Pas tragjedisë që tronditi Shqipërinë, ku 14-vjeçari Martini Cani humbi jetën pas një sulmi me thikë pranë shkollës, familja e tij ka thyer heshtjen. Në një intervistë të dhënë pas ngjarjes, babai i tij, Ëngjëll Cani, ka rrëfyer momentet e tmerrshme kur mori vesh për plagët e rënda të të birit dhe më pas për humbjen e tij.

Martini, një djalë i dashur për shokët e tij dhe një lider natyror, sipas të atit, ishte shembull i një djali me ëndrra të mëdha, që dëshironte të bëhej futbollist dhe të jetonte një jetë të lumtur. Por pas një sulmi të papritur me thikë, Martini humbi jetën nga një plagë në zemër, ndërsa babai i tij u shpreh i shokuar nga humbja e papritur.

“Bota më ra përmbi kokë,” tha Ëngjëll Cani, duke shtuar se ai nuk mund të besonte se diçka e tillë mund të ndodhte në derën e shkollës, një vend ku Martini kalonte shumicën e kohës së tij. “Martini ishte model, shembullor. E donte gjithë lagjia, ishte humorist dhe lider. Nuk kam fjalë ta përshkruaj,” shtoi ai.

Një mesazh i fortë nga familja Cani ishte kërkesa për paqe dhe drejtësi. Ata theksuan se nuk kërkojnë hakmarrje, por vetëm që djali i tyre të prehet në paqe. Nëna e Martinit, mes lotësh, tha se djali i saj ëndërronte të bëhej futbollist i njohur dhe të realizonte ëndrrat e tij. “Martini thoshte do bëhem futbollist i madh,” tha ajo për Top Channel.

Për sa i përket autorëve të krimit, familja Cani shprehu se deri tani nuk kanë marrë asnjë informacion nga familja e autorit dhe se nuk kanë marrë asnjë ngushëllim. “Ne nuk duam hakmarrje, duam paqe. Ne duam të largohemi nga këtu dhe të shkojmë në SHBA te vëllai im. Mos i ndodhtë askujt,” tha babai i Martinit.

Kjo ngjarje tragjike ka ngritur shqetësime mbi sigurinë në shkolla dhe nevojën për më shumë masa për mbrojtjen e fëmijëve. “Nëntë vjet ka qenë në atë shkollë. Unë jetoja në Londër dhe kisha të drejta të siguroja sigurinë e klientëve të mi, jo më në shkolla. Nuk mund ta imagjinoj që kjo të ndodhte aty,” tha babai i Martinit, duke theksuar se çdokush duhet të ndiejë dhembjen e humbjes së një fëmije të pafajshëm.

Familja Cani ka kërkuar që autoritetet të veprojnë shpejt dhe të sigurojnë që drejtësia të bëhet, duke nënvizuar se tragjedia e Martinit duhet të shërbejë si një thirrje për ndryshim dhe përmirësim të sigurisë për të gjithë fëmijët në shkolla.

Ëngjëll Cani rrëfeu edhe takimin e fundit me të birin.

“Luajti një ndeshje me Kavajën, më tha luajta shumë mirë, do të bëhem futbollist me Kombëtaren. Më tha do të më marrë xhaxhi me vete sepse e kemi gjysmën e familjes në Amerikë. Xhaxhai i ushqente që do të marr në Amerikë për shkollë. Këto ëndrra kishte ai djalë. Ai flinte me topin, kishte qejf të bëhej si Cristiano Ronaldo”, tha Cani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb