NGA FATMIRA NIKOLLI*

“Mprojtja mâ e madhe qi munt t’i bahet nji sh krimtari asht t’a çojnë mësuës asè sekretar në ndonji zyrë të vogël. Nga nji herë ngjanë qi e qisin jasht fare dhe nga kjo punë e thjeshtë dhe e lanë pa bukë në të katër rrugët. Po a munt të lulëzojë në këtë mënyrë literatura shqiptare?” Ethem Haxhiademi (1902-1965) i shkroi këto fjalë në vitin 1939, si parathënie në botimin e librit të tij me poezi “Lyra”.

Atëbotë, ai nuk mund ta dinte, se çlirimi i vendit që sa po pushtohej, do ta mbyllte në qelitë e burgut, prej ku nuk do të dilte i gjallë. Nëse Shqipëria komuniste e dënoi, Shqipëria demokratike, duket se nuk ia hedh sytë. Për 70 vite me radhë, tekstet e tija u “zhdukën”, u strukën, humbën, nuk u lexuan, nuk u shkrua për to, nuk u përmendën. Të botuara në Kosovë, por jo në Shqipëri, ende sot, duket sikur ka “një urdhër-ndalese a harrese” që i sillet si aureolë e zezë emrit të tij.

Pak javë më parë, revista “POETEKA” i kushtoi një numër të tërë, duke nxjerrë në dritë përmasat e panjohura të një shkrimtari të pafat, por jo të patalent. Fotografi, dorëshkrime, veprat, pjesëza rrëfimesh nga i biri Emini, nga e mbesa Hortensia, kritika letrare nga Jozef Radi e Anton Cefa. Materialet në përkujtim të dramaturgut Ethem Haxhiademi në “GSH” botohen falë bashkëpunimit me mbesën e autorit, Hortensia Haxhiademi – Pëllumbi, me poetin e studiuesin Jozef Radin dhe me revistën “POETEKA”, të cilët na dhanë mundësinë e sistemimit kronologjik e tematik të lëndës.

Botimi, hedh dritë mbi dorëshkrimet e shkrimtarit që u shua në burg, dhe e rikthen atë në vëmendjen e munguar prej dekadash. MBI JETËN Shumë prej të dhënave për jetën e Haxhiademit gjenden te studiuesi Robert Elsie (“HISTORI E LETËRSISË SHQIPTARE”, përkthyer nga origjinali anglisht “History of Albanian Literature” (1995), nga Abdurrahim Myftiu, Tiranë 1997), i cili shënon se dramaturgu dhe poeti Et’hem Haxhiademi (1902-1965), lindur më 8 mars 1902 në Elbasan, ka qenë ndoshta dramaturgu më i mirë i periudhës së Pavarësisë.

Shkollën e mesme e ndoqi në Leçe (Itali) rreth vitit 1918 e në Insbruk (Austri) më 1919- 1923, dhe studioi për shkenca politike në Berlin (1923) dhe Vjenë. Elsie shënon se në vjeshtën e vitit 1928 Haxhiademi u kthye në Shqipëri për të punuar në detyra qeveritare. Ishte prefekt i Lushnjës etj., si dhe drejtor drejtorie në Ministrinë e Brendshme në Tiranë. “Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte drejtor i administratës bashkiake në Shqipëri dhe anëtar i Institutit të ri të Studimeve Shqiptare në Tiranë. Më 1945, menjëherë pas luftës, u bë anëtar i Lidhjes së sapoformuar të Shkrimtarëve dhe kryetar i degës së saj për Elbasanin”, – vëren studiuesi.

Mandej, më 1946-ën qe edhe mësues i gjuhës shqipe në Shkollën Normale të Elbasanit. Në kohën e gjuetisë së shtrigave më 1946-1947, Haxhiademi u arrestua e u dënua me vdekje. Bibliotekën dhe dorëshkrimet ia konfiskuan. Me ndërhyrjen e njerëzve me influencë Aleksandër Xhuvani (1880-1961) dhe Omer Nishani (1887-1954) dënimi me vdekje iu kthye me burgim të përjetshëm. Vdiq më 17 mars 1965, pasi kishte punuar për shumë vjet si përkthyes në burgun e Burrelit.

“Haxhiademi ishte autor i një përkthimi të shquar në hekzametër të Bukolikeve të Virgjilit (1932) dhe të një vëllimi 73 faqesh me poezi të trishtuar ‘Lyra’, Tiranë 1939. Megjithatë, formimi i thellë evropian perëndimor i tij gjeti shprehje më të plotë në tragjeditë klasike sipas modeleve greke e latine. Tri tragjeditë e para në pesë akte të Haxhiademit u botuan si trilogji: ‘Ulisi’, Tiranë 1931, shkruar në Berlin më 1924; ‘Akili’, Tiranë 1931, shkruar në Vjenë më 1926; dhe ‘Aleksandri’, Tiranë 1931, shkruar në Lushnjë më 1928.

Pastaj vjen “Pirrua”, shkruar në Gjirokastër më 1934, tragjedi kjo mbi një temë tashmë të trajtuar nga Mihal Gramenoja më 1906 dhe Kristo Floqi më 1923. Pjesa me pesë akte ‘Skënderbeu’, Tiranë 1935, e përfunduar në Gjirokastër më 1 maj 1935, u pasua nga dy kryevepra të mrekullueshme: ‘Diomedi’, Tiranë 1936, dhe ‘Abeli’, 1939 në varg njëmbëdhjetërrokësh. Edhe pse trajtonte figura të mitologjisë dhe historisë së lashtë, Haxhiademi ato i shihte sikur të ishin pjesë e trashëgimit të vetë Shqipërisë” – shkruan Elsie. Pas komunizmit, e deri në ditët tona, këto vepra nuk kanë qarkulluar më. Për to, mund të mësoni më shumë te “Poeteka”, ku po ashtu mund të njihni shkrimtarin e lënë në hije.

MBI “LYRËN” Në parathënien e botimit të librit me poezi “Lyra” më 1939, Et’hem Haxhiademi shkruante se “në nji kohë si kjo e jona, me u marrë njeriu me poezí a me ç’do art t’jetër të bukur, asht nji punë e kotë e nji mundim i pafrytshëm. Artisti apo shkrimtari shqiptar, qi t’i banjë ballë nevojavet të jetës, duhet mâ përpara të merret me ndonji ‘punë qi ep bukë’, si ç’flitet këtu në Shqipni, dhe për mjeshtërin qi i flet zemra të punojë nëpër orë pushimi ose të lanjë mangut gjumin e natës”.

Ai vinte re se “mundimi i vazhdueshëm duhet të pjelli në funt frytin e shpërblimit. Pse me u mundue me mjellun në kopshtin e jetës pemë qi nxjerrin gjithmonë lule dhe nuk lidhin kurrë as ndonji kokërr të vogël?”. Duke mos e ndjerë veten mirë në atë mjedis, Haxhiademi, shprehej se “Dhe kur të kujtohet se këtu ke na përveç satisfakcionit material ke mrapa dhe urrejtjen e publikut për veprën qi i fale me kujdes e dhimbje shpirti, ahere gjendja e shkrimtarit shqiptar bahet sá mâ tepër tragjike.

Drama e Ipsenit ‘Armiku i Popullit’ e shpreh mjaft bukur në këtë rast botën shqiptare kundrejt puntorit të Muzavet. Dikur nëpër perioda t’errta të vendevet t’jera gjindesh ndonji Mecen a Richelieu, të cílët i murën puntorët e pendës ndën mprojtje. Dhe vetëm për këtë mprojtje këta bamirës e lidhën vehten e tyne me historín e literaturës romake e frange. Këtu tek ne ngjanë e kundërta. Sigurisht jo. Ndër të tilla kushte puna e letrave asht nji heroizëm, nji idealizëm pa kufi”.

Prej tij mësojmë se atëherë si edhe sot, “idealizma quhet nji marrëzi, duhet t’a këtë dhe shkrimtari fatkeq vendin në ç’mendinën e Vlonës”. “Me gjithë këto sá u tha sipèr, un prap përmblodha nji volum të vogël të vjershavet të mija dhe ja paraqis publikut shqiptar. Nji punë e pakët, por e kujdesëshme, qi besoj se do t’i vlejë mjaft literaturës s’onë të vorfën” – shkruante Haxhiademi në Elbasan më 14 mars 1937.

RRËFIMI I TË BIRIT
Emin Et’hem Haxhiademi, i biri i dramaturgut, ka sjellë edhe një rrëfim për arrestimin e të atit, në numrin që “POETEKA” i kushtoi shkrimtarit të ‘damkosur’ në komunizëm. Kujtimet e tij vijojnë më poshtë: “Natë Dimri… 25 Janar 1947, natë e martë dimri. Ishim mbledhur të gjithë rreth votrës në dhomën e zjarrit, veç Xhaxhait, që nuk di pse atë natë, ra me fjetë më herët se zakonisht. Moma po mundohej të bindtte për gjumë tre më të vegjlit, ndërsa motra ime e madhe dhe unë po merreshim me punët e tona, përgatiteshim për të nesërmen. Baba po korrigjonte hartimet e një klase së Normales së Elbasanit, me temë: “Fëmija pa Nënë, si nata pa hënë”.

Në dhomën e zjarrit mbretëronte heshtje dhe askujt nuk i shkonte ndërmend se dhe heshtja përgjohej. Nuk na shkonte ndër mend se qetësia jonë familjare ishte vënë në shënjestrën e pushkëve. Duke përfituar nga muri i shembur i avllisë, njerëz të armatosur, nuk e di për sa orë na kishin vu nën hetim. Ata hynë pas pak në shtëpinë tonë, me një shikim triumfal, dhe u paraqitën si njerëz të pushtetit lokal, se gjoja kishin ardhun për kontroll për gjana të ndalume për kohën. Syrin e kishin që të konfiskonin bibliotekën tonë të madhe, të Stërgjyshit, Gjyshit dhe Babës që me aq dëshirë vazhdonte ta pasuronte atë.

Mbaj mend nga bisedat e Nanës që nuk u gjend asnji libër i ndaluar për kohën ose dokumenta kompromentuese. Në orën 12 të asaj nate, unë si fëmijë s’po kuptoja seç po ndodhte në familjen tonë, veçse në sytë e motrës pashë shumë lotë dhe më vonë Babën duke zbritur nga shkallët me duar të lidhura… Pas tij ishte ime Më, e verdhë dyllë sikur të kishte dalë nga varri. Në zemër ndjeva dhimbje prej saj… U shkul me dhunë ai kënd i dashur i ngrohtë familjar, buzëqeshja, gëzimi, ëndrra, shpresa e jonë.. Ato u lidhën me pranga bashkë me Babën, për të mos u kthyer më kurrë në atë shtëpi. Ai iku me kokën lart e me shikimin e dhimbshëm për pasigurinë e jetës sonë. S’do t’i harroj kurrë ata sy që s’i putha më kurrë… Vrisja mendjen pse ndodhi kështu? Çfarë kishte ba?! Ndoshta ishte keqkuptim!! Por jo: Ai akuzohej rëndë dhe dënimi ishte parashikuar. Dënim kapital bile dhe me varje. Këto u bënë të qarta edhe për mue, fëmijë athere.

Akuzohej për komplot për përmbysjen e pushtetit, për bashkëpunim me angloamerikanët; dhe bashkë me të akuzoheshim edhe ne që bëmë një jetë plot vuajtje e dhimbje dhe ishim dënuar të gjithë si armiq. Midis nesh dhe Homeri i vogël 6 muajsh… Në burgun e përjetshëm kaluam një jetë plot dhimbje, me skamje e të pastrehë, jetë privacionesh të detyrueshme. Nuk zgjati as dy ditë nga nata e arrestimit të Babës, kur nëpunësi i zyrës së pasurisë së shtetit, i shoqëruar me ushtarë të armatosur, regjistroi çdo plaçkë të shtëpisë, deri tek rrobat e djepes së vëllait të vogël.

Për ironi të fatit tonë ndoshta për të s’do kishte nevojë për djep, mbasi ai do rritej e do piqej para kohe, ashtu si gjithë ne. Por nënës sonë nuk i bëri përshtypje ky akt që paralajmeronte nji varfërim total e të paligjëruem. “Kokat, kokat…” kishin rëndësi për të, gjë që ne fëmijët nuk e kuptonim si duhet… Si ta kuptonim që ne dhe kokat tona ishin dënuar me vdekje? Shtëpia u bë e zymtë, e frikshme, e zbrazët.

Dy herë kjo shtëpi kishte marë konture të frikëshme: një herë në kohën e Gjyshit kur e arrestuan rebelët dhe në vitet e një rebelizmi të ri me arrestimin e Babës. Veçse në të dy rastet ajo shtëpi, çerdhe e lëvizjes patriotike për gjuhën e pavarsinë, bazë e Lidhjes së Prizrenit, bazë e rezistencës antiosmane, mbështetse morale e materiale e demokracisë e çështjes kombëtare, çuditërisht pa indiferencën, mosmirënjohjen e sjelljen jo dinjitoze të bashkëqytetareve të saj!! S’pati asnjë reagim, asnjë përpjekje për mbrojtje – kur në natën me borë të 27 shkurtit, një grua 33 vjeçare me 5 fëmijë, nga të cilët më e madhja 15 vjeç, u flakën në rrugë dhe nuk e dinin se ku do të shkonin paskëtaj…”

Jozef Radi: “Lyra”, 11 poezitë e një vepre të pambrritun
Lyra” e Et’hem Haxhiademit, e botueme në vitin 1939, asht pa as ma të voglin diskutim nji prej monumenteve të poezisë shqipe… E shkrueme në nji kohë të vështirë, kur ende poezia shqipe ishte në nji fazë ngjizjesh dhe kërkimesh, kur Bota, me të edhe vetë Shqipnia, po i futesh nji tragjizmi dhe nji kasaphane të papamë, Et’hem Haxhiademi botoi “Lyrën” e tij.

Nji libër poezish që ndoshta as nuk u lexue, as u kuptue dhe as u respektue si dhe si duhet, mbasi menjiherë mbas botimit do të vinte pushtimi dhe bashkë me të edhe kriza ma e madhe morale e shoqnisë shqiptare, kështu që kjo vepër nuk mori jo mirnjoftjen e kohës kur ajo u shfaq, po as të krejt kohnave që erdhën ma pas. Praktikisht kjo vepër sot e kësaj dite asht e palexueme, e pakuptueme, e pavlersueme… ende e pangulun në kujtesë kolektive jo veç të lexuesve, po as të elitave (po i quejmë të tilla) që e kanë pasë ma së pakut detyrë të merren me përhapjen dhe zbërthimin e saj. Kështu pra, “Lyra” mund të konsiderohet ende vepër e pambrritun dhe e pavumere ndër shqiptarë!

Ajo ka gjithsej vetëm 11 poezi… as ma shumë e as ma pak. Asnji libër poetik s’ka pasë kaq pak poezi, dhe asnji libër poetik nuk të jep ma shumë mundsi me u shprehë se “Lyra”. Edhe pse dy – tri prej poezive mund t’i quejmë edhe poema, si fjala vjen “Nymfat e Shkuminit”, “Elegji për Naim Frashërin” apo “Nata e zezë”, prap se prap për poezinë e Haxhiademit duhet hapë nji kapitull i ri njohjeje, dashnie, vlersimi dhe interpretimi… përndryshe ne nuk bajmë asgja tjetër veçse i mbyllim sytë përpara nji vepre të madhe që s’mund të kapërcehet ma me heshtje, prej atyne që tash ju duhet me ju uluritë në birë të veshit për çka kanë ba…

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: