Sali Berisha është ndalur sot në Cërrik, ku ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Servet Duzha.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë Duzhën, që sipas tij është një personalitet i nderuar dhe që të gjithë ia njohin vlerat.
Berisha u shpreh se nëse qytetarët mendojnë se janë më mirë se 8 vite më parë, të vazhdojnë të votojnë këtë qeveri, por nëse sipas tyre këto vite siguria dhe mirëqenia e tyre është me e keqe, atëherë të votojnë koalicionin “Bashkë Fitojmë”.
“Është nder për të paraqes për kandidat zotin Duzha. Është një nga veprimtarët më të përkushtuar të PD, sikundër dhe njëri prej qeveritarëve vendor më te suksesshëm që kjo parti ka pasur.
Me 14 maj ju ftoj të votoni Duzhën, të cilin ju e njihni në të gjitha aspektet, i njihni vlerat e tij menaxhuese, familjare e morale, ndjeshmërinë dhe dhimbshmërinë që ka për ju, transparencën, përkushtimin e madh që të ndryshojë me të gjithë mundësitë për mirë jetesën tuaj dhe gjendjen në Cërrik.
Të gjithë kandidatët tanë kanë dhe një veçanti tjetër, ata nuk janë më kandidatët kryetarit apo kryesisë së partisë, por të vullnetit tuaj dhe kjo është një arritje e madhe. Ai e di se duhet të punojë fort që ta meritojë përsëri e përsëri këtë votë.
Me 14 maj ju votoni Duzhën, të votoni ndryshimin, në mënyrë që të gjithë potencialet e kësaj bashkie, të ardhurat dhe resurset, t’ju rikthehen ju në shërbime, punësim, mbështetje dhe zhvillim.
Ky ndryshim është një ndryshim shumë i madh krahasuar me qeverisjen aktuale, e cila është një klonim i qeverisjes qëndrore. Një qeverisja pa transparencë, në të cilën taksat tuaja shpërdorohen nga një grup i ngushtë të qeveritarëve vendorë. Njëlloj siç shpërdoren në Tiranë nga një grup i ngushtë i klientelës dhe të afërmve të Ramës”, tha Berisha.
Ai u ndal sërish në akuzat drejtuar Edi Ramës, që sipas tij familjarët e kryeministrin fitojnë tenderat, mes tyre edhe vajza e bashkëshortes, Linda Rama.
Ai tha se nuk dëshiron që ta përmendë këtë të fundit, duke shtuar se i bën thirrje që të mos marrë pjesë në tendera publik, pasi ligji nuk ia lejon këtë.
“Kreu aktual i Bashkisë shpërndanë tender për të afërmit e tij, edhe Rama e bën këtë gjë, ky imiton Edi Ramën. Baxhanaku i tij ka fituar qindra tendera kur ligji e përjashton atë.
Familjarë të kryeministrit s’mund të marrin pjesë në tendera publik. Kjo nuk ndodh në një vend demokrati, sepse përdor influencën e kryeministrit për të përfituar me të padrejtë. Ndaj ligji i përjashton. Por Rama nuk e njeh këtë ligj. Thjeshtra e tij dhe unë e di që e ëma revoltohet me mua kur ia përmend, dhe nuk dua t’ia përmend, por i them zonjës hiqe të mos marrë pjesë në tendera, se nuk i takon të fitojë shumicën e tenderave për projektimet.
Por këta s’kanë dhe nuk ndjekin asnjë ligj, dhe kështu ka një vjedhje shpërdorim të papërmbajtur të fondeve publike, ndaj dhe ky ndryshim me 14 maj është sa i rëndësishëm për shoqërinë shqiptare, për Cërrikun, siç është ajri për zogjtë.
Po zhytemi çdo ditë në skamje, dhe deklaroj këtu që çdo qytetar që ndihet më mirë se 8 vite më parë të mos votojë ndryshimin, por vazhdimësinë. Por ata që e ndjejnë veten që këto 8 vite siguria dhe mirëqenia ka ardhur në rënie, të votojnë ndryshimin, përndryshe do shkojmë thellë e më thellë në dramën tonë”, u shpreh ai.