Gola dhe spektakël në raundin e parë të Uefa Europa League. Edhe ky kompeticion erdhi me ndryshimin e strukturës këtë vit, njësoj si edhe Champion League.
Ra në sy fitorja e pastër e Lazios, me bardhekaltrit e Baronit që triumfuan në transfertë ndaj Dinamos së Kievit me rezultatin 0-3. Sfida u zhvillua në Volksparkstadion të Hamburgut. Protagonist kryesor për kryeqytetasit ishte Dia me një dopietë, sulmuesi senegalez e ka nisur në mënyrë fantastike sezonin me fanellën e lacialëve, duke qenë përcaktues edhe në Serie A. Golin tjetër e realizoi mesfushori Dele-Bashiru, me Lazion që i mbylli llogaritë që në pjesën e parë.
Fitore shumë të rëndësishme mori edhe Gallatasarai, teksa në Stambolli i’u imponua grekëve të Paok me rezultatin 3-1. Të 4 golat u fiksuan në pjesën e dytë teksa golit të epërsisë së vendasve me anë të autogolit të Baba, i’u përgjigj Konstantelias për Paok në minutën e 67. Megjithatë për të prishur ekuilibrat mendoi Akgun i cili realizoi 15 minuta nga fundi. Në fund kishte festë edhe për sulmuesin argjentinas Mauro Icardi, i cili u aktivizua në këtë sfidë si zëvendësues, teksa realizoi golin e 3-të për vendasit në kohën shtesë.
Humbje surprizuese për Porton, me ekipin portugez që doli e mundur nga Norvegjia e largët me rezultatin 3-2, në sfidën ndaj kampionëve të Bodo Glimt. Pavarësisht se Porto e nisi shumë mirë sfidën pas golit të epërsisë me Omordion pas vetëm 8 minutash lojë, vendasit treguan forcën e tyre sidomos kur luajnë në shtëpi, teksa përmbysën shifrat me 3 gola. Në pjesën e dytë megjithëe ekipi norvegjez luajti me 10 futbollistë, pas daljes nga loja me kartonin e dytë të verdhë nga ana e futbollistit Maatta, sërish miqtë e patën shumë të vështirë të reagonin për të shmangur humbjen. Goli i shkurtimit të diferencave nga Gul në minutën e 90, nuk i shërbeu “Dragonjve”, të cilët dolën të mundur nga sfida e parë në Europa League.