Vijon operacioni kundër informalitetit e evazionit fiskal, e kësaj radhe policia ka bllokuar tregtimin e karburantit nga Gega Oil dhe ka shpallur në kërkim administratorin e saj që është larguar nga Shqipëria.


Policia e Shtetit në bashkëpunim me organet tatimore, ka ndjekur veprimtarinë e tatimpaguesit “Gen Klaudis ShA”, në vijim të zbatimit të Planit të Masave kundër Informalitetit dhe Evazionit Fiskal në sektorët e Turizmit, Ndërtimit, Hidrokarbureve, Tregtimit të mallrave me akcizë, dhe ka ushtruar kontroll në datën 07.08.2019.


Nga kontrolli tatimor janë gjetur pompa, të cilat në shkelje të ligjit, funksiononin në regjim manual dhe për këtë arsye, është kryer bllokimi i tregtimit të karburantit nga ky subjekt.


Menjëherë pas bllokimit, u kryen hetime intensive që çuan në konkluzionin se administratori i kompanisë, shtetasi Paulin Gega, përmes subjektit “Gen Klaudis Sha” që njihet me emrin tregtar “Gega Oil”, ka kryer evazion fiskal në përmasa të konsiderueshme.

Po ky shtetas është proceduar katër vjet më parë nga Drejtoria e Policisë Shkodër, për veprën penale fshehje e të ardhurave. Pas veprimeve të saj hetimore, Policia e Shtetit i referoi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, materialet në ngarkim të shtetasit Paulin Gega.

Prokuroria nxori një urdhër ndalimi për këtë shtetas, i cili rezultoi se është larguar nga vendi në dt.09.08.2019. Shtetasi Paulin Gega u shpall në kërkim për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Ndryshimi në aparatet matëse” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.