Rektori i Universitetit Luarasi, Et’hem Ruka, në fjalën e tij në Konferencën Ekonomike të Universitetit Luarasi foli për atë që ishte diskutuar në Konferencën Ndërqeveritare, në praninë edhe të kryeministrit shqiptar.
Ruka deklaroi se në Konferencën Ndërkombëtare u vendos që të krijohet një ligj, që quhet Lidhja e Sipërmarrjes në Arsim. Et’hem Ruka tha se me këtë ligj, synohet që në Shqipëri të vijnë më tepër studentë të huaj.
Et’hem Ruka: Ekonomia është e rëndësishme jo vetëm për vendin tonë, por për mbarë globin, pasi ndikon mbi të gjithë sektorët e jetës. Një ekonomi e fortë do të thotë mirëqenie, siguri, do të thotë arsimim më i mirë, do të thotë turizëm më i mirë, do të thotë infrastrukturë më e mirë. Kërkoj ndjesë që nuk isha në prezantimin e parë, por ne sot kishim një konferencë ndërqeveritare, me praninë e kryeministrit, ministrit të Jashtëm, ministrit të Brendshëm, ministrit të Arsimit. Ngado ta rrotullojmë, prapë dalim te ekonomia. Arsimi i lartë ka shumë sfida, me të cilat ballafaqohemi.
Agjenda 2030 kërkon impenjim nga të gjithë sektorët dhe fushat e vendit, duke përfshirë dhe arsimin e lartë. Ne kemi nevojë të rrisim cilësinë e arsimit të lartë, të rrisim kërkimin shkencor dhe komunikimin me ndërkombëtarët. Fokusi kryesor në konferencë ishte “studenti ndërkombëtar”. Shumë kush do pyesë se çfarë lidhje ka kjo me ekonominë. Ne të gjitha universitetet e sektorit jopublik kemi krijuar një ligj, që quhet Lidhja e Sipërmarrjes në Arsim, që ka për detyrë të bëjë studime, të rrisë bashkëpunimin e kohezionin mes universiteteve tona dhe të ngremë disa probleme, që lidhet kryesisht me sjelljen e studentëve të huaj në Shqipëri. Mbretëria e Bashkuar ka 700 mijë studentë të huaj dhe kuptoni të ardhurat që vijnë nga këta studentë. Edhe fqinjët tanë kanë shumë studentë të huaj.
Numri i studentëve të huaj në Shqipëri është shumë i kufizuar. Jemi në një kohë që turizmi ka shkëlqyer dhe ishte një punë e shkëlqyer e qeverisë, me anë të projektit Rilindja Urbane, pa të cilin nuk do ta kishim këtë standard. Studentët janë para që i vijnë Shqipërisë. Kemi ecur shumë edhe në turizmin detar. Edhe kirurgjia plastike ka njohur rritje të mëdha. Edhe ne duhet të futemi në këtë treg, që t’i sjellim të ardhura vendit, gjithashtu promovohet vendi. Duhet të ndjekim shembuj nga vendet perëndimore. Kemi rregulla që janë absurde për studentët e huaj, i themi se duhet të ketë llogari në bankë të nivelit të dytë, ndërsa ai ende nuk ka marrë vizën ose kërkohet një shumë e caktuar.
E dimë që ndoshta nuk marrim studentë nga vendet e zhvilluara, por mund të marrim nga vendet e treta. Më vjen mirë që konferenca është serioze, që trajton një temë delikate, siç është ekonomia. Ju të pranishmit këtu jeni specialistët më të mirë të vendit sa i përket fushës së ekonomisë. Falënderoj sidomos prof. Sherif Bundon, që është miku ynë, është emëruar dekan i Fakultetit të Ekonomisë tek Luarasi. Që në ditën e parë që prof. Bundo shkeli në universitet, kërkoi që të bëhet konferencë, shenjë kjo që gjërat janë marrë tepër seriozisht. Me pasion gjithçka është e mundur.
(Balkanweb)