Emisioni Vetting në News24 ka sjellë në vëmendje një problem të hershëm, që vit pas viti agravohet, jo thjesht duke shkatërruar mjedisin, por duke prodhuar dhunë, shqetësime, dëmtime e shkatërrime banesash e deri në rrezikun e jetës për qytetarët për shkak të ndotjes. Bëhet fjalë për guroret, ndoshta ndër bizneset më fitimprurëse.
Vitin e kaluar banorët e fshatit Borizanë në Krujë protestuan kundra guroreve që me anë të përdorimit të eksplozivit denonconin përdorimin e tij pa kriter dhe në distancë të afërt me shtëpinë
Banorët ankoheshin për shkatërrimin e shtëpive, për faktin që kishin bërë denoncime në polici dhe prokurori, por kompania vazhdonte aktivitetin e pashqetësuar.
Më 7 korrik 2023, deputetja e Partisë Demokratike Merita Bakiu do të ngrinte shqetësimin e banorëve të Borizanit dhe mungesën e masave nga Prokuroria dhe Policia, por përsëri asnjë masë nuk do të merrej për problemin e banorëve.
Madje gjërat do të merrnin një kthesë akoma më dramatike, për banorët që ishin në krye të protestës për të mbrojtur shtëpitë e veta nga shkatërrimi.
Disa ditë më pas, në korrik 2023, disa nga banorët që protestuan, do të sulmoheshin dhe do të dhunoheshin në brendësi të një lokali në Thumanë nga vëllezërit e ish deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja. Bëhet fjalë për vëllezërit e fisit Maja, që në atë kohë kishin kërkuar ndërhyrjen e shtetit për të ndalur punën në një gurore, shpërthimet e pakontrolluara që aplikoheshin aty, po i shembnin banesat.
Pamjet se si u masakruan vëllezërit Maja nga pjesëtarë të fisit Rraja dolën në rrjetet sociale dhe u shpërndanë në media duke tronditur opinionin publik duke sjellë largimin e deputetit Rrahman Rraja nga Parlamenti me dorëzimin e mandatit, si edhe shkarkimin nga detyra të ish ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.
Në atë kohë, Policia e Shtetit doli me një deklaratë për shtyp, ku shpjegoi se ishte bllokuar gurorja “Delia Group”, e cila ishte në pronësi të Viktor Deliut dhe së bashku me institucionet e tjera kryen kontrolle për të matur dëmtimet në disa shtëpi, duke ia referuar rastin Prokurorisë së Tiranës.
Por edhe sot e kësaj dite, aktiviteti i guroreve në fshatin Borizanë të Krujës vazhdon dhe kjo verifikohet nga pamjet ekskluzive që sjell “Vetting” nga terreni. Banorët ankohen se guroret kanë ndikuar negativisht në jetën e tyre, duke sjellë pasoja ekonomike dhe sociale.