Prej disa muajsh streha e familjes Lako në Korçë është lulishtja. Ata nuk kanë as bukë të hanë dhe as shtëpi ku të fusin kokën. Edhe ndihma ekonomike që kjo familje merrte, iu është ndërprerë. Kryefamiljarja Valbona Lako me lot në sy tregon vështirësitë që kalon çdo ditë me tre fëmijët e sëmurë të cilëve duhet t’u sigurojë ushqimin dhe ilaçet.


“Nuk mund të jetojmë më në lulishte. Fëmijët janë të sëmurë, mezi u siguroj ushqim. U marr ushqim në kishe, por s’mjafton”, tha Valbona.
Tre fëmijët, dy djemtë dhe motra e tyre edhe pse të sëmurë, nuk i lënë pas mësimet. Me librat që u kanë falur ata mësojnë në stola, ku temperaturat shkojnë edhe nën 0.


Kushtet e vështira ekonomike detyruan këtë familje të braktiste barakën që e kishin me qira, pasi nuk mund ta paguanin dhe tashmë mbeten në qiell të hapur. Valbona thotë se ka bërë disa kërkesa për ndihmë në bashkinë e Korçës, por nuk ka marre asnjë përgjigje.


Fëmijët jetojnë me shpresën që një ditë edhe ata do të kenë një shtëpi dhe ushqim të mjaftueshëm. Mes lotësh këta nëna dhe babai i tyre bëjnë thirrje që dikush të kthejë kokën nga ata dhe t’i ndihmojë.

(m.k/BalkanWeb)