Titulli kampion është shndërruar në një rebus me dy të pa njohura, Partizani apo Kukësi. Dy ekipet vijojë dualizmin ndërmjet tyre me të kuqtë që dukshëm kanë një marsh më shumë. Partizani “mbretëron” i vetëm në krye, diferenca prej tetë pikësh me vendin e dytë i jep qetësinë e duhur ekipit të Gegës për të administruar si duhet këtë pjesë të mbetur të kampionat.

Partizani Skender Gega
Partizani Skender Gega

Kryeqytetasit po zhvillojnë një sezon të kuruar deri në detajet më të vogla. Duke nisur nga maja, ku presidenti Demi dhe drejtori i përgjithshëm Olsi Rama, kanë mbajtur një profil të ulet mediatik, e deri tek lojtari i fundit, të gjithë shijojnë kreun por në asnjë moment nuk duken të shpërqendruar apo të “dehur” nga suksesi, e shkuara e freskët i ka ardhur në ndihmë, pasi edhe më herë kanë qenë kaq pranë titullit, por në fund kanë dalë duar bosh.

Gega
Gega

Fakti që nuk kanë pësuar asnjë gol në këtë fillim faze të tretë është një tjetër tregues i maturimit që ky ekip ka këtë sezon. Gega i beson boshtit të tij, lojtarë që të gjithë ndjekim trajnerin, mjafton të shohim festimet pas çdo goli ku Gega gjithnjë është në mes. Prova e radhës vjen këtë të diele teksa luajnë në transfertë kundër Laçit, një ekip në vështirësi, ku kanë humbur shumë terren me rivalët, por si gjithnjë mbetet një transfertë ku për të marrë tre pikët duhet më shumë se një 90-minutësh perfekt në aspektin taktik.

Gjici
Gjici

Situata është krejtësisht ndryshe tek rivalët e tyre, Kukësi, ekipi i vetëm i cili ka kartat e duhura për ti sfiduar, përveç njërës, mbase më të rëndësishmes në këtë pikë, qetësisë. Presioni është i madh të verilindorët, çdo javë që kalon pa marrë pikë të plota e bën edhe më të vështirë punën për Armando Cungut.

Cungu
Cungu

4 pikë pas 3 ndeshjeve, mbi të gjitha pas një fushate të bujshme dimri, ka vënë në pikëpyetje të gjithë projektin e presidentit Safet Gjici. Këtë javë kalendari sheh Kukësin të zbres i pari në fushë, por përballë kanë kundërshtarin më të vështirë në letër, Teutën, një skuadër e cila gjithashtu është e etur për pikë. Çdo rezultat tjetër përveç fitores do vinte edhe më shumë në dyshim objektivin e tyre kryesorë, titullin kampion.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb