“Ideja është se faktet ushtrojnë forcë te njerëzit. Ato janë aty që t’i bindin ata se bota është më e mirë nga se ata e pandehin!”. Këto janë disa nga rreshtat motivuese të parathënies së shkruar nga sipërmarrësi i suksesshëm z. Samir Mane në librin “Forca e Faktit” të Hans Rosling.

Këtë të hënë, studentët e universitetit “Luarasi” patën mundësinë e artë të bashkëbisedojnë me presidentin e grupit “Balfin” mbi librin dhe eksperiencat e tij në biznes. Në takim ishte i pranishëm edhe presidenti i Hysenbelliu Group, z. Irfan Hysenbelliu.

Në emër të stafit akademik, rektori prof. dr Ethem Ruka shprehu falënderimet për vizitën e veçantë dhe vlerësoi z. Mane dhe z. Hysenbelliu si shembuj frymëzimi dhe suksesi.

“Samiri është një shembull për të gjithë ata që merren me biznes, sepse ka ndërtuar një biznes të pastër në një vend me plot vështirësi. Falenderojmë dhe presidentin e grupit Irfan Hysenbelliu i cili na ka nderuar me pjesëmarrjen e tij. Biznesmenët besoj se kanë të njëjtën histori, kurajo dhe që nuk mposhten kurrë përpara vështirësive të gjithë gjithmonë në një shteg për të ecur përpara. Janë shembuj që duhet të na frymëzojnë”,tha Ruka në fjalën e tij.

“Forca e Faktit” vlerësohet nga Samir Mane si një libër unik i cili përcjell idenë se faktet janë më të rëndësishme sesa perceptimi. Ai i dhuroi bibliotekës së universitetit shumë kopje në mënyrë që studentët mos ta humbasin librin që sipas biznesmenit “ka sfiduar shumë të ‘vërteta’ të pavërteta”.

“Libri një vlerë unike. Faktet janë më të rëndësishsme sesa perceptimi. Libri tregon se perceptimi i realitetit që kemi është natyrisht shumë herë i ndryshëm nga faktet. Ju sugjeroj ta lexoni dhe jam i sigurt që do të gjeni elementë të rëndësishëm se si shoqëria perceptohet”, tha z. Samir Mane.

Presidenti i “Balfin Group” ndau me studentët e Luarasi eksperiencat e tij pozitive dhe negative duke i këshilluar mbi karrierën si sipërmarrës në të ardhmen. Mane shtoi se ky rrugëtim i nisur nga zero ka pasur shumë sfida, vështirësi, humbje dhe fitore.

“Unë jam një nga ata njerëz si puna e kolegut Hysenbelliu që kemi filluar nga zero. Me të gjitha vështirësitë që na ka shoqëruar në këtë proces ndjehemi mirë. Optimizmi vjen nga puna. Shqipëria ka vështirësitë e veta, të gjithëve na takon që të marrim pjesë që Shqipëria të bëhet më mirë. Por unë dhe kolegu Hysenbelliu jemi nga njerëzit që duam një shqipëri më të mirë”,-u shpreh sipërmarrësi.

 

Për z. Samir Mane, turizmi është industria e vetme që mund të çojë para Shqipërinë, duke dhënë më tej disa alternativa të vyera se si kushdo mund të kontribuojë për të mirën e vendit.

“Turizmi është e vetmja industri që mund ta çojë Shqipërinë përpara. Pa dyshim që dhe grupi jonë do merret me turizmin, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në rajon”,-iu tha presidenti i Balfin Group të pranishmëve.

Takimi i paraprin nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit midis Universitetit “Luarasi” dhe “Balfin Group”. Presidenti i këtij të fundit iu garantoi studentëve shumë mundësi intershipi dhe praktika pune, duke iu ofruar kështu mbështetje maksimale në rrugën drejt suksesit.

“Shumë shpejt, strukturat tona do të firmosin një marrëveshje me ju që të merrni pjesë aktive në të gjitha vendet ku ne kemi mundësi që tju marrim si praktikantë. Do të keni, nga nesër edhe aksesin për vendet e reja të punës, të cilat janë të shumta, si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ne kemi një program ‘bring your idea’. Nëse keni ndonjë ide, ne kemi struktura të posaçme që brenda një jave ju kthejmë përgjigje nëse ajo funksionon. Unë dua t’ju ndihmoj që të bëheni si ne”,-theksoi Mane në fjalën e tij.

Balfin është një nga grupet më të mëdha të investimeve private në Shqipëri dhe rajon. Në këtë mënyrë Luarasi vijon bashkëpunimet e fuqishme duke sjellë pranë studentëve eksperiencat më të mira, me synim përgatitjen e profesionistëve në tregun e punës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: