SHKODER
Gjykata e Apelit në Shkodër la në “arrest me burg” 6 nga të arrestuarrit të operacionit “Maranaj” ndërsa liroi 6 të tjerë me masën “detyrim paraqitje”. Këta 12 shtetas dyshohen se i kanë lëshuar para me fajde ish-prefektit të Shkodrës, Paulin Radovani dhe dy djemve të tij. 6 shtetasit që u lanë në burg sipas Apelit dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “ushtrim pa liçensë të veprimtarisë bankare” ndërsa kanë përgjime ambjentale dhe vëzhgime të fshehta.
Shtetasi Berhan Alija u la në “arrest me burg” pasi dyshohet se i ka dhënë një borxh prej 74 mijë euro ish prefektit Paulin Radovani me fajde ndërsa këtë veprimtari sipas dyshimeve e ushtronte bashkë me djalin e tij Jonuz Alija dhe shtetasin Endri Mustafa, këta të fundit janë në kërkim policor. Jonuz Alija sipas përgjimeve i ka thënë ish prefektit “mos harro borxhin e babës”.
Edhe Edi Memçaj u la në “arrest me burg” për shkak se dyshohet për ushtrim pa liçense të veprimtarisë bankare. Ky shtetas ka disa kontrata huaje me familjen Radovani. Ish prefekti ka deklaruar për shtetasin Edi Memçaj se nuk e di shumën e saktë sa i ka borxh por është shprehur se ato para janë dhënë me fajde. Pronat e familjes Radovani që kanë kaluar në favor të Edi Memçaj dhe përgjimet për gjykatën e apelit janë rrethana të mjaftueshme që të jepet masa e sigurisë “arrest me burg”. Pretendimet e Edi Memçaj sipas gjykatës nuk i përgjigjen fazës së hetimeve.
Ilir Sokoli po ashtu u vendos masa “arrest me burg” pasi ka bërë disa takime me shtetasin Paulin Radovani. 70 mijë euro Ilir Sokoli sipas përgjimeve ia ka marrë Edi Memçaj për t’ia dhënë djemve të ish prefektit. Ilir Sokoli sipas përgjimeve i ka thënë që paratë nuk i ka të vetat. “Arrest me burg” i përgjigjet fazës së hetimit dhe jepet për të mos cënuar provat për Ilir Sokolin.
Artan Dragani, ish-kancelari u la në “arrest burg”. Në përgjime rezulton se Artan Dragani ka deklaruar se është borxh 180 mijë euro. Paulin Radovani ka thënë se i ka borxh por se di se sa ish kancelarit. Sipas ish prefektit shtetasi Artan Dragani i ka sjellë lekë nga Luksemburgu dhe ia ka dhënë me fajde ndaj gjykata në bazë të këtyre përgjimeve vendosi “Arrest me burg”.
Pashko Vuksanelaj u la në “arrest me burg” duke qenë se ai vetë ka pranuar se i ka dhënë shumën prej 150 mijë dollarësh me 3% në vit.
Shtetasi Lulzim Sylja u la në burg me afat me 60 ditë për t’i bërë ekspertizën e gjendjes së tij shëndetësore, një kërkesë kjo edhe e vetë prokurorisë. Sipas përgjimeve shtetasi Lulzim Sylja ka patur një pikë bastesh bashkë me djalin e Paulin Radovanit dhe djali i ish prefektit i ka mbetur një borxh prej 100 mijë euro dhe për këtë borxh ish prefekti i ka ofruar një pronë prej 2600 metër katror. Pretendimet për kalimin e pronës në emër të Lulzim Sylja sipas gjykatës tregojnë rrezikshmërinë e tij ndërsa do pritet ekspertiza shëndetësore nëse ka probleme me gjendjen psikike të tij siç pretendohet.
Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë në “detyrim paraqitje” për Adri Balën sepse nuk ka kryer asnjë lloj veprimi dhe thjeshtë ka qenë shoqërues. “Detyrim paraqitje” u la edhe Vinko Nikprelaj pasi vetëm i ka blerë një pronë shtetasit Paulin Radovani në shumën 140 mijë euro ndërsa është liruar edhe Marjan Bregu me “detyrim paraqitje” pasi ky i fundit ka pranuar sipas gjykatës që i ka dhënë një borxh prej 18 mijë euro me 11% në muaj dhe ky shtetas sipas gjykatës nuk paraqet rrezikshmëri për tu larguar dhe ka personalitet të mirë. Gjykata liroi edhe shtetasi Elidon Qerimaj me “detyrim paraqitje” si dhe u lirua edhe Naim Ahmeti pasi ky shtetas ka dashur ti blejë një tokë Paulin Radovanit. Gjykata ka liruar edhe shtetasin Eduart Fusha.
Gjykata e Apelit u shpreh në qëndrimin e saj se pretendimet e prokurorisë për këta 12 shtetas për veprën pastrim të veprës penale është e zbehtë dhe e paartikuluar mirë.
Menjëherë pas kësaj seance u zhvillua në Gjykatën e Apelit në Shkodër seanca për masën e sigurisë për ish prefektin Paulin Radovani. Në një sallë të boshatisur pa avokatin mbrojtës dhe pa praninë e ish prefektit Apeli la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë me masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe ndalim për të dalë jashtë vendit. Ish-prefekti akuzohet gjithashtu për veprën penale “ushtrim pa liçensë të veprimtarisë bankare” ndërsa një ditë më parë 12 të dyshuarit prej të cilëve 6 u liruan dhe 6 mbetën në “arrest me burg” e akuzojnë dhe pretendojnë se ish prefekti i ka mashtruar dhe duhet të hetohet për mashtrim. Më parë gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur “arrest me burg” për dy djemtë e ish-prefektit Robert dhe Elton Radovani të cilët që në janar janë arratisur nga Shkodra dhe nuk dihet se ku janë për shkak të borxheve që mendohen se shkojnë deri në 13 milion euro në total.
Skema u denoncua nga ish-prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani. Të përfshirë sipas prokurorisë rezultojnë ish-kancelari i Gjykatës së Shkodrës Artan Dragani, një notere dhe një efektiv policie. Gjatë operacionit u sekuestruan shumë të mëdha parash, prona të luajtshme dhe të paluajtshme. Skema ishte e tillë që nëse qytetarët ose biznesmenët nuk kthenin shumat në kohë, ata humbnin prona që kishin lënë peng me marrëveshje.
(m.a/BalkanWeb)