Historia e familjes Saraçi u trajtua në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” këtë të premte. Familja ka një histori trishtuese. Jo vetëm që banojnë në një barake por detyrohen të mbledhin nëpër kazanët e mbeturinave bidonë për të mbajtur frymën gjallë në Karbunarë të Lushnjes.

Kryefamiljari, Petriti sakrifikon më shumë duke punuar 20 orë, ditë dhe natë për të siguruar një thes me miell çdo muaj, ndërsa gruaja dhe vajza punojnë tokën dhe kullosin ca dhi. Ata kanë rrëfyer vetë historinë e tyre dhe vështirësitë që hasin çdo ditë ku lufta më e madhe është ajo me urinë.

Dashuri Saraçi, nëna e tre fëmijëve: Familja ime përbehet nga 5 anëtarë. Tre fëmijë, unë dhe burri. Jetojmë në kushte shumë të vështira, kam 15 vjet që vuaj. Bëj punët e shtëpisë, merrem me dhi, me gatimin, punojmë edhe tokën. Fëmijëve nuk ua plotësoj dot kushtet, më është mërzitur jeta, mendoj vetëm për fëmijët. Mërzitem, dal tek toka, qaj, që mos të më shikojnë fëmijët. Fsheh lotët.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Petrit Saraçi, kryefamiljar: Këtë barakë e kam blerë 50 mijë leke të reja. Vetëm këtë kam. Në dimër është aq ftohtë, katastrofë, shiu bie edhe brenda barakës. E kemi mbuluar me plastmasë, por prapë pikon. Nuk mban çatia është më llamarine. Nuk kam mundësi ta largoj familjen time nga ky vend. Fëmijët i kam të pangrënë… Më vjen turp nga fëmijët.

Petriti thotë se nga pamundësia ka tentuar të helmojë veten.

“Kam tentuar dy, tre herë të helmoj veten por më ka ndaluar gruaja. Kam marrë fostoksinë në dorë, mi ka hedhur gruaja. Më dhimbsen si gruaja edhe fëmijët, por nuk kam çfarë të bej. Është e pamundur.

Babai i tre fëmijëve tregon se i detyron djemtë të mbledhin bashkë më të bidonë nëpër kazanë.

“I kam marrë djemtë të mbledhin bidonë, që mos të marrin rrugën e keqe. Dua ta fus në punë. Ngrihem në tre të mëngjesit vij në shtëpi në orën 11 të natës. I grumbulloj dhe i çoj i shes”
Dashuria tregon se burri i saj fiton 2 mijë deri në 3 mijë lekë të vjetra në ditë dhe se mund të blejë vetëm një thes miell në muaj me ato para që grumbullohen.
Djalit të madh Markeljanit, i është thyer krahu, për atë më vjen të vras veten. Më dhimbset shpirti për atë, vuaj shumë për atë. Thonë bota, po ky ca prindi është që nuk shëron fëmijën e tij. Nuk kam mundësi ta kuroj”

Markeljani: Mbledhin kanoçe e bidonë, ndihmojmë babin me sa mundësi kam. Në behar dal me dhi. Kam krahun e thyer në tre vende. E kam thyer për herë të parë në klasë të parë kur isha i vogël. E futa në allci por pastaj më lëvizi kocka

Marisol: Nuk jetohet kështu si ne, kanë shoqet e mia shtëpi, unë nuk kam, dua të kem edhe unë shtëpi si ato. Nuk kam çfarë të bej. Më tha njëherë shoqja ime, dua të vij tek shtëpia jote, por nuk kisha si ta fusja. I thashë mos hajde. Ajo nuk erdhi. Një ditë më tha do të sjell disa rroba, pranova. Kështu jetojmë ne me ndihmën e njerëzve, na sjellin rroba. Ndonjëherë dua të dal edhe unë me shoqet. Nuk dal dot. Buka që gatuan mami nuk mjaftojnë, në shkollë shkojmë të pangrënë. Lekë nuk kemi. Kemi kushte shumë të vështira, babi fle jashtë barakës, nuk futet brenda.

Petriti thotë se edhe në dimër flinte jashtë barakës “ Ja këtu fle jashtë me dy batanije, me plastmasë, kalamajtë brenda janë pa ngrohje, nuk e paguaj dot energjinë elektrike. As fëmijët nuk i le dot jashtë të flenë. Unë nuk fle dot brenda pasi nuk ka vend për mua brenda barakës. Ja fle këtu jashtë gjithmonë…”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb