TIRANË

Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masat e sigurisë për 13 personat e arrestuar, biznesmenë që akuzohen për evazion fiskal me TVSH-në. Ndonëse operacionin e përshëndeti dhe vetë kryeministri Rama dhe Prokuroria kishte një dosje të gjatë, Gjykata ka lënë në burg vetëm 3 nga 12 të arrestuarit.


Konkretisht për 3 të ndaluar, gjykata ka vendosur ‘arrest në burg’ me afat 30 ditor, ndërsa për 9 të ndaluar, gjykata ka vendosur “detyrim paraqitje”. Nga evazioni fiskal i kryer nga këta persona i është shkaktuar shteti një dëm që llogaritet në rreth 18 milionë euro.


Burimet thonë se personat që janë liruar me masën detyrim paraqitje kanë bashkëpunuar me prokurorinë duke rrëfyer emrat e personave me të cilat organizuan skemën mashtrueses, që i kushtoi buxhetit të shtetit shumën prej 18 mln lekësh. Të njëjtin fakt e konfirmoi për BalkanWeb edhe avokati Enea Cenko. Burime nga institucioni i akuzës thanë se emrat identifikuar përmes rrëfimeve nga të penduarit janë nxjerrë urdhër ndalimet.


“BalkanWeb” zbardhi një ditë më parë dosjen e hetimit të 25 personave për evazion fiskal, që çoi në pranga 13 persona ndërsa u shpallën në kërkim 12 të tjerë.

Për të përfituar kompensimin e TVSH-së, të akuzuarit dyshohet se kanë regjistruar subjekte tregtare në mënyrë fiktive, pa asnjë lloj aktiviteti, me qëllim tërheqjen e blloqeve Tatimore të TVSH-së duke lëshuar fatura fiktive TVSH-je shitjeje.

Subjektet tregtare kryenin blerje fiktive nga kompani që operonin në fushën e tregtisë së produkteve ushqimore dhe më pas i shisnin po në mënyrë fiktive në kompani që operonin në fushën e ndërtimit. E thënë më thjeshtë kompanitë regjistronin si shembull, blerje djathi, qumështi, kosi e të tjera produkte ushqimore, që më pas ua shisnin kompanive që vepronin në fushën e ndërtimit.

Në të vërtetë, në gjithë zinxhirin e transaksioneve nuk ka patur asnjë produkt real në mes por ekzistonte vetëm në faturë. Më pas, kjo faturë i shitej një tjetër kompanie e kështu me radhë deri kur faturat fiktive dorëzoheshin tek Drejtoria e Tatimeve, ku tërhiqej rimbursimi prej 20 për qind i TVSH-së për çdo blerje që ishte kryer.

Sipas skemës së dytë, nga të dhënat e hetimit tatimor, rezulton se të gjithë subjektet ishin të lidhur me njëri tjetrin për të punësuarit. Kështu sipas listëpagesave në historikun e punonjësve, i njëjti person në të 20 kompanitë rezulton në funskione të ndryshme, njëherë si administrator dhe në një moment tjetër rezulton si shofer, magazinier, pastrues apo punëtor krahu. Të njëjtët punonjës kanë qarkulluar si të punësuar në kohë të ndryshme në funksione të ndryshme në të njëjtat subjekte. Kjo skemë është përdorur për të krijuar idenë se 20 kompanitë ishin reale dhe po ushtronin aktivitet të rregullt ligjor. Në fakt nga hetimet rezultoi se asnjë prej subjekteve nuk ka kapacitetet e nevojshme njerezore për të kryer aktivitetin e regjistruar. Sipas prokurorisë dyshohet se pjesë e mashtrimit janë edhe disa zyra kontabiliteti të cilat kanë mundësuar rregullimin e bilanceve tregtare të këtyre kompanive fiktive.

(m.k/BalkanWeb)