STRASBURG
Gjykata e Strasburgut, e vënë në lëvizje nga avokati Elton Hyseni, urdhëron shtetin shqiptar të mos dëbojë shtetasin turk Selami Simsek.
Gazetarja Klodiana Lala rpaorton për “Balkanweb” se masa e sigurimit të padisë iu është komunikuar palëve ditën e sotme.
Strasburgu urdhëron autoritetet mos ta dëbojnë, derisa të përfundojnë procedurat gjyqësore për Simsek. Turku pretendon se persekutohet nga shteti turk, për shkak se familjarë të tij janë dënuar si mbështetës të klerikut Fehtullah Gylen.
Më herët, Gjykata Administrative rrëzoi padinë për Selami Simsek, i cili kërkoi azil në Shqipëri, me argumentin se përndiqet nga autoritetet në Turqi, pasi pjesëtarët e familjes së tij janë mbështetës të lëvizjes Gylen.
Simsek paditi Drejtorinë e Azilit dhe shtetësisë në Ministrinë e Brendshme dhe Komisionin Kombëtar për azilin dhe refugjatët dhe kërkoi nga gjykata t’i urdhëronte këto dy institucione t’i pranonin kërkesën e tij për azil në vendin tonë. Ai rrezikonte të ekstradohej në Turqi, si miku i tij Harun Çelik.
(d.xh/ Balkanweb)