Europol njofton se ka arrestuar 64 persona, të dyshuar si anëtarë të mafies shqiptare, me veprimtari në shtetet europiane Belgjikë, Francë, Holandë, Itali dhe Britani e Madhe.

Në njoftim thuhet se mbi 60 vetë u arrestuan mes 3 dhe 5 prillit dhe në operacion u përfshinë mbi 600 agjentë të organizatës policore europiane. Të arrestuarit dyshohen për një sërë veprash penale, si prodhimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike, trafik i qenieve njerëzore, prostitucion dhe pastrim parash.

Ky operacion u ndërmor për të goditur veprimtarinë mafioze të shumë shqiptarëve, që vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe që jetonin në Belgjikë, Francë, Holandë, Itali dhe Britani të Madhe.

Të dyshuarit besohet se kanë menaxhuar të paktën një duzinë plantacionesh të kanabisit të shpërndarë në të gjithë Belgjikën dhe në veri të Francës. Disa nga të dyshuarit besohet se janë përfshirë në trafik të qenieve njerëzore në shtetin francez.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Nga të arrestuarit, 55 vetë u vunë në pranga në Belgjikë, 7 në Holandë, 2 në Francë. Operacioni u krye me bashkëpunimin e Policisë Federale Belge, Xhandarmërinë Kombëtare franceze, Policinë Holandeze dhe Drejtorinë Italiane Investigative Antimafia si dhe Policinë Britanike Metropolitane.

Europol mbështeti hetimin që nga fillimi duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit. Në ditën e veprimit, gjashtë ekspertë të Europolit u vendosën në Belgjikë, Francë dhe Holandë për të lejuar shkëmbimin e informacionit në kohë reale. Gjatë aksionit janë bërë një sërë sekuestrimesh të aseteve kriminale.

Krimi i organizuar shqiptar vazhdon të mbetet një shqetësim për vendet në Evropë, një kërcënim që Europol po e merr shumë seriozisht.

(d.xh/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb