Dy sfidat e fundit të Grupit B, në të cilën bënë pjesë edhe Shqipëria, do të jenë Shqipëri-Spanjë dhe Itali-Kroaci. Vëmendja e publikut tonë do të jetë absolutisht e fokusuar tek sfida e së hënës në mbrëmje në Dusseldorf, aty ku kuqezinjtë tanë do të shpresojnë të bëjnë mrekullinë përballë “La Roja-s”. Por kujdes, një “sy”, duhet ta mbajmë edhe nga ndeshja tjetër Itali-Kroaci. Kjo për arsye sepse rezultati i kësaj përballje influencon drejtëpërdrejtë në llogaritë përfundimtare të grupit tonë.

Italia ndodhet në kuotën e 3 pikëve, në vendin e dytë në grup, ndërsa Kroacia në vendin e fundit me 1 pikë, po aq sa edhe kombëtarja jonë.
Italia për të siguruar kualifikimin do t’i duhet të mos mundet përballë skuadrës së Daliç. Nëse “azzurrët” fitojnë, kombëtarja jonë do të siguronte vendin e tretë edhe në rast të një humbjeje, sigurisht nëse humbja s’do të kishte përmasa të mëdha, që do të bënte që golavarazhi ynë të ishte më u dobët se ai i kombëtares kroate. Gjithashtu në rast të një mrekullie të kombëtares tonë, padyshim sfida tjetër e këtij grupi do të kishte një rol përcaktues lidhur me shanset tona për kualifikimin në fazën tjetër.

Spalletti duket se do të ndryshojë shumë në krahasim me dy sfidat e kaluara. Kështu pritet që të ketë ndryshime në çdo repart. Në mbrojtje pritet që tekniku I “azzurrëve” t’i besojë eksperiencës së Darmian në vend të Di Lorenzos. Barella në mesfushë mund të luajë përpara mbrojtes dhe ndërkohë Cristante t’i marrë vendin Jorginhos, I cili u duk në vështirësi, përgjatë gjithë ndeshjes ndaj Spanjës, ndërsa në sulm me shumë gjasa do të shohim nga minuta e pare Reteguin, në vend të Scamaccës.

Sfida ndaj Kroacisë do të jetë deçizive për “azzurrët”, kampionë në fuqi, pasi në rast dështimi do të rrezikonin avancimin më tej në Euro 2024.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: