ELBASAN- Dy persona me funksion ish-drejtor dhe Nëndrejtori i Shkollës së Mesme “Mihal Shahini” në qytetin e Cërrikut, janë arrestuar pasi akuzohen për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe  “falsifikim të dokumenteve shkollore”. Burime të Policisë bëjnë të ditur se “sektori kundër krimit ekonomik mëngjesin e sotëm finalizoi operacionin e koduar “Amza” duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të 38-vjeçarit Albion Vogli ish-drejtor i shkollës së mesme si edhe Koço Kominos, 48 vjeç me detyrë Nëndrejtor i po kësaj shkolle.

Bëhet e ditur se në bashkëpunim me njëri tjetrin gjatë pesë viteve të fundit ata kanë lëshuar dëftesa të shkollës së mesme të falsifikuara kundrejt edhe pagesës. Mësohet se personat me iniciale E.B., M.R., si edhe S.B., të tre banorë në qytetin e Cërrikut po procedohen penalisht në gjendje të lirë pasi janë pajisur me këto dëftesa false.

Krimi Ekonomik  po heton për të gjetur edhe persona të tjerë të cilët mund të jenë pajisur me dëftesa false nga dy zyrtarët. Materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për hetime të mëtejshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: