Premtimi për anëtarësim në BE për shtetet në rajonin e Ballkanit Perëndimor është i mirëpritur por Rusia, Kina dhe Turqia mund të krijojnë destabilitet, shkruan prestigjiozja britanike “The Guardian”.

“Lufta e Dytë Botërore ka përfunduar por Lufta e Parë Botërore ende nuk ka përfunduar” ishin fjalët e një zyrtari të lartë turk në Ankara kohët e fundit. Dhe megjithëse ai po fliste për situatën në Lindjen e Mesme, ky është një koment që mund të dëgjohet në Moskë, në Kiev apo në Ballkan, për gjendjen në kontinentin evropian.

Ndoshta një koment i tillë nuk mund të dëgjohet në Bruksel. Kjo pasi Bashkimi Evropian është akoma i papërgatitur të jetojë në një botë ku gjeopolitika është kthyer – në të cilën qeveritë, ashtu si shumica e publikut, janë të obsesionuar me kufij dhe territore, dhe kanë tendencën të përcaktojnë suksesin më pak nga rritja ekonomike sesa krenaria kombëtare.

Dhe në fakt kjo është ajo që është në lojë sot në Ballkanin Perëndimor, ku kapaciteti i BE-së për të menduar dhe për të vepruar si një lojtar gjeopolitik po vihet në provë.

Guardian

Në fillim të muajit shkurt, Bashkimi Evropian prezantoi strategjinë e re për Ballkanin Perëndimor, ku shprehte synimin e inkurajimit të reformës në Serbi, Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, duke rinovuar perspektivën e anëtarësimit. Nuk është një mrekulli e vogël që institucionet e Brukselit, të cilat e gjejnë veten në mes të një rritje populiste që ndikon shumicën e vendeve të BE-së, tani duket se kanë kurajën të deklarojnë përsëri premtimin e anëtarësimit.

Një shaka në Ballkan duket se tregon shumë mirë opinionin e njerëzve që mendojnë se janë lënë për një kohë të gjatë në pritje: kur vjen puna për anëtarësimin në BE, ndryshimi mes pesimistëve dhe optimistëve është se “optimistët besojnë se Turqia do t’i bashkohet bllokut gjatë presidencës së BE-së në Shqipëri, ndërsa pesimistët besojnë se Shqipëria do t’i bashkohet bllokut gjatë presidencës së BE-së në Turqi”, që do të thotë kurrë.

Brukseli ka të drejtë kur e bën të qartë që ‘status quo’ është i paqëndrueshëm, por pa veprime të mëtejshme, deklarata rrezikon të prodhojë destabilitet në rajon. Asaj që BE-ja duhet t’i frikësohet është një përsëritje e skenarit të Ukrainës, në të cilin mbështetja e qeverisë për aspiratat e BE-së nxiti një reagim nga kundërshtarët e zgjerimit.

Shumë faktorë e kanë sjellë Ballkanin përsëri në qendër të vëmendjes, dhe kjo vëmendje nuk vjen vetëm nga kriza e fundit e refugjatëve, e cila ka tronditur rajonin. Tani ka një moment në rritje për integrim më të madh, pas një periudhe në të cilën BE-ja u bë e njohur si një organizatë që jepte pak ndihma.

Një zhvillim inkurajues ka qenë ratifikimi i një traktati miqësor mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, dy vende me marrëdhënie të tensionuara, kryesisht rreth çështjeve të minoritetit. Me arritjen e kësaj marrëveshje, ato sinjalizuan se ka ardhur koha të kërkojnë zgjidhje për disa nga problemet e rajonit.

Po që Bashkimi Evropian të ketë sukses në ambicien e tij për të transformuar rajonin, duhet të jetë i vetëdijshëm për ndryshimet gjeopolitike të rëndësishme që kanë ndodhur.

Në 2003, kur BE-ja në fillim premtoi anëtarësim, kishte pak dyshime se e ardhmja e rajonit do ishte evropiane. Rusia e shikonte Ballkanin kryesisht si zonë tranziti për eksportin e energjisë në tregjet evropiane perëndimore. Ambicja e Moskës atëherë ishte më shumë të ruante një nivel ndikimi sesa të konkuronte me Brukselin.

15 vite më parë, Turqia ishte entuziaste për shanset e saj për t’iu bashkuar BE-së, dhe si rezultat, përkufizoi politikat e saj për Ballkanin, në mënyrë që të demonstronte vlerën e saj strategjike ndaj Europës.

Në ditët e sotme, konkurrenca gjeopolitike është shumë e përhapur. Kina është e vendosur të bëhet investitori i huaj numër një në Serbi këtë vit.

Planet për të ndërtuar një hekurudhë me shpejtësi të madhe mes portit grek të Pireut dhe Budapestit, përmes Beogradit, kanë vlerë të madhe për Kinën, pasi ajo po vendos rrugën e saj tregtare midis Azisë dhe Evropës. Kinezët shpresojnë që Ballkani Perëndimor në fund do të integrohet në tregun e vetëm evropian.

Por kjo ngre shumë pyetje. A duhet të fillojë BE-ja të nxisë vendet e Ballkanit Perëndimor të miratojnë rregullat e prokurimit tani apo më vonë? Dhe a është BE-ja e gatshme të ofrojë kompensim nëse ato vende humbasin investimet kineze si pasojë e integrimit të BE-së?

Qasja e Rusisë ka ndryshuar gjithashtu. Brukseli nuk ka nevojë të ketë një spiun në Kremlin për të ditur se Moska do bëjë çdo gjë që mundet për të ndaluar Maqedoninë t’i bashkohet NATO-s, jo për shkak të domethënies strategjike por për vlerën e saj simbolike.

Ligjvënësit evropianë duhet të jenë të vetëdijshëm se nëse debati mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin nuk zgjidhet para samitit të ardhshëm të BE-së për Ballkanin Perëndimor në maj, atëherë kjo do të shënojë një humbje të dyfishtë: Ambicjet e Maqedonisë do të copëtohen dhe përpjekjet e Brukselit për t’u marrë seriozisht në rajon do të bien.

Rajoni i Ballkanit është aty ku Rusia mund të punojë të destabilizojë BE-në me një kosto shumë të ulët politike për Kremlinin. Kështu që diplomacia evropiane duhet të bindë Moskën se përshkallëzimi i tensioneve nuk do ishte në interesin e saj. Por a është BE-ja e gatshme për këtë?

Pastaj është edhe Turqia, një vend që marrëdhëniet e saj me BE-në janë në një pikë të ulët historike. Është akoma e paqartë sesi do t’i luajë kartat e tij në Ballkanin Perëndimor presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.

Ndërsa Ankaraja po përpiqet të rrisë ndikimin e saj në komunitetet myslimane në Ballkan, Moska po përdor ndikimin e saj për të krishterët ortodoksë. Ndoshta Rusia dhe Turqia do koordinojnë politikat e tyre, ashtu siç po përpiqen të bëjnë në Siri.

Nëse Bashkimi Evropian nuk do t’i kuptojë shpejt këto realitete të reja gjeopolitike, strategjia e tij për Ballkanin Perëndimor do përfundojë në dështim.

Përktheu për BalkanWeb: Aleksandra Kola

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: