Loboi për Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve, zbuloi zonën arkeologjike të Trenit në Prespë, solli ndihma humanitare gjatë zisë së bukës më 1924. Figura e harruar e akademikut, antropologut dhe arkeologut zviceran Eugene Pittard u soll sot në vëmendje në një aktivitet, që solli të plotë përmasat e tij intelektuale, shkencore dhe humanitare. Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber vlerësoi lidhjen mes dy vendeve përmes tij.

“Sot festojmë jetën dhe veprën e një intelektuali zviceran, kontributet e të cilit për Shqipërinë, kanë lënë një gjurmë të dukshme në historinë e dy vendeve tona. Ai është pa dyshim një trashëgimi e vërtetë zvicerano-shqiptare. Ai u bë zëdhënës ndërkombëtar i Shqipërisë në një moment delikat. Pittard kontribuoi fuqishëm për të drejtat e vendit, për sovranitetin, dhe luajti një rol viytal në pranimin e Shqiëprisë në Lidhjen e Kombeve”, tha Huber.

Studiuesi Luan Rama, vërejti në fjalën e tij, pikërisht shumansinë e figurës së Pittard dhe gruas së tij Helene Pittard, me të cilën erdhën në Shqipëri dhe takuan figurat më të njohura politike e kulturore të Shqipërisë së viteve 1920.

“Kanë ardhur në Shqipëri në një moment mjaft delikat. Misioni i tyre ishte politik, kulturor, arkoelogjik e antropologjik”, tha Rama, për zviceranin që themeloi Kryqin e Kuq Shqiptar.

Kudret Isaj, autor i një studimi për lidhjen e Pittard me Shqipërinë, tregoi marrëdhënien e Pittard me presidentin Amerikan Woodrow Wilson, duke ndihmuar për fatet e Shqipërisë.

Shteti shqiptar në atë kohë e emëroi Prof. Eugène Pittard Konsull të Përgjithshëm Nderi në Gjenevë. Botimi i një libri në shqip dhe në frëngjisht do të mundësojë njohjen më të gjerë të historisë së harruar të çiftit zviceran. Ngjarja synon zbulimin e kësaj figure të harruar, që bëri për Shqipërinë gjithë çfarë mundi në një kohë që vendit i rrezikohej e ardhmja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: