Eugent Bushpepa e bëri një hyrje “alla grande” në provën e parë në Lisbonë. Sajti kushtuar Eurosong, Wiwiblogs, shkruan se “rokeri, zëri i të cilit nuk zbret asnjëherë nga niveli i përsosur, kapi notat e veta më të larta, ndërsa sytë e tij shihnin kamerën që nuk iu shqit asnjë çast”.

Në një shkrim pas provës së parë zyrtare në Lisbonë, Wiwiblog vëren se performancat e rokut kanë tendencën të jenë krejt të thjeshta dhe as kjo nuk përbën ndryshim.

“Ndriçimi – që përfshin të kuqen shqiptare – krijon një ambient të këndshëm që i shkon aq shumë këtij zhanri. Edhe më mirë: ata arrijnë ta mbushin gjithë skenën me instrumentet dhe karizmën e tyre. Eugent është i vogël, por nuk zhduket. Çfarë tjetër? Veshja e zezë në skenë dhe kohezioni i Eugentit me grupin, duket sikur ngjit në skenë një bandë që është në turne gjatë një koncerti – shtoi kësaj, edhe vokalistet femra shumë tërheqëse me veshje të zeza të ndezura”.

Bushpepa ka bërë për vete gazetarët në Lisbonë, jo vetëm me zërin dhe këngën. Ai ka plotësuar dëshirën e tyre duke kënduar për ta edhe në konferencë shtypi.

Para pyetjeve, gazetari i Wiwiblogs e vlerësoi për zërin, një gazetar britanik e cilësoi këngën e tij si këngën më të mirë shqiptare në Eurosong, ndërsa një gazetar polak, u shpreh se zëri i tij është fenomenal.
Burimi: http://www.gsh.al/2018/05/01/eugent-bushpepa-ne-eurosong-frika-nga-gjysmefinalja-e-vdekjes/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb