Trajneri i Kombëtares shqiptare U-21, Alban Bushi doli këtë të enjte në një konferencë për mediat, në kuadër të ndeshjes kualifikuese të “EURO Sllovaki 2025”, ndaj Zvicrës (6 shtator, ora 19:30). Trajneri i kuqezinjve nën 21 vjeçarë komentoi listën e 23 lojtarëve të grumbulluar për këtë takim, dhe tha se është shumë i kënaqur pasi të gjithë lojtarët e ftuar gëzojnë formë të mirë fizike.
Alban Bushi u shpreh se ndeshja ndaj Zvicrës është si një finale, pasi është mundësia e fundit për të shpresuar te kualifikimi, ndërsa shtoi se është i kënaqur që lojtarët e rinj po aktivizohen në kampionatin shqiptar.
Si është gjendja e lojtarëve të grumbulluar? – Jemi munduar të marrim lojtarët që janë më në formë për momentin. Mendoj që kanë bërë shumë mirë në klubet e tyre dhe kanë shumë minuta, sepse ka pasur momente jo shumë të mira për disa nga lojtarët që tani kanë më shumë minuta. Ndeshja me Zvicrën është një finale për ne, sepse matematika na e lejon që të jemi brenda objektivave dhe do të shkojmë për të fituar. Ekipi është në gjendje shumë të mirë fizike, kemi marrë disa lojtarë të rinj që t’i kemi edhe për sezonin tjetër. Do të doja t’i falënderoja disa lotjarë si Kurtulan, Nikaj, Frroku, Lilo që nuk janë më pjesë e këtij grupi për këtë datëlindje 2002-2003 sepse muajin tjetër kemi edhe një ndeshje të fundit dhe do të fillojmë me datëlindjet e tjera.
Ndeshja me Zvicrën, a synon ende Shqipëria kualifikimin? – Ne e njohim shumë mirë skuadrën e Zvicrës, është një kundërshtarë shumë i fortë dhe ka nivel shumë të lartë. Ka potencial në ekip, por ne kemi një pamje shumë të qartë sepse kemi luajtur ndeshjen e parë në stadiumin “Air Albania”, na kanë mundur 3-1 me tre goditje standarte. Kishin më shumë zotërim topi se ne në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë ne ishim më mirë se ata, edhe në qarkullimin e topin edhe në rastet për të bërë gol. Patëm disa mundësi për ta barazuar rezultatin, si në pjesën e parë po ashtu edhe në të dytën. Une mëndoj që ne i kemi të gjitha shanset për të marrë rezultat pozitiv në Zvicër, nuk kemi asnjë lloj presioni. Matematikisht jemi brenda objektivave, kemi edhe dy ndeshje, ndërsa Zvicra katër. Të shpresojmë deri në fund pasi asnjëherë nuk i dihet në futboll. I kemi të gjitha shanset për ta mundur Zvicrën, ata kanë presion sepse kërkojnë vendin e parë dhe kanë Rumaninë afër tyre. Presioni është te ata dhe jo te ne.
Kohët e fundit po ftohen shumë lojtarë nga kampionati shqiptar, ka pasur ndonjë futbollist që ka refuzuar Shqipërinë U-21? – Jo nuk kemi pasur asnjë lojtar që na ka refuzuar për të veshur fanellën e Kombëtares, çdo lojtar duhet të jetë krenarë. Ne jemi munduar të marrim lojtarët më të mirë, nga kampionati shqiptar nuk jam shumë i kënaqur përsa i përket aktivizimit të të rinjve. Por këtë sezon sikur ka filluar dhe po shohim pak të rinj që po luajnë. Ekipi i Vllaznisë ka aktivizuar Dodajn datëlindja 2005, lojtar shumë i mirë dhe i perspektivës. Shpresoj të vazhdojë kështu si e ka nisur. Ka disa lotjarë të rinj që po aktivizohen në kampionatin shqiptar dhe klubet duhet t’i aktivizojnë sepse mund të përfitojnë nga këta në të ardhmen.
Nga të gjitha ndeshjet e kaluara, a ke ndonjë peng, sidomos nga dy ndeshjet e fundit? -Po, po diskutoja dhe pak më parë me drejtorin, sepse ne sot duhet të kishim 15 pikë. Pengu është që nuk fituam me Finlandën, duhet ta fitonim atë ndeshje edhe me Malin e Zi para dy muajsh, që nuk e fituam. Ishim gjatë gjithë 90 minutave favoritë. Pra, sot do të kishim 15 pikë. Këto dy ndeshje na kanë penalizuar shumë, nuk po flas për ndeshjet e tjera, sepse kemi luajtur keq dhe nuk e kemi merituar fitoren, siç ka qenë ajo në Finlandë dhe Rumani. Por këto dy ndeshje duhet t’i kishim fituar dhe sot nëse do të kishim 15 pikë do flisnim ndryshe. E kuptojnë edhe lojtarët që nëse do të kishim këto 5 pikë, do të ishim shumë afër kualifikimit, ndaj s’duhet ta ulim kokën ndaj këtyre kundërshtarëve kaq të mëdhenj, pasi diferencat janë kaq të vogla. Sot mund të kishim 15 pikë, jemi me 10 pikë, por mund t’i kemi pas kësaj jave, mund të shkojmë në 13 pikë pas kësaj ndeshje dhe pastaj kemi ndeshjen me Armeninë këtu dhe shpresojmë të gabojë Zvicra. Mendoj se jemi mirë deri tani, sepse kemi luajtur mirë, u kemi dhënë tifozëve emocion, sidomos në ndeshjen me Rumaninë. Kanë qenë ndeshje interesante, por ka pasur vend për korrigjime, për përmirësime. Une them gjithmonë që këta janë lojtarë të rinj, të vegjël, çdo minutë e tyre e luajtur është eskperiencë për të shkuar të ekipi A. Jo më kot Medon Berisha, një lojtar me shumë potencial tashmë është te ekipi A, por shumë shpejt edhe disa prej këtyre që janë me ne sot, do të jenë pjesë e Kombëtares A në sezonet e ardhshme.
A e ka Federata Shqiptare e Futbollit një strategji apo nëse nuk e ka, a mendon se duhet të ngrejë një strategji për këta lojtarë që shkëlqejnë në kampionatin shqiptar, që klubet t’i aktivizojnë rregullisht? -Do ishte mirë që të kishim lojtarë, si dikur që një 17-18 vjeçar luante në klube. Këto janë strategjitë e federatës, unë mendoj se ka bërë strategji të mira. Përshembull shumë shpejt lojtarët e datëlindjes 2012-2013 në kuadër të një projekti të ri do të grumbullohen për një vit, do të trajnohen në federatë dhe do të luajnë në fundjavë me klubet e tyre, kjo është diçka shumë e mirë. Ndërsa, përsa i përket asaj që të rinjtë të luajnë në ekipet e tyre, nuk e ka në dorë federate, sepse klubet janë private dhe nuk i ndërhyn dot klubit që të luajë lojtari i ri. Federata e Maqedonisë së Veriut e ka që duhet të luajë një nga U-19, të jetë në formacion patjetër. Do ishte diçka e mirë, mbase në të ardhmen bëhet.