TIRANË

Gjykata e Tiranës liroi nga burgu administratorët e kompanive të transportit urban në kryeqytet, të cilët falsifikonin biletat e udhëtarëve duke përfituar shuma të mëdha parash, përmes shmangies së detyrimeve tatimore. Në qeli u kyçën vetëm dy punonjës të thjeshtë.

Ferdinand Ibrahimi, administrator dhe aksioner i vetëm i subjektit Ferlut, u dërgua në arrest shtëpie, bashkë me të birin Anastasin dhe financieren Klodiana Qato. Në këmbim të lirisë së tij dhe të birit student, Ibrahimi ofroi garanci pasurore 6 milionë lekë, por që nuk u pranua nga gjykata.  Të njëjtin fat me ta, pati administratori i kompanisë, “Alba Trans”, Fatos Vrapi. Këtij të fundit iu pranua edhe garancia pasurore ne shumën prej 10 mijë eurosh, ndërsa iu ndalua e drejtën për të dalë jashtë vendit.

Bashkëshortja e tij, Albana Vrapi, bashkëadministratore në kompani u lirua nën masën e detyrimit për paraqitje. Me kërkesë të prokurorisë për arsye familjare, u lirua edhe Erisa Vora, administratore e shoqërisë Tirana Urban Trans. Ndërsa, në burg mbeten të dyshuarit  Lulzim Allaraj dhe Aldi Duka, përkatësisht punonjës në dy kompanitë e transportit Urban të cilët kishin detyrë pajisjen me blloqet e biletave pranë drejtorisë së tatimeve.

Ndaj të dyshuarve, rëndojnë akuzat: “falsifikimi i letrave me vlerë” kryer në bashkëpunim dhe “fshehja e të ardhurave”. Sipas prokurorisë hetimet ndaj tyre nisën pas ankesës që bëri shtypshkronja e letrave me vlerë, sipas së cilës disa operatorë shpërndanin bileta, të cilat nuk prodhoheshin prej saj.

Mbi këtë bazë, inspektorët e tatimeve, kryen një kontroll në autobusët e linjave të Porcelanit dhe Tiranës së Re dhe konstatuan pasagjerët ishin pajisur me bileta false.

Në seancën me dyer të mbyllura mësohet se prokurori i paraqiti gjykatës prova të forta kundër të dyshuarve, si biletat false, mandate arkëtimi, si dhe përgjime telefonike. Në dosje thuhet se Ferdinand Ibrahimit u përpoq të zhdukte provat dhe kjo provohet nga një bisedë telefonike që bëri me të birin, të cilit i kërkoi të digjte materialet. Në momentin kur policia e ndaloi në makinën luksoze, Anastas Ibrahimit iu bllokuan mijëra bileta të falsifikuara të vendosura në një valixhe blu.

Ferdinand Ibrahimi dha shpjegime përpara gjykatës, pa mundur të sqarojë se sesi biletat janë falsifikuar, por nga ana tjetër u shpreh se ka bërë dhjetëra kallëzime ndaj punonjësve të kompanisë së tij, kryesisht faturinove, për të cilët kishte dyshime se falsifikonin biletat për shkak të cilësisë së dobët. Për këtë shkak, ai pretendoi se i është drejtuar me shkresë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që të zëvendësonte sistemin e pajisjes së biletave me dorë, duke e bërë me kupon kasë, pasi në këtë mënyrë nuk do të kishte më abuzime. Edhe fatos vrapo tha se kishte bërë të njëjtin propozim, por nuk ishte marrë në konsideratë nga institucionet.

Pavarësisht pretendimeve të ngritura nga administratorët e shoqërive, prokuroria ka dyshime të forta se ata kanë bashkëpunëtorë edhe brenda institucioneve shtetërore, e për këtë shkak ka zgjeruar rrethin e të hetuarve.

Të dyshuarit:

Ferdinand Ibrahimi –administrator dhe ortak i vetëm i “Ferlut” – arrest shtëpie

Anastas Ibrahimi – arrest shtëpie

Klodiana Qato – arkëtare e firmës “Ferlut” arrest shtëpie

Erisa Vora – administratore e shoqërisë Tirana Urban Trans – detyrim paraqitje

Lulzim Allaraj – punonjës i shoqërisë Tirana Urban Trans – arrest me burg

Albana Vrapi – administratore e shoqërisë “Alba Trans” – detyrim për paraqitje

Fatos Vrapi – administrator i shoqërisë “Alba Trans” arrest shtëpie

Aldi Duka –punonjës i shoqërisë “Alba Trans” – arrest me burg

Akuzat: “Falsifikimi i letrave me vlerë” dhe “fshehje e të ardhurave”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb