TIRANË- Tre ish-zyrtarë të Drejtorisë së Prokurimeve Publike në Policinë e Shtetit janë ndaluar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, pasi akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim të dokumenteve. Sipas hetimeve të prokurorisë ka rezultuar se tre punonjësit kanë falsifikuar projektin për vendosjen e kamerave të Tiranës, duke rritur koston me rreth 76 mln lekë të reja. Gjithashtu ata dyshohet se kanë kryer procedura fiktive për tenderin, i cili është hapur pasi është bërë instalimi i kamerave.

Më konkretisht, janë ndaluar K. Kukaj, ish-shef i Sektorit të Prokurimeve; A. Hysko, ish-specialist i Sektorit të Prokurimeve dhe B. Martini, ish-juriste e Sektorit të Prokurimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Nga hetimi i Prokurorisë, në bazë të materialit të referuar dhe me bashkëpunimin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, rezulton se K. Kukaj ka konsumuar elementët e veprave penale së pari në prokurimin publik për vendosjen e kamerave të Tiranës.

Nga hetimet e kryera për autenticitetin e këtij projekti nga ana e Prokurorisë është arritur ne konkluzionin e provuar se, projekti i kamerave të Tiranës, zhvilluar në dhjetor të vitit 2010, është falsifikuar edhe në përmbajtjen e tij edhe në kosto,  duke e rritur këtë te fundit me 75. 8 milionë lekë të reja mbi koston fillestare

Po ashtu, nga hetimi i prokurorisë rezulton se anëtarët e Komisionit të Negocimit të realizimit të procedurës për “Instalim i sallës operative dhe sistemit të kamerave të qytetit të Tiranës”, me  fondin prej 165.000.000 lekësh, të vëna në dispozicion të Policisë së Shtetit nga buxheti i shtetit”, K. Kukaj, B. Martini dhe A. Hysko, kanë kryer procedura fiktive. Sipas të dhënave të përftuara nga hetimi, rezulton se pasi janë kryer instalimet e nevojshme, anëtarët e Komisionit kanë hapur procedurat e prokurimit publik.

Pra, krijohen dyshimet e arsyeshme se procedura e prokurimit publik në këtë rast është tërësisht fiktive, pasi tenderi është realizuar pasi kishte përfunduar marrja e shërbimit.

Në kuadër të këtyre hetimeve, Prokuroria e Tiranës ka krijuar dyshimet se këta shtetas, me veprimet dhe mos veprimet e tyre në mospërmbushje të rregullt të detyrës kanë sjellë pasoja të renda në rregullshmërinë ligjore të veprimtarisë së administratës publike në mirëmenaxhimin e fondeve publike;

Anëtarët e këtij komisioni në mospërmbushje të rregullt të detyrës, në kundërshtim me dispozitat ligjore që rregullojnë marrëdhëniet e vendosura për sigurimin e veprimtarisë se rregullt të aparatit shtetëror të mbrojtura posaçërisht nga legjislacioni penal; nga veprimet ose mosveprimet kriminale, me veprimet e tyre kanë sjelle pasoja të rënda në veprimtarinë e rregullt të strukturës ku ata kanë kryer funksionet e tyre në Policinë e Shtetit dhe njëkohësisht u kanë sjellë të tretëve përfitime materiale dhe jomateriale të padrejta duke dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit; duke konsumuar me dashje elementët e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb