Facebook-u njoftoi se ka pezulluar faqen e kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu për shkak të shkeljes të politikës së kompanisë që lidhet me përdorimin e gjuhës së urrejtjes. Facebook-u njoftoi të enjten se rrjeti social e ka pezulluar faqen për 24 orë.

Nëpërmjet faqes së kryeministrit izraelit u bëhej thirrje votuesve të parandalonin krijimin e një qeverie të përbërë sikurse thuhej: ”nga arabë që duan të na shkatërrojnë të gjithëve, gra, fëmijë dhe burra”. Postimi shkaktoi zemërimin e politikanëve të opozitës.

Zoti Netanjahu e mohoi të ishte ai autor i postimit gjatë një interviste për radion izraelite “Kan Reshet Bet”. Ai tha se bëhej fjalë për një gabim nga një përfaqësues i stafit të tij dhe se postimi ishte hequr.

Kryeministri izraelit Netanjahu po lufton për mbijetesën e tij politike në pritje të zgjedhjeve që mbahen javën e ardhshme. Ai po ushqen votuesit nacionalistë me gjuhë të fortë dhe premtime të një linje të ashpër. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb