Dje një shtëpi e thjeshtë gjirokastrite, sot Shtëpi Muze e rikonstruktuar nga e para. Është banesa e shkrimtarit Ismail Kadare që këtë ditë të shtune e ka emocionuar së tepërmi njeriun e letrave. Kadare, motra, e shoqja Helena janë rehatuar në një nga odat e shtëpisë. Në banesë ia kanë behur dhe miq të shkrimtarit, shokë fëmijërie, shokë të shkollës. Të gjithë u ulën këmbëkryq në qilimat e odës. Kadare i ka qerasur me nga një gotë dhe ka biseduar me ta shtruar mbi cështje të ndryshme, përfshirë dhe ato politike. Ishte në humor, shkëmbeu batuta me miqtë të cilët e shihnin nga pranë të ngadhënjyer, si rrallë herë. Sepse rrallë shkon në vendlindjen Gjirokastër, Kadare…

Arkitekti i dorezon celesin Kadarese
Shkrimtari ynë i mirënjohur Ismail Kadare është shfaqur i përmalluar para kamerave mëngjesin e së shtunës teksa vizitonte shtepinë ku lindi dhe u rrit, në “sokakun e të marrëve” në Gjirokastër. Ai ka qenë i vemendshëm teksa hetonte ndryshimet e shtëpisë së të rikonstruktuar dhe është interesuar për të konstatuar më mirë ndryshimet mes asaj që ai kishte në kujtimet e librat e tij dhe asaj qe po shihte pas kaq vitesh… Shkrimtari me bashkëshorten Helenen dhe të motrën, kanë shetitur mjediset e shtëpisë të shoqëruar nga arkitekti Agron Doraci, i cili është marrë me restaurimin e shtëpisë së ndërtuar në vitin 1677. Arkitekti Doreci i dorëzoi celësin e shtëpisë zonjës Kadare …Kadare jo me pak emocione sëbashku edhe me miqtë e fëmijërisë pa nga afër arredimin e shtëpisë të kthyer në muze. Është pikërisht romani “Kronikë në gur” ku cdo përjetim i hedhur mbi letër, ka marrë jetë pikërisht nga kjo shtëpi e ndërtuar me një stil të rafinuar dhe të rrallë për kohën. Të pranishmit kanë parë nga afër Kadarenë të emocionohet dhe me lot në sy, teksa ritakonte mjediset e shtëpisë ku lindi dhe u rrit. Kadare u ul në odën e miqve , ku priti të afërmit, miqtë dhe shokët e fëmijërisë, por edhe përkthyesit e veprës së tij. Kadare iu tregoi miqve në odë detaje nga fëmijëria e tij, nga koha kur ai filloi të ndihej e të bëhej shkrimtar ….
Disa nga objektet që ndodhen brenda shtëpisë tashmë muze, janë dhuruar nga vetë familja Kadare.

Rikonstruksioni i baneses
Shtëpia e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare ka përfunduar së restauruari në Gjirokastër ne janar 2016, ne muajin e 80 vjetorit te lindjes së shkrimtarit shqiptar të përkthyer në mbi 50 gjuhë. Arkitekti Agron Doraci, ka punuar për restaurimin e shtëpisë komplet te amortizuar.
Shtëpia e Kadaresë u restaurua pas gati 30 vitesh dhe do të administrohet nga Bashkia e Gjirokastrës dhe Ministria e Kulturës.
Të dy institucionet e shpallën 2016 si Vitin Kulturor të Ismail Kadaresë.

(d.b/anisa.ymeri/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: