TIRANE- Kombëtarja shqiptare bën histori duke u kualifikuar në kampionatin europian. Djemtë e De Biasit janë pritur me nderime dhe entuziazëm në aroportin “Nënë Tereza”, ku vetë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e MAS, Lindita Nikolla dolën për ti pritur. Përqafime dhe buqeta me lule, foto dhe gëzim mes ngjyrave kuqezi. Qindra tifozë kuqezinj e presin në aeroport, ndërsa mijëra të tjerë janë grumbulluar në sheshin “Nënë Tereza”, për të vijuar më fuqishëm festën e nisur pasditen e djeshme, festë e ligjshme pasi kuqezinjtë i dhanë krahë ëndrrës europiane. Mbërritja e tyre ishte parashikuar për në orën 13:00, por moti i keq është bërë shkak për shtyrjen e fluturimit me 1 orë e 30 minuta.

Me të përfunduar ndeshja, futbollistët shqiptarë e nisën festën që në Armeni. Ata kanë postuar foto, ndërsa të gjithë bashkë kanë bërë shqiponjën me duar. Të shumtë ishin shqiptarët që shkuan në Paris duke hedhur valle poshtë kullës Eiffel. Motoja “Me plis për Paris” tani është realizuar.

Shqiptarët festuan kudo ku jetonin, sheshet e qyteteve kryesore të Europës dhe Botës u mbushën me makina të mbuluara nga flamuri kuq e zi, e kënga “O sa mirë me qenë shqiptar” u dëgjua gjatë.

KUQEZINJTË MBËRRIJNË NË HOTEL TIRANA, PRITEN NGA QINDRA TIFOZË
Në orën 19:14, kuqezinjtë kanë mbërritur në hotel Tirana të pritur nga qindra tifozë që i kanë shoqëruar gjatë gjithë kohës pas mbërritjes në Rinas.

FESTË NË “NËNË TEREZA”, KUQEZINJTË KËNDOJNË ME MIJËRA SHQIPTARË NË SHESH
E paduruar ka qenë turma në sheshin “Nënë Tereza”, e cila me thirrje e këngë ka pritur djemtë e Kombëtares. Ceremonia këtu ka qenë jashtë çdo protokolli, dhe festa ka qenë e njëjtë si në podium ashtu edhe në shesh, ku futbollistët tanë kanë lëshuar thirrje e kanë kënduar bashkë me mijëra shqiptarë.

Cana: Ne jemi të lumtur e krenarë kur ju jeni krenarë për ne. Për të rinjtë për të vjetrit, për veriun jugun, myslimanët katolikët, urime e rroftë Shqipëria!
De Biasi: Kuq e zi je ti.
Cikalleshi: Jeni të mrekullueshëm! Para Shqipëria!
Berisha: Jemi motivi kryesor për gjithçka kemi arritur deri tani, shihemi në Francë.

KUQEZINJTË NË PRESIDENCË, MARRIN DEKORATËN “NDERI I KOMBIT”
Pas ceremonisë në Kryeministri, ekipi i Kombëtares, trajneri, Presidenti Duka dhe stafi i janë drejtuar Presidencës, ku janë pritur nga Kreu i Shtetit, Bujar Nishani dhe kanë marrë dekoratën “Nderi i Kombit”.

RAMA MEDALJE MIRENJOHJE PER EKIPIN, DE BIASIN DHE DUKEN
Kryeministri Edi Rama ka shprehur gjithë emocionet në pritjen që u ka bërë Kuqezinjve në Kryeministri duke i falënderuar për kualifikimin e Shqipërisë. Ai i ka dhuruar kapitenit të Kombëtares medalje mirënjohje, ndërsa i ka premtuar një pllakë të artë me emrat e tyre dhe një stadium madhështor në Kryeqytet. Medalje mirënjohje Rama i ka dhënë edhe trajnerit, De Biasi dhe Presidentit të FSHF-së, Armand Duka.

EKIPI MBERRIN NE KRYEMINISTRI
ORA 15:20-Ekipi i Kombëtares mbërrin në kryeqytet nën thirrjet e mijëra tifozëve që kanë dale ti presin nga sheshi ‘Skënderbej’ e deri tek ‘Bulevardi Dëshmorët e Kombit’. Autobusi ndali tek kryeministria ku u këndua himni kombëtar dhe me pas Kombëtarja hyri në Kryeministri ku u prit nga kryeministri Edi Rama.

RAMA NE AUTOBUS ME KUQEZINJTE
Ora 15:10-Kryeministri Edi Rama ulet ne vend te pare ne autobus bashke me trajnerin Xhani de Biasi. Autobusi do të mbërrijë në Tiranë dhe fillimisht do të ndalë tek kryeministria ku do të zhvillohet një ceremoni nga stafi i qeverisë.

Ora 15:05-Autobusi niset nga Rinasi ne Tirane por nuk ndal te pershendese tifozat qe e prisnin jashte Rinasit.

HERONJTË E KOMBËTARES PRITEN ME NDERIME NË AEROPORT, RAMA I PRET TEK SHKALLET E AVIONIT
Ora 15:03- Trajneri i Kombëtares, Xhani De Biasi dhe Presidenti i FSHF-së, Armando Duka ishin të parët që zbritën nga avioni në aeroportin “Nënë Tereza”. Ata mbanin në duar një flamur kuqezi ndërsa vinin triumfues në tokën e tyre. Pas tyre zbritën një e nga një të gjithë futbollistët. Ata takuan kryeministrin Rama e qeveritarë të tjerë, që i prisnin për ti nderuar për të vijuar më pas takimin me tifozët

MBËRRIN NË RINAS AVIONI ME KOMBËTAREN SHQIPTARE
Ora 14:30 Avioni që transporton kombëtaren Shqiptare ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza”, ndërkohë që qindra tifozë pritet të takohen me heronjtë e tyre. Mijëra të tjerë po i presin në sheshin “Nënë Tereza” për të vijuar festën e ligjshme.

EKIPI I FUTBOLLIT PRITET TË ZBRESË NË RINAS RRETH ORËS 14:30
Ora 12:40- Edhe pse mezi priten nga tifozeria shqiptare, ekipi i futbollistëve shqiptarë do të mbërrijë me vonesë. Ekipi pritej të mbërrinte në orën 12:30, por njoftohet se është nisur me vonesë. Ekipi i futbollit pritet të zbresë në Rinas rreth orës 14:30, ndërkohë që pritet të shtyhen edhe ceremonitë zyrtare në Tiranë.

rinas pritet kombetarja

RAMA: T’I PRESIM KUQ E ZI
Ora 11:44- Kryeministri Edi Rama ka ftuar sot qytetarët shqiptarë të bëhen pjesë e festës për pritjen e skuadrës kombëtare, e cila me fitoren 3 me zero në Armeni siguroi kualifikimin për në kampionatin Europian 2016 që do të zhvillohet në Francë.

“Heronjtë e Kombëtares zbresin sot në Rinas në orën 12.40 … Autobusi i Kombëtares mbërrin në Kryeministri rreth orës 13.30… Kombëtarja ndalet tek Sheshi “Nënë Tereza” rreth orës 14.30…Le t’u dhurojmë mikpritjen e merituar me diçka kuqezi në trup apo në duar”.

HERONJTE E KOMBETARES NISEN DREJT SHQIPERISE
Ora 10:00- Kombëtarja shqiptare pas arritjes së një rezultati historik kthehet në Atdhe. Futbollistët e kombëtares janë nisur sot rreth orës 09:45 nga aeroporti i Jerevanit në drejtim të Tiranës. Ata pritet të mbërrijnë rreth orës 13:00 në aeroportin “Nënë Tereza”.

MAVRAJ: EMOCIONE TE VECANTA
Në një lidhje telefonike për News24, Mërgim Mavraj tha se synimi i gjithë futbollistëve pas humbjes me Serbinë ishte pikërisht kjo fitore.

“Nuk përshkruhen emocionet. Ishin të veçanta këto emocione. Më vjen keq që nuk jam afër skuadrës dhe që nuk jam në Tiranë për të shijuar këtë fitore. E prisnim këtë fitore. Pas humbjes me Serbinë e kishim të gjithë këtë synim”, tha Mavraj.

(d.b/ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: