Kryeredaktori i sportit në News 24, Erion Shkambi, i ftuar në emisionin Kjo javë, foli për Europianin e vitit 2024.
Shkëmbi tha se raportimi për Kombëtaren është një përgjegjësi e madhe, duke shtuar se interesi për futbollin tek shqiptarët është tepër i lartë.
Erion Shkëmbi: Qytetarët janë të interesuar për sportin, kemi krijuar lexues besnikë. Ne si media, News 24, ku përfshihen emisione, titrat dhe Balkanweb kemi ndjekur Kombëtaren në çdo ndeshje, në detaje dhe kjo nuk është e lehtë, kërkon angazhim më të madh. Raportimi për Kombëtaren kërkon përgjegjësi të madhe. Shqiptarët në Euro 2024, si rrallë herë, nuk kanë qenë vetëm me kombëtaret e mëdha, por bënë tifo edhe për kombëtaren e tyre, ngjyrat kuq e zi. Futbolli, përpos talentit e eksperiencës, kërkon edhe shumë fat.
Nëse krahasojmë Shqipërinë e 2016 dhe atë të 2024, kujtojmë se Shqipëria përpara 8 vitesh mori 3 pikë, ndërsa tani morëm 1 pikë. Mirëpo, këtë vit kishim në grup ekipe shumë të forta. Silvinho ndërtoi një ekip me talente, por tifozët prisnin më tepër. Pasi pamë Gjeorgjinë që shkoi larg dhe kombëtare të tjera, të gjithë themi se përse nuk arritëm të shkojmë kaq larg. Lojtarët e Shqipërisë e pritën mirë Kampionatin Europian, pasi Euro 2024 ishte dhe një vitrinë. Armando Sadiku edhe kur prezantohet në ekipe, prezantohet me golin që bëri në Europian. Elseid Hysaj nuk kishte pse të lincohej kaq shumë. Sa i përket trajnerit Silvinhos, ai arriti për pak kohë të krijojë harmoni, është selektor shumë i mirë. Silvinho iu gjeti lojtarëve pozicionin e duhur dhe lojtarët të gjithë e vlerësojnë, është bërë fiks shqiptar. Franca për mendimin tim ishte ekipi më zhgënjyes në Europian.
(Balkanweb)