Duket se arritja legjislative më e spikatur e Bashkimit Europian në vitin 2024 ka qenë detyrimi që shishet plastike të kenë kapak të lidhur duke e bërë përdorimin e këtyre shisheve një përvojë shumë irrituese. “Kapaku i BE-së” është ilustrimi i përsosur i një institucioni që ka humbur sensin e qëllimit dhe të orientimit për shkak të ideologjisë që ka spostuar racionalitetin, duke çuar në rënie të pashmangshme.

A mund të zmbrapset batica?
Nëse Europa dëshiron të ndryshojë rënien e saj ekonomike, politike dhe ushtarake që është e vetëshkaktuar dhe të vazhdojë të ketë rëndësi në rendin e ri botëror që po shfaqet, i cili aktualisht po ecën me shpejtësi me ose pa përfshirjen e saj, ajo duhet të bëjë disa detyra me rëndësi jetike në vitin 2025.

1. LIDHUNI ME ADMINISTRATËN TRUMP
Të mos angazhohesh pro-aktivisht me pushtetin e ri në Uashington është bërë tashmë rrezikshmërisht vetë-disfatiste për BE-në, pavarësisht nëse dikush e pëlqen apo jo presidentin e ri të SHBA. Donald Trump që nga fitorja e tij decizive në zgjedhjet e 5 nëntorit, ka formuar me shpejtësi ekipin e tij të ardhshëm, ndërkohë që po përgatit një gamë masash me shtrirje të gjerë për t’u zbatuar brenda dhe jashtë vendit. Presidenti i zgjedhur po përdor çdo mundësi për t’i bërë të ditur vendit të tij dhe botës se cilat janë idetë dhe planet e tij. Nga kërcënimet për tarifa masive për mallrat e importuara deri tek biseda për marrjen e kontrollit dhe blerjen e territoreve strategjike si Kanali i Panamasë dhe Groenlanda, kartat që po luhen janë jokonvencionale dhe nganjëherë të egra. Nuk është çështja se do bëhen ato që thuhen. Presidenti i ardhshëm po krijon qëllimisht nervozizëm, sepse ai është mbi të gjitha një dealmaker që po sheh për oportunitete dhe po teston pozitat negociuese. Dealmaking e definon Donald J. Trumpin, siç mund të lexojë çdokush në faqen e parë të bestsellerit të tij ndërkombëtar të vitit 1987 “Trump – The Art of the Deal”.

“Nuk e bëj për pará. Unë kam mjaftueshëm pará, shumë më tepër se sa do të më nevojiten ndonjëherë. E bëj për ta bërë. Këto deals janë arti im. Njerëz të tjerë pikturojnë bukur në kanavacë ose shkruajnë poezi të mrekullueshme. Më pëlqen të bëj marrëveshje, mundësisht marrëveshje të mëdha. Kjo me jep eksitim e kënaqësi.” Në rreshtat e fundit të të njëjtit libër lexojmë: “Mos më keqkuptoni. Unë kam ndërmend të vazhdoj të bëj marrëveshje, marrëveshje të mëdha dhe gjatë gjithë kohës”.

Jeta e presidentit të ri si në biznes ashtu edhe në politikë është përcaktuar rreth marrëveshjeve. Nëse përpiqemi ta kuptojmë këtë, do të kuptojmë më mirë administratën e re amerikane dhe deklaratat, vendimet dhe politikat e saj.

Kur Trump kërcënon të vendosë tarifa për produktet kanadeze, meksikane dhe europiane ose thotë se do të donte të kishte Groenlandën për shkak të rëndësisë së saj strategjike, nuk ka gjasa që ai po kërcënon një luftë të zgjatur tregtare me Evropën ose pushtimin e territorit sovran danez (megjithëse ai ndoshta do të ishte i gatshëm ta bënte këtë nëse mendon se e kërkon interesi i Shteteve të Bashkuara). Ai më tepër po hedh një hap fillestar në procesin e negocimit të një lloj marrëveshjeje joshëse që ai parashikon. Në filozofinë e tij Amerika First Trump e sheh si detyrën e tij presidenciale që t’i sigurojë vendit të tij marrëveshje shumë më të mira nga sa ka aktualisht; qoftë në politikën e brendshme apo të jashtme dhe në çështjet ekonomike. Ai për shembull do të donte të kishte kushte më të mira për përdorimin e Kanalit të Panamasë nga anijet amerikane. Mund të ketë gjithashtu rezerva fitimprurëse të gazit dhe naftës në Groenlandë që kompanitë amerikane mund t’i shfrytëzojnë, përveç rëndësisë së dukshme strategjike-ushtarake në sfondin e një Kine gjithnjë e më të sigurt dhe të një Rusie tashmë agresive, të cilat janë tashmë aktive në atë rajon.

Mos harroni: Donald Trump kënaqet duke bërë marrëveshje të mëdha dhe ai tani dëshiron ta bëjë këtë edhe një herë në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse është i bindur se nga vendi i tij po përfitojnë veçanërisht aleatët e tij, partnerët tregtarë dhe organizatat ndërkombëtare; si për shembull OBSHja nga e cila ai ka të ngjarë të largojë përsëri SHBA-në pas marrjes së detyrës. Nuk do të jetë i vetmi organ ndërkombëtar i cenuar.

Refreni i përsëritur tani nga shumica e mediave tona, se presidenti i ri nuk kujdeset shumë për miqtë tradicionalë të SHBA-së dhe aleancën që ka ekzistuar me ta që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, si për shembull te kryeartikulli i revistës Economist të 21 dhjetorit, megjithatë ja fusin krejt kot.

Duke gjykuar nga njerëzit e nominuar në postet kyçe të kabinetit të politikës së jashtme dhe të sigurisë, duket se ka pak tregues për një largim nga aleanca perëndimore. Presidenti i ri nuk është as një përkrahës i fortë i kësaj aleance vendimtare dhe as një kundërshtar i saj.

Në prizmin e America First dhe të deal-making, Trump dhe administrata e tij do të njohin përfitimet aktuale dhe ato të mundshme që ShBA ka nga Aleanca perëndimore, si dhe dizavantazhet e saj më të vogla, dhe ata thjesht do të përpiqen të bëjnë një marrëveshje më të mirë. Administrata e re, për shembull, do të vazhdojë presionin maksimal, të filluar gjatë mandatit të parë të Trump, duke i detyruar aleatët në NATO dhe më gjerë të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë dhe ushtrinë në vend që t’i lerë ata të presupozojnë se ShBA gjithsesi do të kujdeset për të gjitha këto kur është e nevojshme.

Norma 2% e NATO-s është tashmë histori, siç njoftoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte në fjalimin e tij të 12 dhjetorit 2024. Së shpejti do të shkojë zyrtarisht në 3% dhe më pas ka të ngjarë në 4%, nëse jo 5%. Koreja e Jugut dhe Japonia do të duhet, gjithashtu, të kontribuojnë shumë më tepër në raportet e tyre të sigurisë me SHBA-në. Siç u diskutua më lart, ky presion do të ndihet edhe në frontin ekonomik, ku tarifat dhe kërcënimi i tyre janë kryesisht një mjet për t’i detyruar partnerët e saj tregtarë të blejnë më shumë mallra dhe shërbime amerikane, duke ulur kështu deficitin tregtar të Amerikës.

Pra, Europa – nëse dëshiron të qëndrojë e lirë dhe e begatë – duhet të merret aktivisht me administratën e re të SHBA-së në të gjitha fushat kryesore që kanë rëndësi: energjia, ekonomia dhe siguria. Çelësi: ofrojini presidentit të ri dhe ekipit të tij marrëveshje që shihen të jenë të mira për Shtetet e Bashkuara.

2. FUNDI I LUFTËS NË UKRAINË
Pavarësisht se çfarë do të konkludojnë historianët e ardhshëm në lidhje me shkakun e kësaj lufte të tmerrshme vëllavrasjeje në tokën evropiane, duket e qartë për të gjithë, përveç Kremlinit, se pas humbjes masive të jetës së një brezi të tërë të të rinjve ukrainas dhe rusë dhe më gjerë, çdo ditë gjakderdhjeje shtesë është një krim kundër njerëzimit. Elementi i vetëm pozitiv i këtij konflikti ka qenë guximi i jashtëzakonshëm dhe qëndrueshmëria e popullit ukrainas përballë një lufte që nuk e kërkuan.

Trump ka premtuar prej kohësh se do të negociojë përfundimin e kësaj lufte sapo të marrë detyrën, por së fundmi ai ka sinjalizuar se kjo mund të jetë më e ndërlikuar nga sa shpresohej fillimisht. E gjithë kjo tregon për një rrugë të vështirë përpara për t’i dhënë fund masakrës, veçanërisht kur marrim parasysh se një gjë është e sigurt: Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Trump do të duan të luajnë një rol sa më të vogël që të jetë e mundur në zbatimin e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë. Ndërsa Evropa duket pak e përgatitur ose e gatshme për ta bërë këtë, mbetet pyetja se si do të duket një mision i tillë për zbatimin e paqes? Për çdo vëzhgues të kujdesshëm të historisë duhet të jetë plotësisht e qartë se çdo marrëveshje e bërë me njerëz si Putini do të jetë e prirur të testohet vazhdimisht, të minohet dhe përfundimisht të injorohet.

Ne, gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se Rusia tani ka një ekonomi lufte dhe është e kyçur në atë gjendje deri të paktën në vitin 2029, duke treguar se një ndërprerje e luftimeve me Ukrainën do të përdoret vetëm për të rigrupuar ushtrinë ruse për aventura të tjera që mund të jetë p.sh. mbyllja e korridorit Suwalki, aktualisht një nga pikat më të rrezikuara të territorit të NATO-s në kufirin midis Polonisë dhe Lituanisë dhe i ngjeshur midis Bjellorusisë dhe Kaliningradit. Korridori Suwalki është e vetmja rrugë tokësore midis territorit të NATO-s dhe tre anëtarëve të saj baltikas Lituanisë, Estonisë dhe Letonisë. Do të ishte relativisht e lehtë për rusët ta pushtonin atë, ose të paktën të ndalonin trafikun tokësor të BE-së dhe NATO-s përmes saj. Do të ishte gjithashtu një incident i Nenit 5 që kërkon një përgjigje të NATO-s. Një incident i përsosur për Rusinë për të testuar vendosmërinë e aleancës.

Prandaj, megjithëse ka një nevojë shumë urgjente për një fund të shpejtë të masakrës në Ukrainë, ajo duhet të jetë një paqe vërtet e drejtë dhe e qëndrueshme. Megjithatë, perspektivat për qëndrueshmërinë e një marrëveshjeje të tillë paqeje janë të zymta dhe kërkojnë një angazhim afatgjatë dhe të fortë evropian për mbrojtjen dhe sigurinë e saj për të qenë përfundimisht i suksesshëm.

3. RINDËRTONI PARANDALIMIN E FUQISHËM USHTARAK
Vitet e kaluara dhe veçanërisht muajt e kaluar ne kemi vërejtur në Evropë një ndarje në rritje midis palëve pacifiste dhe luftënxitëse në debatin mbi luftën e Ukrainës dhe pasojat e saj për Evropën. Në përgjithësi, partia pacifiste pretendon se Rusia në thelb u provokua në një luftë nga Perëndimi dhe se lufta duhet të përfundojë me çdo kusht në dispozicion për të shmangur gjakderdhjen e mëtejshme. Pala luftënxitëse vepron sikur BE-ja është tashmë në luftë dhe se gjithçka duhet bërë derisa Rusia të mposhtet, edhe nëse kjo nënkupton impenjimin e plotë të ushtrive të vendeve të NATO-s në luftën në Ukrainë. Të dyja palët përdorin retorika rrezikshmërisht të thjeshtuar, duke mos konsideruar forcat e ndërlikuara historike dhe gjeopolitike që kërkojnë peshim të kujdesshëm, pozicionimin ushtarak dhe diplomaci të arsyeshme për të shmangur shpërthimin e një Lufte të Tretë Botërore.

Historianët do të duhet të vendosin në një fazë të mëvonshme se cila nga dy palët është më afër së vërtetës. Sot, në vend të kësaj, ne duhet të shohim së pari në faktet e vështira në terren. Më e rëndësishmja, përveç gjakderdhjes së papërshkrueshme dhe shkatërrimit të pakuptimtë, është të kuptojmë plotësisht se me kë kemi të bëjmë këtu dhe të veprojmë në përputhje me rrethanat. Kemi të bëjmë me një lider të Kremlinit, i cili nuk do të ndalet para asgjëje për të përcjellë ëndrrën perandorake ruse që ai e ka përqafuar dhe zbatuar prej kohësh dhe hapur, në dëm të sigurisë evropiane, si Otto von Habsburg, eurodeputeti gjerman dhe i biri i parëlindur i perandorit Karl i Austrisë, e theksuar tashmë në mënyrë eksplicite qysh në vitin 2003. Kjo ishte koha kur Perëndimi ishte ende i dashuruar marrëzisht nga ‘simpatiku’ zoti Putin, ndërsa presidenti Xhorxh W. Bush fatkeqësisht “e shikonte në sy’ dhe i besonte atij. Duhet vetëm të shikojmë gjakderdhjen, shkatërrimin dhe separatizmin që është krijuar në periferi të Rusisë që nga ardhja e Putinit në pushtet në vitin 2000: luftërat brutale në Çeçeni, konflikti i Transnistrisë në Moldavi, lufta kundër Gjeorgjisë dhe shkëputja rezultuese e rajoneve të saj të Osetisë Jugore dhe Abkhazisë, lufta kundër Ukrainës me aneksimin e Krimesë dhe pushtimin e Oblasteve Lindore, si dhe rrëzimin e aeroplanit civil MH17 në 2014.

Rusia nën Putinin nuk do të ndalet derisa të ndalohet nga një forcë superiore apo kërcënimi masiv ushtarak.

Perëndimi ka treguar që nga pushtimi i gadishullit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 se nuk është nuk do e nuk mundet të përdorë një forcë të tillë prandaj ka shumë pak gjasa që Ukraina të jetë në gjendje ndonjëherë ta mposht Rusinë ushtarakisht. Perëndimi ka vetëm opsionin për të ndërtuar një deterrencë ushtarake aq të fuqishme saqë Rusia nuk do të rrezikojë provokimin ushtarak pasi të ketë përfunduar lufta në Ukrainë. Që të arrihet ky parandalim, që forcon stabilitetin dhe paqen në Evropë siç bëri gjatë Luftës së Ftohtë, anëtarët e NATOs do të duhet ta bëjnë atë një prioritet kryesor – siç ka bërë Polonia. Duke kompletuar kapacitetet ushtarake përtej asaj që po bëhet tashmë. Duhet të bëhet gjithashtu e vetëkuptueshme për të gjithë evropianët se nëse duam të shmangim luftën e gjithanshme dhe të jetojmë në paqe dhe prosperitet, të gjithë duhet të jemi të gatshëm të luajmë rolin tonë. Rivendosja e një forme të shërbimit të detyrueshëm ushtarak është përsëri në tryezë në Evropë dhe ka të ngjarë të rifutet në vitet e ardhshme në të gjithë kontinentin aty ku nuk ekziston tashmë.

4.ZHDUKINI PROGRAMET DEI DHE RISHIKONI GREEN DEAL
Revista Politico në 26 dhjetorit listoi “9 çështje politike që hëngrën dhé këtë vit”. Në majë të listës është rënia e programeve të DEI-së dhe mënyra se si korporatat amerikane po i braktisin me nxitim këto programe (së shpejti do të ndiqen nga qeveria e re amerikane) – kur vetëm para pak kohësh DEI shihej si virtyt. Është e qartë se realiteti duket se e ka shkelmuar atë ‘virtyt’ specifik. Evropa do të bënte mirë të ndiqte me shpejtësi shembullin nëse nuk dëshiron të dobësojë më tej konkurrueshmërinë dhe efektivitetin e saj. Diskriminimi sistemik duhet të çrrënjoset në të gjitha nivelet e shoqërisë, por programet e DEI në fund të fundit vetëm futin forma të reja diskriminimi dhe vrasin përsosmërinë e nevojshme për të ndërtuar një shoqëri funksionale.

Ndryshimi klimatik është bërë gjithashtu një ideologji e ngurtë politike, në vend të një kauze të rëndësishme që kërkon veprim me sens të përbashkët bazuar në një debat të vazhdueshëm shkencor që merr parasysh gjithashtu ndikimin dhe perspektivat e tij ekonomike dhe sociale. Ashtu si rasti me Covid-19, ideologjizimi i ndryshimeve klimatike ka çuar në një situatë ku një narrativë e caktuar shpallet shkencë “e vendosur” (sigurisht që nuk ekziston një gjë e tillë, pasi shkenca nga vetë natyra e saj nuk zgjidhet kurrë) dhe çdo debat të mëtejshëm mbi meritat shpallen ‘antishkencë’ ndërkohë që shpesh merren masa shkatërruese, të cilat më vonë rezultojnë të jenë më të dëmshme se fenomeni që ata u përpoqën t’i përgjigjen (kujtoni lockdowns në vitin 2020-2023). Green Deal është një shembull i kësaj dinamike: ndërsa është e qartë nevoja për të zhvilluar burime alternative të energjisë që janë më pak të dëmshme për mjedisin, masa të tilla duhet të jenë ekonomikisht të qëndrueshme dhe të mos çojnë në shkatërrimin e jetesës së njerëzve. Thjesht duke parë shembullin e Gjermanisë – dikur qendra industriale dhe fuqia ekonomike e BE-së – mund të vëzhgojmë pasojat katastrofike ekonomike të një politike klimatike që bëhet aq verbërisht e ideologjizuar saqë humbet sensin e realitetit.

BE-ja është rrugës jo vetëm për ta përsëritur, por edhe për ta maksimizuar këtë gabim në vitet në vijim, nëse nuk e rishikon dhe nuk përshtat seriozisht Green Deal-in aktual. Tashmë në prill të këtij viti, Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC) i bëri thirrje Komisionit Evropian për një “rishikim urgjent të objektivave të tranzicionit të gjelbër dhe për t’u siguruar që ato nuk do të arrihen në kurriz të sistemeve industriale dhe sociale të Evropës, punëtorëve. mirëqenien dhe konkurrencën e BEsë.” Përsëri, si me kaq shumë çështje në skenën gjeopolitike, zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-së vetëm sa ka shpejtuar nevojën që BE-ja të merret me këtë çështje në mënyrë efektive nëse nuk dëshiron të mbesë mbrapa botës. Gjithashtu nuk duhet harruar se nën presidencën e Joe Biden, ndërkohë që prodhimi i energjisë së rinovueshme’ po rritej, energjia nga hidrokarburet vazhdoi të zhvillohet pa ndërprerje.

5. RINDËRTIMI I EKONOMISË
Siç e përshkrova në esenë time të mëparshme, ekonomia e Shteteve të Bashkuara është deri tani më e madhja dhe më e fuqishmja në botë (26% e PBB-së globale, me Kinën dhe BE-në që pasojnë me vetëm 17% secila), jo vetëm duke lënë pas në konkurrueshmëri Kinën, por edhe BE-së, veçanërisht në produktivitet dhe inovacion. Raporti Draghi 2024 mbi Konkurrueshmërinë e BE-së e përmbledh problemin si më poshtë:

“Së pari – dhe më e rëndësishmja – Evropa duhet të ripërqendrojë thellësisht përpjekjet e saj kolektive në mbylljen e hendekut të inovacionit me SHBA-në dhe Kinën, veçanërisht në teknologjitë e avancuara. Evropa ka ngecur në një strukturë statike industriale me pak kompani të reja që ngrihen për të prishur modelin e industrive ekzistuese ose për të zhvilluar motorë të rinj rritjeje. Në fakt, nuk ka asnjë kompani të BE-së me një kapital tregu mbi 100 miliardë euro që është krijuar nga e para në pesëdhjetë vitet e fundit, ndërkohë që të gjashtë kompanitë amerikane me një vlerësim mbi 1 trilion euro janë krijuar në këtë periudhë. Kjo mungesë dinamizmi është vetëpërmbushëse.”

Një problem tjetër madhor, siç vë në dukje raporti i Draghi, është barra e rëndë rregullatore në BE, duke e bërë inovacionin, produktivitetin dhe si rezultat rritjen ekonomike shumë më të vështirë për t’u rindezur dhe mbajtur. Përsëri, ne do të shohim lëvizjen e kundërt në Shtetet e Bashkuara, pasi një nga prioritetet kyçe të ekipit Trump është të liberalizojë masivisht ekonominë e SHBA, duke rritur më tej konkurrueshmërinë e saj. Siç sugjeron edhe raporti Draghi BE-ja duhet të ndjekë këtë shembull urgjentisht, me të paktën një reduktim prej 25% të barrës rregullatore që kërkohet edhe për të filluar të ketë një ndikim pozitiv ekonomik.

Me pavarësinë e plotë energjetike amerikane që pritet të rritet nën administratën e re që nga 20 janari, ku çmimet e energjisë janë tashmë shumë më të ulëta se në BE, kjo do të forcojë më tej konkurrencën e ekonomisë amerikane në raport me BE-në; kjo e fundit ende duke qenë ekskluzivisht i varur nga furnizimet me gaz nga vende të treta si SHBA, MB, Norvegjia, Rusia, Katari dhe Azerbajxhani. Një varësi që pritet të rritet vetëm nëse Green Deal i sipërpërmendur vazhdon të zbatohet pa ndryshime drastike të nevojshme për të pasqyruar realitetet e reja gjeopolitike dhe ekonomike. Premtimi i fushatës së Trump-it për shpime nafte sigurisht që do të kthehet në politikë duke premtuar një vazhdimësi të kësaj tendence rritëse, ndërkohë që BE-ja nuk është ende as afër pavarësisë energjetike. A do t’i kapërcejë përfundimisht një qasje racionale politikat vetëshkatërruese të klimës së Komisionit Evropian? Përveç inovacionit dhe derregullimit, ai do të jetë çelësi i rimëkëmbjes ekonomike dhe izolimit të së ardhmes së BE-së dhe do të kërkojë udhëheqje shumë të guximshme dhe krijuese për ta zbatuar atë.

KONKLUZION
Sigurisht që ka shumë fusha të tjera kryesore të detyrave të shtëpisë për të cilat Europa duhet të kujdeset urgjentisht, si emigracioni i paligjshëm, një rënie katastrofike demografike, reforma e pensioneve, taksat e larta të pagave dhe, gjithashtu, çështje më filozofike, por shumë të rëndësishme, siç janë kërcënimet e brendshme për lirinë, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Shpresojmë se brenda një viti do të jemi në gjendje të shikojmë mbrapa në vitin si viti kur BE-ja ishte në gjendje të kthehej nga fiksimi i saj në tapat e shisheve plastike drejt një ripërkushtimi të fortë për ta bërë Evropën të madhe (përsëri :)) – një familje të kombeve që sipas fjalëve të Robert Schuman-it, e dinë se “paqja botërore nuk mund të ruhet pa bërë përpjekje krijuese në përpjesëtim me rreziqet që e kërcënojnë atë”. Këto rreziqe janë tani më të mëdha se kurrë më parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe kërkojnë arsye të shëndoshë, veprim të përbashkët dhe forcë të qëndrueshme evropiane për t’u rindërtuar. Kjo duhet të ndodhë jo me pushtet më të centralizuar në Bruksel, por komb pas komb dhe institucion pas institucioni, duke filluar megjithatë nga përgjegjësia individuale dhe komunale që duhet të marrë sot çdo qytetar. Paqja dhe prosperiteti fillojnë këtu: në zemrën e njeriut dhe mendjen e tij të lirë.

Autori është President i Rrjetit Ndërkombëtar të Legjislatorëve Katolikë 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb