NGA LIRA GJIKA*
Familja, “janë” kufijtë e parë që individi “njeh” për të kanalizuar zhvillimin e tij drejt vetes sociale dhe sistemit të vlerave. Familja është strukturë natyrore që siguron ekzistencën e çdo gjallese. Është mahnitëse siguria që iu transmeton kjo strukturë pjesëtarëve të saj. Ajo, ndër kohëra, i ka dhënë individit emrin, shkallën shoqërore dhe mundësinë që të vetorganizojë të njëtën strukturë për të siguruar vazhdimësinë.

Familja është mjedisi i parë i të perceptuarit të nivelit ekonomiko-social, kombit, gjuhës, kulturës të cilëve iu përket. Marëdhëniet në familje duhet të ndërtohen nëpërmjet mekanizmave të dashurisë si: njohja, përgjegjësia, respekti, liria dhe jo nëpërmjet mekanizmave të paranojës si: papërgjegjshmëria, dyshimi, xhelozia, hakmarrja dhe urrejtja. Familja duhet të përfaqësojë vendin ku njeriu nuk duhet të ndjehet i frikësuar, i shtirur apo i “kontrolluar”.

Në familje, individi mëson të zgjerojë hapësirat që i nevojiten për të zhvilluar veten në mënyrë që të mund të ndjejë, kuptojë dhe perceptojë kapacitetet dhe limitet e vetvetes; të pranojë tjetrin pa paragjykime.

Familja, është vendimi i dy individëve të rritur, i marrë me shpirt e mend për të udhëtuar së bashku në kohë për sa të jetë e mundur më shumë.

Vetëm dy persona që kanë potencialin të jetojnë vetëm (jo ata që mbeten fillikat dhe të mjerë, por ata që janw te afte te jetojne jeten e tyre), që nuk kanë nevojë për tjetrin për të kuptuar ekzistencën e tyre, mund të krijojnë lidhje të shëndetshme, jo dipendente.
Familja duhet të jetë vendi më i sigurtë, vendi ku gjykohemi më pak se kudo tjetër, aty ku pranohemi ashtu si jemi dhe nuk kemi frikë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: