Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e ftuar sot në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 sqaroi publikisht se mazhoranca është në të drejtën e saj të zhvillojë zgjedhjet më 30 qershor, për aq kohë sa edhe KQZ-ja e ka shpallur të pavlefshëm dekretin e Presidentit për t’i anuluar ato.

Gjonaj tha ndër të tjera se në rast se do të ketë ankesë nga Presidenti, do të jetë Gjykata Administrative ajo që do ta shqyrtojë rastin dhe jo Gjykata Kushtetuese.

“Zgjedhjet e datës 30 qershor do zhvillohen padyshim për sa kohë edhe KQZ e konsideroi të pavlefshëm dekretin e Presidentit dhe sipas arsyetimit tim ka vepruar drejt, njëkohësisht vendimi i KQZ është i përcaktuar nga Kodi i Procedurës Civile. Nga ana tjetër zgjedhjet e 30 qershorit s’kanë lidhje me Gjykatën Kushtetuese. Akti administrativ, dekreti i Presidentit shqyrtohet nga Kodi i Procedures Administrative, neni 110, paragrafi i pare dhe i dyte dhe nga Gjykata Administrative. Madje ka një vendim të Kushtetueses më 2017 që shpall moskompetencën e saj për aktet e bëra nga një forcë politike dhe e ka referuar rastin në Gjykatën Administrative dhe në Kolegjin Zgjedhor. Unë them që Gjykata Kushtetuese s’ka të bëjë fare me dekretin e Metës”,- tha ajo.

“Për mua organet e zgjedhura vendore s’mund të vazhdojnë më funksionin e tyre më 11 gusht. Ne duhet t’i japim mundësi qytetarëve, t’i japin mundësi të zgjedhin. Mundësia i është dhënë të gjitha palëve politike për të qenë pjesë e garës. Opozita është në parlament, atë njoh unë për opozitë, për sa kohë parlamenti funksionon”,- tha ministrja.

Gjonaj u shpreh se në të gjitha rastet që do të tentohet të pengohet procesi zgjedhor, do të ketë përballje me ligjin.

“Opozita që nuk është në parlament ta ketë të qartë se nëse pengon zgjedhjet do të duhet që përgjegjësit të dalin para ligjit, për me tepër cenojnë rendin kushtetues”,- vijoi ministrja.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb