NGA RIKARD LJARJA

Duke gërmuar një ditë thellë në hard disk gjeta një letër që ia kisha dërguar një mikut tim. E kisha harruar. Vura re se kishte nevojë të shtohesh diçka që të botohej, se ndoshta dikuj që merret me këtë profesion mund ti hyj në punë.
Nuk e di!
Mos po bëj gabim!
Libri nuk është botuar, dhe ndoshta nuk do të botohet.
Nuk ia uroj.
Është një libër shumë i mirë.

I nderuar Luigj!
Mua më duket se ky libër nuk është një biografi e thjeshtë. Më duket se është një studim serioz, profesional e analitik i veprës së mikut tonë Ndrek Luca.
Luigj, i ke hy shumë thellë.
Ti, një kimist, je bërë një njohës i shkëlqyer i atij mut profesioni që quhet theater, mjeshtri e aktorit. I them mut profesioni, se është profesion shumë i vështirë, që kërkon të dhëna të lindura të veçanta, se kërkon shumë punë fizike dhe psihike, kërkon shumë përkushtim, dhe tepër vonë, po më në fund e kuptova se në thelbin e tij ka perversitet:
a) Shndërrimin e vetvetes në dikë tjetër.
b) Dhe në rënien e vetvetes.(Ti biesh vetvetes).
a) Njeriu aktor, që ka një emër e një mbiemër, që ka ose ka pas një babë e një nanë, gjysh, gjyshe, katragjysh e katragjyshe; pra një njeri normal, me një fizionomi fizike, psihike, gjenetike, rracore, etj. i papërsëritshëm, pra unikal, me vullnetin e tij, nga ambicie të brendshme natyrale për tu veçue, për të dalë i përvetshëm, për të qenë numër njejës, që ti lexohet emri me gremë kapitale, e përsëris: me vullnet të plotë, duke i pas të dhënat natyrale dhe intelektuale i ka hy një profesioni që duhet të shndërroj veten në një të dytë, në atë që s’është.
Për t’ia arrit kësaj (gjithmonë kur i ka të dhënat natyrale fizike intelektuale, dhe kulturën përkatëse dhe të përgjithshme) i kërkohet një stërmundim i vazhdueshëm njëzetekatër orë në njëzetekatër. Edhe kur flenë, mendja, apo subkoshienca vazhdojnë të punojnë.
Në shumicën e rasteve, duke u nisur nga personazhi i shkruar që duhet të interpretosh në skenë, krijimi i figurës vjen në rrugë paralele.
Mardhënjet me personazhet e tjerë (që pa dyshim janë të veçanta me gjithsecilin prej tyre), mënyra e të menduarit (që është pa as më të voglin dyshim katerciprisht e ndryshme nga ajo që ka njeriu aktor), mënyra se si shikon, se si flet, se si i mban flokët, si vishet etj., etj., pothuaj vijnë në mënyrë të njëkohshme, paralele. Realizimi vjen me procesin e të menduarit krijues (që s’flenë as natën pra) dhe me të tmerrshmet prova që s’mbarojnë kurrë. E të lodhin, e të lodhin, e të lodhin… e të lodhin… jo vetëm fizikisht, por të grryejn thellë diku aty ku thonë se mund të jetë foleja a vendbanimi i shpirtit.
Për të arrit përsosmëri kërkohet që truri të dhunohet në mënyrën më të përbindshme:
UNË jam UNË. I plotë.
UNË nuk duhet të jem UNË, por duhet të jem AI.
UNË duhet të jem AI duke qenë UNË.
Pra një pjesë e trurit duhet të ndahet veçan që të kontrollojë krijimin e ATIJ.
Dhe kur Ai është krijuar, duhet që ajo pjesë e trurit që me fuqinë e trurit është ndarë, të kontrolloj pjesën tjetër të trurit që ka bërë Atë, ta kontrollojë gjatë gjithë kohës sa zgjatë shfaqja.
E ngatërruar-ë?!
Është e lodhshme për ta lexuar, le për ta bërë…
S’po vazhdoj ma se po të lodh me budallallëqe.

b) Kësaj pikës tjetër po i bie më shkurt se është shumë e thjeshtë:
Luigj, flautisti i bie flautit, violinisti violinës, fyelltari fyellit, lahutari lahutës…
Këngëtari ”i bie” fytit, kordave vokale (po e thjeshtëzoj). Valltari ”i bie” trupit të tij.
Po aktori?
Aktori ”i bie” qenies së tij, individualitetit të tij, personalitetit të tij.
Ai ka ”instrument” vetveten në kuptimin më të thellë dhe të plotë, që nga maja mâ e naltë e qimes ekstreme të kokës e deri te thoni i gishtit të vogël të kamës. Ai deformon, ose më mirë me thanë, dhunon shpirtin e tij, dhunon psihiken e tij, personalitetin e tij, dhunon vetveten. Ka instrument vetveten me trup e shpirt. ”I BIE” vetvetes.
A nuk është pra një profesion tepër i vështirë? Tepër i lodhshëm? A nuk ka nuanca perversiteti? ( jo në kuptimin seksual). A nuk ka pra nuanca perversiteti psihik ky profesion?
Flas gjithmonë për njerëz të përkushtuar që e bëjnë profesionin me gjithë mundësit dhe aftësitë që kanë. Flas Luigj, për aktor dhe jo për ata që i kanë dalë zot si maxhypi Dinit këtij profesioni. Nuk flas për ata që ”bëjnë” teatër.
Një nder ata njerëz që e kishte marrë këtë profesion me gjithë seriozitetin e njeriut me vullnet të fortë, me dhunti të shkëlqyera intelektuale dhe aktoriale ishte edhe i madhërishmi NDREK LUCA, miku i yt.
Ky profesion në qoftë se bëhet ashtu siç duhet, le edhe konseguenca fizike dhe psihike: Infarkte dhe shpesh herë edhe çrregullime mendore.

Kjo punë që ke bërë ti nuk është punë e një dite, e as një muaji apo e një viti. Ky stermundim që ke bërë ti, me gjithë këtë punë voluminoze, më bën të mendoj se ende paska njerëz në këtë copë vend. Shpesh më shkon mendja se janë bjerr miqtë, se janë shue.
Ndoshta kam të drejtë.
Ti Luigj prish rregullin.
Fare mirë mund të ishe marrë me ndonjë punë që disi të jepte ndoj kokërr fruti. Jo. Ti je marr me ”dokrra” thotë Gjergj Fishta, që si duhen kerkuj.
Aní.
Të uroj shëndet e vullnet që të merresh edhe me ”dokrra” të tjera të këtij lloji.
Tashti i erdh radha ”por-it”. S’mund të rri pa i thanë dy fjalë:
Libri është shumë voluminoz. Mu krijua përshtypja se në renditjen e kapitujve nuk ke pas ndonjë metodologji të veçantë.
Mendoj, gjithmonë mendoj, dhe nuk marr guximin të them ma tepër, pra mendoj se ka disa mënyra që ta bëjë më të thjeshtë dhe më tërheqës për lexuesin.
P.sh. Mund të ishte me një renditje kronologjike. O si mbas jetës së Ndrekës, o si mbas inskenimit të veprave.
Ose: Mund të ishte veç krijimtaria teatrale, veç krijimtaria kinematografike, e veç krijimtaria dramaturgjike.
Veç jeta.
Për jetën e Ndrekës do të dojsha më shumë nga kujtimet e tua, ndoshta gjana të vogla në dukje, ndoshta gjana që duket sikur nuk ia vlejnë, intime…
Ndoshta një kapitull më vete: Si u takove për herë të për me Te, e deri kur dha frymën e fundit (që e ke shumë bukur).
Ose ta gërshetosh mardhanjen që ke pas me Ndrekën mes kapitujve shkencor (të them të drejten të lodhshem për mua e jo ma për nji lexues të thjesht). Sepse kujtimet sa do të papërfillshme (p.sh. si e kerkonte dhe si e pinte kafen që ti i mban mend shumë mirë, kur dhe si e la duhanin që ti duhet ta dish… etj.etj) kur vijnë mes shkencës racionale, të thatë, janë çlodhje, krijojnë emocione dhe e bëjnë më të freskët dhe më të lehtë leximin.
Ky mendimi i fundit më duket ma me mend. Ti ban si të duash!
Tashti po perpiqem të them disa konstatime të vogla dhe të pa randësi, por që ndoshta ty mund të të hyjnë në punë.
Perveç anës shkencore që ti e ke jashtëzakonisht të saktë dhe s’kam ça them, po perpiqem të veçoj disa imtësi diku stilistike e diku tjetër plotësuese…
Mendoj se ky libër është një dokument, një libër dokumentarë shkencor dhe aspak një trillim artistik. Këtu biem dakord besoj, se kjo ban muuuu.
Mirë po në fillim të librit, ti na tregon kur familja Luca zdryp në Shkoder, sikur ti të ishe aty me ta. Na tregon për mjegullën, për ortekun e ku e di unë se ç’farë…
Në mes tjerash i ke shumë bukur, po ti nuk ke kenë aty, dhe ky libër asht dokument, asht nji libër dokumentar.
Asgja nuk të shkon dam. Në vend që të thuash se… kur zbrisnin në Shkoder nji ortek bore… do të thuash me elegancë, duke i ba dredha dokumentarizmit… se kur zbrisnin në Shkoder atë natë me siguri ra nji ortek bore… etj.etj. Kështu edhe atmosfera e bukur që ke krijue mbetet, e edhe s’ka kush thotë: Pse rrenë, ti nuk ke kenë aty.
Se vërtete atë natë ka ra një ortek, se e ka deshmue Lula.
Kjo për gjithë atë atmosferë që ke krijue.
Që të japësh vertetsinë e dukagjinasve që zbritën në Shkoder në atë kohë, mendoj se duhet të kerkosh te vëllimi i parë, apo i dytë, nuk e mbaj mend mirë, i Historisë së Shqipërisë i botuar nga vitet ’60 në mos gaboj, me kopertinë bojë kafe, ku është periudha e Mbretit Zog. Aty ka disa kapituj ku flitet për urinë që ka ra në Dukagjin, dhe ku Mbreti Zog i bën një leter të hapur kryeministrit të asaj kohe që tashti nuk ia mbaj mend emrin, dhe e akuzon se qeveria nuk ka marr masa për ti furnizuar me ushqim sepse aty, në Dukagjin pra, ka të vdekur nga uria.
Kjo është edhe koha kur familja e Lucës ra, zdrypi në Shkoder.
E di prej Ndrekës, se e ama nuk pranonte me shkue n’zall t’Kirit ku ishte krijue bidonvili i parë në Shqypni nga uria në malci, dhe kerkonte me kambngulje me gjetë nji shtëpi përkarshi kishës. E ama kishte të drejtë, sepse Ndreka me atë temperament që kishte mund të kishte marrë rrugët e mutit siç i morën shumë bashkëmalcor të tij. Rrethi i shoqënisë që krijoj në Serreq, Giuhadol etj. mendoj se e shpëtoj dhe e bani atë që tashti e njohim të gjithë.
Diku aty ku tregon për zdrypjen ke të pa skjaruar dhe pak të errët:
“… tre të tjerëve që po largohej…” mos i kanë vdekë tre fëmijë para Ndrekës (ndoshta nga uria)…
Nuk e di!
Kam përshtypjen se po.

Probleme gjuhe kemi të gjithë na Gegët në pergjithsi. Nganjiherë nuk jena as mish e as peshk. Ti po e sheh se si po shkruej unë.
Megjithatë unë mendoj se është e drejtë të perpiqesh të shkruash në normë, po e ama e Ndrekës nuk e ka ditë normën. Ti thue (thot ajo): – O me shpëtue (pshtue(a)), o me vdek (dekë) bashkë.
Lula ka folë si ka folë Lula. I ban mirë me folë në dialekt, sepse i jep vertetsi librit.
Gjithmonë mendja ime.
Ka nevojë sidomos nga fillimi për një redaktim, sepse ka shumë përsëritje epitetesh. Edhe shembujt nga shtypi janë të pa fund.
Ti ke kohë që e ke shkrue dhe besoj se në njëfarë soj mënyre je i ftohur me librin. Deli zot vetë, me guxim, pa dhimbje e bjeri vizë aty ku ka përsëritje, a aty ku libri ban bark e fillon e të lodhë.
Ma mirë se ti vetë, kerkush s’ta ban.
Po do pak guxim.
Do ti bajë shumë mirë t’harrja.
Diku në faqen 41. është ai episodi me atë nëpunësin shpërfillës. Duhet nënvizuar fort me një fjali që Ndrek Luca në atë periudhë ishte një nder figurat më të njohtuna publike të kohës, dhe s’kishte se si një piç nëpunësi të mos e njihte, por njeriu i vogël, apo ajo që ka thanë Jezu Krishti kur njerzit e vendit të tij e perzunë me gurë nga tempulli dhe desh e hodhën në greminë: Askush s’mund të bahet profet në vend të vet.
Fq. 44. Duhet spjeguar se kush janë dy gratë. Unë e ti e dimë, po ata që e lexojnë nuk marrin vesh gja.
Diku nga fq. 30. diçka nuk shkon dhe kam ba nji shënim që tash që po i shkruaj nuk më kujtohet. Më kujtohet se ka qenë diçka e paqartë dhe kam shënuar:
Ai që është (artist qoftë apo diçka tjetër) e ka edhe inteligjencën, dhe e kupton se është, dhe s’ka nevojë të thotë: Qe kush jam unë.
AI është.
Ai që nuk është, thotë: Qe kush jam…
NDREK LUCA s’kishte nevojë ta thoshte kush ishte.
AI ishte.
Nuk e di , ndoshta është aty me atë nëpunësin, nuk e mbaj mend.
Mungon fq.32.
Në fq.46 mora guximin të nënvizoj në tekst një paragraf. Mendoj se ky është thelbi i MALCORIT NDREK LUCA. I psikologjisë së trashëguar në mijra breza.
Diku aty ku flet se sa bukur ulej e ngihej para kameras Ndreka, duhet të sqarosh, apo të saktësosh se regjisori i krijon mizanskenat, e jo aktori. Por mjeshtria e aktorit është që të arrij ti ekzekutojë natyrshëm.
Luigj, të lumtë!
Si puna e ime shumë kush mund të të jap mend. Po ti pyet njëqind vetë e ban si të dish vetë. Edhe një herë të lumtë.
Me konsideratë
Rikardi.
***
Këtu me poshtë po bëj disa shtesa që më shtynë për ta botuar këtë letër:
Diku aty më sipër them se profesioni aktorit i mund të krijoj infarkte: Kam lexuar, (tashti nuk e mbaj mend se ku e kur) se infarktet në shumicën e rasteve në disa profesione mund të quhen edhe sëmundje nga konseguanca profesionale.
Shembull: Mjeku dentist i shkakton dhimbje pacientit gjatë kurimit. Meqenëse distanca e fytyrës së mjekut është shumë e shkurtë, domethënë 20-25 cm. nga fytyra e pacientit që ngërdheshet nga çdo dhimbje, dhimbja e pacientit transmetohet tek mjeku, por ai nuk ndjen, ama çdo dhimbje e pacientit regjistrohet në subkortekstin e mjekut. Duke marr për bazë: “shndrimet sasiore shndërrohen në cilësore”, vjen një ditë kur “ena që mban dhimbjet” nuk mban më dhe “pëlcet” sepse sasia e dhimbjeve që pacientët gjatë viteve i kanë transmetuar subkortekstit të mjekut ndërron cilësinë. Keshtu edhe mjeku ne nje fare meny “pelcet”.
Shfaqja fillon në orën 19. Aktori e di p.sh. se në “x” moment do të hapet dera, do të hyj “y” personazh dhe do ti thotë se, p.sh.: Të vdiq babai.
Kur ndodh e njëjta gjë në jetë, njeriu befasohet nga fjala që nëpërmjet veshit shkon në tru, dhe ndodh që i gjithë organizmi pëson një goditje.
Në një rast zemra shpeshton rrahjet dhe njeriu skuqet, djersinë etj. et. Në një rast tjetër zemra i ngadalëson rrahjet dhe njeriu zverdhet dhe mund ti bjerë edhe të fikët.
Kurse në teatër aktori duhet të sforcohet me vetëdije që të arrije të njëjtin efekt siç ndodh në jetë që të bëhet i besueshëm. (Sepse Unë nuk jam, Unë jam Ai). Në të kundërt, asnjë në sallë nuk e beson.
Ky sforcim anatyral që përsëritet e përsëritet me vite, sigurisht që do të lejë pasoja në shëndetin mendor e fizik të aktorit. Si ne rastin e mjekut, apo edhe me keq.
Aktori në teatër sidoqoftë e përjeton gradualisht intensitetin dramaturgjik gjatë dy orëve.
Kurse aktori i kinemasë duhet të arrij të njëjtin kulminacion në pak çaste, sepse sekuencat dramaturgjike në kinema nuk xhirohen sipas radhës. Kështu që goditjet psikike, fizike e kimike që ndodhin në organizmin aktorit të kinemasë sigurisht janë më të mëdha, e edhe konsekuencat janë shkatërruese.
Por ka edhe aktor me të dhëna tepër të veçanta psikike që bëhen të besueshëm deri në ekstrem pa pikë sforcimi.
“Unë bëhet Ai”, thjeshte teknikisht.
Këta lloj aktoresh arrijnë një perfeksion teknik: Qajnë, qeshin, kanë frikë, dashurojnë, urrejnë… dhe janë kaq të besueshëm sa edhe ti në sallë qanë, qeshe, ke frikë dhe dridhesh, dashuron fort, urren me gjithë forcën e shpirtit… dhe janë akull. Nuk kanë kurrfarë sforcoje. Lodhen veten nga ana fizike se janë të detyruar të veprojnë në skenë për dy a ma shumë orë.
Vetëm kaq.
Po këta janë të radhë. Siç janë të radhë edhe ata aktor të tipit të parë.
Të tjerët, ata që bëjnë sikur besojnë, që bëjnë sikur interpretojnë, ata që shtiren pra, janë të pabesueshëm të pa vërtetë ose me saktë, i kanë dalë zot kot këtij zanati, po ambicia për të qene i përvetshëm i ka bërë të bëhen karnavale, palaço, dhe fatkeqësia është se nuk e besojnë, po u duket vetja yje dhe gjithë fajin që nuk i pëlqejnë e kanë dashakeqësit, ata që i kanë inat ose ndoshta që duan ti zënë vendin etj. etj. dhe transformohen si karakter: bëhen cinik, intrigant, keqdashës, llapazan e llapaqen, bëjnë letra, shpesh anonime, por edhe me emër, për të thëne se unë jam i ndershëm, dua drejtësinë, nderin, jam kundër intrigave… e kush? Ata vetë, intrigantët e paaftë që duan me çdo mënyrë të jenë të parët, sidomos duke fundos të aftit.
Histori e vjetër e gjithë të paaftëve.
Ndoshta është rregull i natyrës.
Si egjra me grurin.
Pra dëshira për të qenë “një”-shi, i kalon caqet logjike, këta soj individësh i përshkon një afsh i pavetëdijshëm që i ua merr mendjen.
Jo vetëm teatri të bën njeri publik, që të duartrokasin; ka edhe njëqind fusha të tjera të jetës ku kërkohet me ngulm që të “jesh i pari”. Si politika, të shkruarit… etj.etj.
Por fusha e artit të bën të jesh i dëshiruar se ka të bëje me emocionet që trazmetohen, dhe emocionet prekin sferën e ndjenjave.
Ngjarjet e fuqishme, me kthesa të forta (ashtu si në jetë, dhe në teatër) seç bëjnë me ngarkesat mikroelektrike dhe me kiminë e trurit dhe janë të pashlyeshme, lenë gjurmë të forta në pavetëdije. Në kujtesën emotive.
E këto ndenja i trazmeton aktori.
Kaq e fuqishme dhe e vërtet është ambicia dhe dëshira për të qenë në qendër të vëmendjes, në fushën e artit, pra për të qenë aktor, njeri i duartrokitur dhe i dëshiruar nga të gjithë, sa i kalon të gjithë caqet dhe konceptet logjike.
Arrin deri në çmenduri.
Shembulli klasik është perandori Neron.
Nuk i mjaftonte që ishte perandor, që ishte i plotfuqishëm, që me lëvizjen e gishtit të madh, poliçes, ishte e lidhur jeta o vdekja e kujtdo në perandorinë romake… që zotëronte gjysmën e botës…
Nuk i mjaftonte.
Donte të duartrokitej si artist.
… Dhe dilte në mes të arenës me lirë në dorë, këndonte dhe priste ta duartrokasin.
Tjetër problem: Në sallën e provave tavolinat janë vendosur në formë të nenhekurit të kalit. Në ballë ulet regjisori, të tjerët për rreth. Rolet janë ndarë. Dita e parë: thjeshte lexohet teksti. Njeri Hamletin, tjetri mbretin, tjetra Gertruden, tjetra Ofelin, tjetri Platonin, tjetri fantazmen e mbretit etj.etj.
Lexohet.
Gjithsecili lexon personazhin që i është caktuar të interpretoje.
Të nesërmen prapë.
Lexohet.
Lexohet e lexohet.
E lexohet pambarimisht një apo dy muaj çdo ditë.
Pastaj kur sytë janë ngritur nga teksti që nga përsëritja e leximit të përditshëm ka fillue e mbahet mend, vjen koha që të dilet në skenë.
Fillojnë provat në skenë.
E njëjta gjë.
Secili aktor përsërit vetëm tekstin e rolit te tij.
E kjo punë çdo ditë, paradreke e mbas dreke.
Një ose dy muaj.
Secili të njëjtin tekst. Vetëm atë të rolit të tij.
Të rolit të tij.
Të rolit të tij.
Pambarimisht të rolit të tij.
Lodhja është shumë e madhe, dhe demi njëkohësisht shumë i madh.
Po aktori thellë në nënndërgjegje dhe në pavetëdije, pret premierën dhe sakrifikon me shumë dëshire dhe pasion.
Pastaj vjen premiera.
Salla është plot.
Aktoret jenë gjithë emocion e ankth mbas kuintave.
Hapet sipari dhe shfaqja fillon.

Shfaqja mbaron.
Sipari bie, ndërkohë në sallë janë ngritur në këmbë dhe duartrokasin.
Fort.
Nuk pushojnë.
Sipari prapë hapet dhe aktoret sipas rendësis së rolit që kanë interpretuar, përshëndesin spektatoret që ende vazhdojnë të duartrokasin me entuziazëm.
Aktorët janë shumë të lodhur, po nuk e ndjejnë, sepse lodhjen e mbyt suksesi. Ata tashti janë në qendër të vëmendjes.
Janë heroj.
Këtu e ka zanafillën deliri i madhështisë që mund ta quaj ndryshe edhe “Morbus Aplausi”.
Aktori, pavetëdije fillon e identifikon veten me personazhin që ka interpretuar me shumë sukses. Sepse e ka brenda vetes.
“Unë nuk jam unë, unë jam Ai”.
Paradreke.
Mbasdreke.
Paradreke.
Mbasdreke.
Muaj të tërë në prova.
Pastaj shfaqje, shfaqje, shfaqje..
Dhe pa dashtë në rrugë, në kafe, nganjëherë edhe në familje rrin’ e përsërit manjerat e personazhit. I janë bërë pjesë e tij, pa dijeninë e tij. Karakteri i personazhit vjedhurazi, tinëzisht i ka hy thellë brenda qenies.
Nuk është aspak faji i tij. Gjithë fajin e ka ky mut profesioni që të deformon karakterin.
Aktori tani është “AI”, nuk është më Unë. Ose është një hibrid mes Uni-t dhe Atij.Dhe fyhet në qoftë se dikush nuk ia liron rrugën, në qoftë se i presin fjalën…Duke lexuar vetëm tekstin e personazhit që interpreton me orë e orë, dit’ e dit’ të tana dhe jo gjithë veprën, ndodhë që në tru i ngulitet vetëm teksti që ka interpretuar, jo se nuk e ka dëgjuar gjithë veprën të lexuar e interpretuar nga kolegët, por është kaq e fuqishme ajo që ka lexuar e interpretuar me zë sa gjithë tekstin e veprës e sfumon ai tekst që i ka hy thellë në tru dhe i është bërë pjesë e qenies.
Fatkeqësisht kjo ndikon në kulturën e tyre. I len gjysmak. Të pa dijshëm. Pavarësisht se shiten si elita e kulturës, kjo sepse spektatori i adhuron dhe janë në qendër t vëmendjes.
Kaq i mjafton.
Sigurisht jo të gjithëve u ndodh keshtu.
Zakonisht aktorët që interpretojnë heroit janë të rrezikuar nga deliri i madhështisë, që unë e quajta “Morbus aplausi”

P.S.
E nisa këtë shkrim si një letër dërguar mikut tim për librin që i ka bjerr shumë kohë e mund por nuk ka mbrrit të botohet.
Në qoftë se ndonjë institucion që merret me dijet e me kulturën: si ministria, instituti i arteve, akademia e shkencave… e në fund të fundit edhe ndonjë dashamirës i Ndrekës e i kulturës shqiptare, në qoftë se i krijohet mundësia për të ndihmuar për botimin, do ja dinte për nder, teatri, letërsia… kultura shqiptare në përgjithësi.
Nuk bëhet fjalë për të ndihmuar e nderuar Luigjin.
Ndreka ka vdekë, nuk merr vesh se po e levdojnë.

(d.b/Milosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: