Procesi i votimit në shtetin fqinj sapo ka përfunduar. Partia ”Demokracia e re” (ND) e Qiriakos Micotaqis rezulton fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, sipas exit poll-eve të para.

Sipas rezultateve ND ka marrë 38-42% të votave, SYRIZA 26,5-30,5%, KINAL 6-8%, Partia Komuniste 5-7%, ”Agimi i artë” 2,8-4,8% dhe MeRa25 e Janis Varufaqis 3-5%.

Parlamenti grek ka 300 deputetë. 20 parti garuan për të plotësuar këto 300 vende.

Demokracia e Re ka premtuar se do të ulë taksat dhe do të privatizojë shërbimet në vend. Greqia vazhdon akoma të vuajë pasojat e krizës financiare të vitit 2008. Papunësia në vend mbetet e lartë sidomos tek të rinjtë. Demokracia e Re mendohet se ka arritur të marrë mjaft mbështetës mes të rinjve nga mosha 18 deri 24 vjeç.

Qytetarët grekë iu drejtuan sot qendra të votimit për zgjedhjen e qeverisë së re, të parat pas përfundimit të programeve fiskale dhe memorandumeve të huave të marra. Të 21 478 qendrat e votimit u hapën sot në orën lokale 07:00 dhe u mbyllen në orën 19:00.

Numri i përgjithshëm i votuesve ishte 9 903 864, nga të cilët 519 227 janë mes 17-21 vjeç. Për herë të parë edhe 17-vjeçarët kanë të drejtë vote. Numrit të votuesve në lista u hiqen 18 430 persona, të cilët kanë vdekur që pas përfundimit të zgjedhjeve për në PE, majin e kaluar. Votimi është i detyrueshëm përveç atyre që janë jashtë shtetit dhe atyre mbi 70 vjeç.

Këto zgjedhje ishin të rëndësishme edhe për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Greqi, pasi për herë të parë garuan edhe shqiptarët për të përfaqësuar bashkëkombasit e tyre në Parlamentin helen. Në garë ishin pesë emigrantë shqiptarë: Fatos Malaj, Eda Gemi, Jorgos Trihas, Anxhela Filo dhe Kristos Ducis, të cilët jetojnë në vendin fqinj prej vitesh.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb