Kampionati evropian Gjermani 2024 ka hyrë në fazën e tij më të nxehtë e padyshim më interesante. Kemi njohur 8 skuadrat më të mira të kontinentit, që do të luftojnë deri në fund me njëra-tjetrën për të shkuar në finalen e madhe të Berlinit, më 14 Korrik. Po cilat ishin surprizat, çfarë të rejash solli faza e 1/8 si dhe cilët janë aktualisht kandidatët për të ngritur trofeun?
Faza e 1/8 të finaleve të Euro 2024, nuk solli ndonjë surprisë, përveç eleminimit të Italisë ndaj Zvicerës. Një eleminim që mund të konsiderohej edhe i pritur, për atë se çfarë kishin dhënë “azzurrët” deri në atë fazë. Një ekip që edhe ndaj Zvicerës luajti shumë keq duke e merituar eleminimin. Pjesa tjetër shkoi e gjitha sipas parashikimit, me kombëtaret e mëdha, që i’a dolën të siguronin një biletë për në fazën çerekfinale. Kështu Gjermania, Spanja, Anglia, Portugalia dhe Holanda u kualifikuan, megjithatë jo të gjitha këto skuadra lane “shije” pozitive me lojën e zhvilluar.

Kështu Spanja, Gjermania dhe Holanda ishin skuadrat që bindën më shumë në lojë, por shumë specialistë të futbollit janë të mendimit se kundërshtarët që kishin përballë në këtë fazë nuk ishin në lartësinë e duhur. Ndaj është momenti që këto skuadra të konfirmojnë forcën e tyre në çerekfinale, ku sigurisht Spanja dhe Gjermania do duhet të “përplasin” brirët me njëra tjetrën.
Anglia dhe Portugalia ishin ekipet që vuajtën më shumë. Të dyja skaudrave nuk u mjaftoi koha e rregullt për të siguruar kualifikimin, me anglezët që fituan në kohën shtesë, ndërsa portugezët i’u falën “ruletës ruse” të penalltive. Meritë e kundërshtarëve të tyre Sllovakisë dhe Sllvoenisë, apo dobësia e këtyre kombëtareve, të cilat janë edhe pretendente për të shkuar deri në fund në këtë evropian? Faza çerekfinale mund të na jape përgjigje.

Në fund, por jo për nga rëndësia Turqia, një skuadër luftarake, me grintë, e cila jep gjithçka në fushën e lojës. “Viktima” e rradhës e tyre ishte Austria, një prej skuadrave më simpatike deri tani në evropian, gjë e cila rrit ndjeshëm edhe kuotat për vazhdimësinë te kjo skuadër. Gjithsesi diçka është e sigurtë, të 8 skuadrat që kanë mbërritur deri në këtë fazë e kanë merituar plotësisht dhe janë të denja për të na dhuruar një fund kampionati të bukur dhe të paparashikueshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb