Evropa Qendrore po përgatitet për përmbytjet më të këqija në dekada për shkak të kalimit të ciklonit Boris, i cili pritet të vjen këtë fundjavë.
Sipas meteorologëve çekë dhe polakë, në disa zona të vendeve të tyre deri në 400 litra shi për metër katror mund të bien në katër ditët e ardhshme dhe rreth 200 litra në Austri dhe Sllovaki.
Manifestimet kulturore të planifikuara për këtë fundjavë u anuluan në këto katër vende për shkak të kalimit të paralajmëruar të ciklonit, raporton bbc.
Rezervuarët për grumbullimin e ujit, kryesisht në afërsi të digave, u boshatisën në mënyrë që të mos përmbyten.
Në Poloni, alarmet e motit janë ndezur në jug të vendit, kryesisht qytetet rreth lumit Oder, Wroclaw dhe Opole.
Në Wroclaw, i cili ka 675 mijë banorë, zyrtarët komunalë krijuan një qendër krizash, shkruan tvpworld.
Sipas ministrit çek të Mjedisit, Petar Hladik, situata në vend “mund të jetë e ngjashme me atë të viteve 1997 dhe 2002”.
Përmbytjet në vitin 1997 goditën Moravinë në lindje të Republikës Çeke. Të paktën 50 njerëz vdiqën dhe pati disa miliardë dollarë dëme. Pikërisht në atë rajon priten edhe këtë herë reshjet më të mëdha.
Në vitin 2002, përmbytjet goditën perëndimin e vendit, duke marrë 17 jetë dhe duke shkaktuar edhe më shumë dëme se në vitin 1997.
Qytetet në Moravia ngritën barriera shkaku i frikës së përmbytjeve, e cila do të shoqërohej me erëra deri në 100 kilometra për orë.