NGA: NDRIÇIM MEHMETI*
Prej disa muajsh të krijohet përshtypja se Shqipëria, jo vetëm ka veshur petkun e Evropës për vete, por kërkon që këtë petk
ta qepë, dizenjojë dhe t’ia veshë me hir ose me pahir edhe rajonit ballkanik. Që prej tamtameve të zhurmshme, që shoqëruan vizitën e Ramës në Beograd, me moton “Të evropianizojmë Serbinë dhe të shkojmë të tërë si Ballkan në familjen evropiane”, e deri në gënjeshtrën e madhe se “Lufta Nacionalçlirimtare dhe partizanët, kishin si qëllim të na çonin në Evropë”, shqiptarëve duket sikur po u imponohet fryma evropiane me çdo kusht. Në çdo fjalim për festimet e 70-vjetorit të Çlirimit, në Vlorë, Elbasan e gjetkë, gjen fjalët: “të jemi të denjë për Evropë”; “të punojmë që të shkojmë sa më shpejt në Evropë”; “të sillemi si evropianë”, e parulla bajate të këtij lloji. Në fakt, këtu lind pikëpyetja më e madhe: A ka nevojë të shpallet në Shqipëri, por edhe ndër shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi, një aksion emancipimi evropianist?
Mendoj se kjo është tejkaluar që me parullën e njohur të lëvizjes studentore: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”. Kjo kohë, për fat të mirë, është tejkaluar që kur Shqipëria bëri përpjekjet më të mëdha, për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, në NATO, kur mori statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian e me radhë. Mos vallë, duke u kujdesur më shumë për Evropën, FMN, BB, OSBE, PE, kemi harruar të kujdesemi për vete? Kam përshtypjen se na pëlqen të merremi me punët e komshiut, ndërsa nuk merremi më shumë me shtëpinë tonë. Dhe kjo nuk është se bëhet pa qëllim. Jo. Tani që ca gjëra nuk shkojnë mirë, hedhim topin nga kundërshtari dhe ia lëmë atij të na driblojë. Evropianomania e nisur me muaj të tërë u shfry pas ndeshjes në Beograd, u ringrit me vizitën e Ramës dhe u ul përsëri me këmbë në tokë, dhe përsëri rifreskohet sa herë që një qytet ka festë për çlirimin e tij. Por edhe sikur për një moment të themi se na leverdis të jemi më mirë evropianë të mirë sesa shqiptarë të mirë për Evropë, a thua e kemi përnjëmend? Edhe në këtë rast e kam të vështirë të them ‘po’. Evropianët e mirë, nuk nderojnë gjakun e të rënëve, që iu bashkuan rezistencës antifashiste së popujve evropianë, me figurën e diktatorit në dorë dhe me përkulje përpara fotos së tij. Evropianët e mirë, nuk injorojnë popullin e vet, në emër të pushtetit të tyre. Një kryeministër i Evropës së mirë, nuk bën gjeste me dorë, ndaj studentëve që të rrinë urtë para tij. Një ministre e mirë në Evropë, nuk tallet me administratën civile, e të thotë se pak vetë dinë të fitojnë konkursin, sipas modelit ‘Kush është i yni, fiton edhe kur s’ka shkollë’. Evropianët e mirë, nuk bërtasin rreth flamurit vetëm sa herë që një bashkatdhetar, për fatin tonë të mirë, na njeh në botë, përmes forcës së muskujve të tij, në peshëngritje, apo një goli të shënuar kundër një ekipi të madh. Këto të bëjnë krenarë, por jo domosdoshmërisht evropianë më të mirë.
A jemi shqiptarë
të mirë?
A dimë të nderojmë kombin, vlerat tona dhe gjithë traditën nga kemi ardhur? Edhe në këtë rast tundim kokën me dëshpërim, në shenjë mohuese. A e mbrojmë ne ambientin tonë nga barbaria e shfrytëzimit pa kufi dhe pa pyetur për ligj? A kujdeset shoqëria për njerëzit në nevojë, apo u jep një shkelm e i kuturis në skutat më të errëta të mbijetesës, si një kafshë dhe jo si qenie njerëzore? A jemi shqiptarë të mirë, që kujdesemi të respektojmë punën, djersën dhe kontributin e gjithsecilit, pa e lënduar? A kemi dikë ku të trokasim dhe të na mirëpresë, apo kemi shumë që shtrembërojnë buzët e na thonë se, “ishit ju, tani jemi ne”? A kemi ne të drejtë të mburremi me luftën që fituam në 1944-ën, kur ende jemi në kushtet e luftës me njëri-tjetrin? Prandaj them se edhe festimet për Çlirimin e vendit janë një ironi e madhe. U hedhim hi syve njerëzve që kanë rrojtur dhe rrojnë me lavdinë e dikurshme, pa u menduar fare se kështu lëndojmë një grup tjetër. I gënjejmë, duke u thënë njerëzve që mburreshin deri dje se “amerikanët, francezët e anglezët i kishin në grykë të pushkës, por ne (shqiptarët), i kishim ata në grykë të topit”, se ju me luftën tuaj na çuat në Evropë. I çojmë fëmijët të ngrenë grushtin në varreza, që vetëm si të tilla nuk janë, pasi askush nuk është kujdesur për varret e atyre të cilëve ne u thurim kaq lavde sot. Më shumë fonde ka marrë ndriçimi i fasadave të pesë godinave qeveritare, sesa restaurimi i varrezave të atyre që do t’u bëhet respekti, përmes këtyre aplikacioneve moderne. Dhe e gjitha kjo hipokrizi, nuk bëhet se këtyre politikanëve u kërcet për luftën: Atyre u djeg më shumë vota. Dhe për vota, janë gati të shesin edhe t’anë. Si nuk u kujdesën këta të cilëve u qan shpirti dhe bredhin nga një rreth në rrethin tjetër, duke rrëkëllyer gota e kërcyer me shallin e kuq, të vendosin ura dialogu mes popullit që i ka votuar, e që gjendet sot i ndarë më dysh, prej zjarrit që i hidhet benzinë, nga këta politikanë dhe sejmenët e zgjedhur prej tyre, të cilët bredhin nga njëra studio në një tjetër? Përse nuk nderohen me kaq pathos të madh, themeluesit e Lidhjes së Prizrenit, mësuesit e parë të gjuhës shqipe, kryetarët e kongreseve të gjuhës shqipe, mendimtarët dhe filozofët e viteve ’30 të shek. XX në Shqipëri, të parët opozitarë evropianë që kuptuan se Hoxha do të vendoste një regjim gjakatar në Shqipëri? Dy janë arsyet: Ose janë të lidhur ngushtë dhe pazgjidhshmërisht me atë kohë, ose politika më e mirë është ajo që, ‘të grupojmë vota, edhe përmes kompromiseve të pandershme’. Arrihet deri aty sa të manipulohen edhe fëmijët, në emër të Evropës. P.sh., pak ditë më parë dëgjuam se ministrja e Arsimit e kishte “kuptuar që nga shkolla e Kaninës, se po frynte era evropiane në arsim”?! Por më keq akoma është që, në emër të Evropës, viktimat të dënohen edhe njëherë duke i denigruar për hir të politikës së ditës. Cila është simbolika e kremtimit të festës së Çlirimit të Tiranës, në shkollën “Musine Kokalari” prej ministres së Arsimit? E thjeshtë fare: emrin ia vendosim një shkolle, por kjo nuk na pengon që dhimbjen që pësoi gruaja shqiptare Musine, menjëherë pas Çlirimit, ia rikujtojmë edhe njëherë në shkollën që mban emrin e saj. Por thelbi – me sa duket – i gjithë kremtimit ishte të dëgjonim edhe njëherë se “Shqipëria është një vend i NATO-s, kandidat për Bashkimin Evropian, ndaj ajo që kërkohet nga ne sot, është zhvillimi i një pasioni të ri, ai i qytetarit evropian dhe i Shqipërisë evropiane, duke ruajtur vlerat e vendit tonë”.
Pra tani, pasioni më i ri i deklaruar prej ministres së Arsimit, është qytetari i ri evropian.
Se mos i shkon mendja për keq ndokujt dhe heq paralele me krijimin e njeriut të ri? Evropianë të mirë duke ruajtur vlerat e vendit tonë, apo shqiptarë të mirë, që kultivojmë vlerat evropiane të munguara prej vitesh e që shfaqen ende kërcënueshëm, si: liria, toleranca, e drejta për të jetuar dhe punuar, pa u cenuar dhe lënduar nga askush? Unë do të zgjidhja: shqiptar i mirë, i denjë për shoqërinë e vendit tim dhe modestisht për Evropën, për aq sa kemi ndikim.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: