Diplomatët evropianë po përgatiten t’i përforcojnë sanksionet ndaj Rusisë duke parashikuar se një kthim i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mund të minojë përpjekjet perëndimore për ta izoluar Moskën, kanë thënë për Reutersin burime të afërta me diskutimet.
Bisedimet mes zyrtarëve dhe të dërguarve të BE-së përqendrohen në disa iniciativa për të siguruar që sanksionet evropiane do të mbeten në fuqi për kohë afatgjatë, duke i forcuar ato nëpërmjet zbatimit më të rreptë, edhe nëse Washingtoni ndryshon qëndrim.
Hapat e mundshëm përfshijnë mënyrat për të identifikuar dhe ndaluar dërgesat e dyshimta të mallrave të destinuara për në Rusi dhe kufizime më të gjera të transportit të naftës, kanë thënë burimet, raporton Reuters.
Ka gjithashtu diskutime për ndryshimin e një kërkese që ngrirja e aseteve të bankës qendrore ruse, sanksioni më i madh perëndimor ndaj Moskës, duhet të rinovohet nga kryeqytetet evropiane çdo gjashtë muaj, kanë deklaruar burimet, të cilat kanë kërkuar të mos përmenden për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.