Familja e një shtetasi amerikan, që po mbahet nga Shërbimi Federal i Sigurisë në Moskë, nën dyshimet për spiunim, tha se ai është i pafajshëm dhe se ka qenë në Moskë për të marrë pjesë në një dasmë.


Paul Whelan, marins i pensionuar, është dëgjuar për herë të fundit më 28 dhjetor, tha familja e tij përmes një deklarate, të cilën e siguroi Radio Evropa e Lirë.


“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e tij. Pafajësia e tij është e padyshimtë dhe ne besojmë se të drejtat e tij do të respektohen”, thuhet në deklaratë.


Ndalimi i Whelan u raportua më 31 dhjetor, një ditë pasi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Moska mbetet e hapur për dialog me Uashingtonin.

Mediat ruse raportuan se Whelan mund të përballet me 10 deri në 20 vjet burgim nëse gjendet fajtor, por nuk dhanë detaje të tjera.