor, qoftë kjo edhe nga persona me imunitet.

TAHIRI NË FB: FALENDEROJ QYTETARIN QË SOLLI VIDEON, ËSHTË E VETMJA MËNYRË PËR TË NDËRTUAR SHTETIN

 Ministri Saimir Tahiri ka reaguar në faqen e tij në facebook lidhur me videon e dërguar nga një qytetar ku duket eskorta e ministres Mimi Kodheli që kalon semaforin me të kuqe. Tahiri falënderon qytetarin dhe thekson se kjo është mënyra e vetme për të ndërtuar shtetin. Ministri bën me dije se policia u ka vendosur gjobë dy drejtuesve të mjeteve.

“Një qytetar solli këtë video. Dua ta falënderoj duke nxitur çdo qytetar të ndajë me ne çdo informacion. Kjo është e vetmja mënyrë për të ndërtuar shtetin ligjor dhe barazinë para ligjit, pa asnjë dallim. Në rastin konkret, Policia Rrugore ka gjobitur të dy drejtuesit e mjeteve sipas ligjit.”- bën me dije Tahiri.

 

(m.k/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb