Europa League mbylli ditën e sotme turin e tretë të fazës eliminatore, dhe pothuajse të gjitha ekipet ku aktivizohen lojtarë shqiptarë u eliminuan.

Kështu, Shahtjor Soligorsk i Elis Bakajt u dorëzua përballë Torinos, ndërsa edhe Sherifi i Liridon Latifit, pasi kaloi Partizanin, u ndal dhe u eliminua nga AIK. I vetmi që kaloi në fazën Play-Off, ishte Herdi Prenga, me ekipin e tij letonez të Rigës. Më poshtë, një përmbledhje e plotë e ekipeve të lojtarëve shqiptarë.

BAKAJ – Elis Bakaj nuk ia doli përballë një superfuqie si Torino. Pas humbjes së thellë 5-0 në takimin e parë, Shahtjor Soligorsk barazoi 1-1 në shtëpi ndaj torinezëve, dhe deri këtu ishte aventura europiane e ekipit bjellorus.

PRENGA – Mbrojtësi Herdi Prenga, e nisi si titullar takimin për Rigën, në fushën e Helsinkit. Ekipi letonez i shqiptarit, barazoi 2-2 në Finlandë, dhe pas barazimit 1-1 në takimin e parë, kalon në fazën play-off falë golave në fushën kundërshtare.

LATIFI – Pasi eliminoi Partizanin në turin e dytë, Sherifi i Tiraspolit barazoi 1-1 me AIK, ndërsa pas humbjes 2-1 në ndeshjen e parë, skualifikohet vetëm në turin e tretë. Latifi luajti për 90 minuta në këtë takim, por pa ndihmuar dot ekipin në një kualifikim të mundshëm.

QAKA – Kamer Qaka nuk ishte i disponueshëm për rumunët e Universitatea Kraiova, në transfertën greke ndaj AEK-ut të Athinës. Ekipi i shqiptarit barazoi 1-1, por gjithsesi humbja 2-0 në ndeshjen e parë, i la jashtë aventurës europiane.

BASHA –  Migjen Basha gjithashtu u eliminua nga Europa League. Arisi, pas humbjes 3-0 ndeshjen e parë ndaj Moldes, ia doli që të fitojë po 3-0 në shtëpi, në 90 minutat e rregullta, dhe e çoi ndeshjen në shtesë. Mesfushori shqiptar, e nisi takimin nga stoli, dhe vetëm në minutën e 104-t u fut në fushën e lojës, por vetëm 2 minuta më pas, ishin norvegjezët e Moldes që shënuan një gol, dhe ia dolën të kalojnë në play-off./Panoramasport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: