NGA ARMIR MEHAJ*

PUKË- Skamja e mjerimi duket se nuk janë shkëputur kurrë nga dera e familjes Ndoci në Rukaj të Lufit në Pukë, aty ku shtatë anëtar të një familje jetojnë në një banesë të vogël pa dritare, pa shtrojë e mbulojë. Ndoc Ndoci dhe bashkëshortja e tij Pashkja janë dy të moshuar që mbajnë me bukë anëtaret e tjerë të familjes me pensionet e të dyve, një shumë që arrin 14 mijë lekë të reja në total.

Amortizimi i banesës nuk i lë të qetë kurrë këta dy të moshuar të cilët nuk kanë lënë derë pa trokitur për ndihmë, por askush nuk u jep qoftë dhe një fije shprese.

“Kam trokitur në çdo derë, qoftë dje kur ishte PD në pushtet ashtu dhe sot kur është PS, askush nuk më ndihmon. Fukarain e kujtojnë vetëm kur duan votat, herë tjetër as që do të më shikojë kush. Jemi në pikën e hallit, kështu nuk jetohet por halli të bëka gjithqysh” thotë i zoti i shtëpisë, Ndoc Ndoci.

Rreth të 70-ve, Pashkja e cila prej katër vitesh zgjohet e ngrysur e përlotur për humbjen e të birit në Greqi, thotë se sikur dikush t’i rregullonte shtëpinë vdekja do e gjente më të qetë.

“Nuk do doja asgjë tjetër veç ta shikoja një herë këtë shtëpi të rregulluar. Atëherë do vdisja e qetë. Kemi një jetë që jetojmë këtu mes malit e ujit pa ju gëzuar kurrë jetës si të gjithë të tjerët”, thotë e moshuara.

Banesa e vogël e Ndocajve në Rukaj ka nevoje për çati, tavan dyer e dritare, të cilat në total nuk i kalojnë vlerën e 500 mijë lekëve të reja, çfarë do qetësonte shpirtrat e trazuar të kësaj familje.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: