Nga: SAIMIR LOLJA *
Një arkitekturë europiane shkakton ndjenja europiane dhe projekti i deritanishëm i faltores myslimane nuk shkon në drejtimin europian. Të jesh pjesë e qytetërimit europian nuk do të thotë të “hysh në BE” vetëm për pasaportë, vetëm dhe vetëm për disa politikanë që kanë vite që kanë “hy në BE”. Ata që janë votuar si përfaqësues dhe qeveritarë të popullit shqiptar ushtrojnë përgjegjësi qytetarie dhe europiane për t’u shërbyer vetëm përparimit dhe bashkimit shqiptar nëpërmjet vendimeve të tyre, përfshirë edhe ato në lidhje me faltoret shpirtërore. Përndryshe, vendimet për faltoret shpirtërore bëhen për qëllime të përfitimeve politike dhe vetjake, duke përdorur monedha fetare joshqiptare.
Projekti i deritanishëm i Xhamisë së Madhe në kryeqytet (dhuratë nga qeveria e shkuar), e kthen Tiranën në një “Stamboll të vockël”, sepse, si në Stamboll apo vendet arabike, si në Tiranë, do jetë e njëjta pamje. Dhe Turqia me shumë entuziazëm do e investonte një ndërtim të tillë. Zgjidhje për faltoren myslimane është ndërtimi i një arkitekture të ngjashme me atë në Rijeka të Kroacisë ose Strasburg të Francës, të dyja të përfunduara në vitin 2013.
Me një faltore myslimane të stilit europian, shqiptarët dhe joshqiptarët do i përfytyrojnë shqiptarët si pjesë të Europës Juglindore, pjesë të Europës, jo pjesë të Ballkanit osman, jo një zgjatim anadollak, jo mbartës të të jetuarit dhe të menduarit arab që nuk e meritojnë qytetërimin dhe kujdesin europian. Kurdoherë që një xhami e madhe të shihet apo dëgjohet së është në Tiranë e ndërtuar me stilin anadollak ose arabik, Shqipëria do përfytyrohet si Albanistan, përtej gardhit të qytetërimit dhe Bashkimit Europian, si një vend që nuk mbart të drejta dhe detyrime europiane, si një vend që nuk ndërton Europën dhe për Europën, si një vend akoma nën sundimin osman, si një vend i skllavëruar me prapambetjen dhe që nuk i hap rrugën vetvetes drejt qytetërimit europian, me një popullsi që i shmanget ndriçimit europian dhe shijes europiane.
Tradita e besimit islamik shqiptar ka veçantitë e tij dhe ka qëllim kombëtar mbi të gjitha. Shqiptarët nuk janë arabë dhe të ushtruarit e besimit islam në Shqipëri është europian. Këto mesazhe dalluese dhe kombëtare kërkojnë të shprehen dhe përfshihen në arkitekturën e projektuar të faltores së madhe myslimane që parashikohet të ndërtohet. Faltoret fetare janë qendra shpirtërore ku një njeri për veten e tij dhe me vullnet të lirë mund të gjejë paqe, respekt, harmoni dhe lehtësim.
Përparimi dhe bashkimi shqiptar nuk arrihet me ndërtimin prej grekëve bizantinë të katedrales ortodokse dhe prej turqve osmanë të xhamisë në Tiranë; të dyja të bekuara prej serbëve. Edhe bizantinët serbë, grekë, rusë, bullgarë etj., edhe osmanët (si vazhdues të Perandorisë Bizantine), i përdorin kishat e xhamitë për qëllime politike, pushtimi ushtarak dhe shpirtëror, për qëllime spiunazhi, për qëllime tjetërsimi të vetëdijes dhe vëllazërisë kombëtare.
Projekti i paramenduar i faltores së madhe myslimane në Tiranë nuk pasqyron modelin shqiptar europian për të ardhmen. Projekti i paramenduar i xhamisë është i papërshtatshëm, sepse ai jep xhami shumë më të madhe se çdo gjë edhe përreth tij edhe në Tiranë, përfshirë edhe xhamitë e tjera. Ajo ndërtesë do të duket si Pallati i Kulturës dhe Shkencës në qendër të Varshavës në Poloni, ndërtuar nga rusët më 1955 dhe polakët edhe sot e kësaj dite e quajnë çiban në Varshavë. Projekti i paramenduar i xhamisë është i papërshtatshëm, sepse është shumë më i madh se faltoret e feve të tjera të ndërtuara përbri. Projekti i paramenduar i xhamisë është i papërshtatshëm, sepse jep xhami shumë më të madhe se Kuvendi dhe godinat e tjera shtetërore. Projekti i paramenduar i xhamisë është i papërshtatshëm, sepse ka shumë më tepër shërbime dhe ambiente sesa do i nevojiteshin një faltoreje shpirtërore dhe atyre që i falen Zotit sipas mënyrës myslimane.
Një xhami e tillë nënkupton se Turqia osmane dhe jo Europa ka vënë këmbë në Shqipëri. Atë që osmanët nuk e bënë me forcën e armëve, duket se po e riprovojnë me anën e ideve emocionale. Kjo përputhet me thënien e Viktor Hygosë (1802-1885) se: “Një popull mund t’i bëjë ballë pushtimit ushtarak, por nuk mund t’i bëjë ballë pushtimit prej ideve”. Rruga e Bashkimit Europian është drejt Perëndimit dhe jo drejt Lindjes. Qytetaria dhe përparimi shqiptar maten me kutin europian. Një kostum, një makijazh fytyre apo diplomat për mur nuk vlejnë në këtë drejtim. Qytetërimi europian dhe Besa shqiptare kërkojnë së pari dhe mbi të gjitha sinqeritet. Drita e qytetarisë dhe e lirisë së fjalës shqiptarëve iu vjen nga Perëndimi. I dinë ata që pritet t’i dinë këto?
Rijeka, Kroaci, 2013

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: