Prej disa muajsh një grup grash dhe fëmijësh, familjarë të xhihadistëve shqiptarë të ISIS ndodhen në një kamp në Siri. Ata janë të dëshpëruar për tu kthyer në vendin e tyre.

Gazetarja Fatjona Mejdini e cila ka realizuar një artikull investigues për Balkaninsight mbi familjet e xhihadistëve shqiptarë të bllokuar në kampin sirian Al Hol ishte e pranishme në emisionin Diplomaticus në televizionin News24 për të dhënë më shumë informacion mbi këtë situatë. Sipas Mejdinit, të gjithë bashkëpunëtoret e investigimit, përfaqësuesit e Kryqit të Kuq në qendrën e tyre në Gjenevë të cilët janë duke e ndjekur situatën nga afër apo organizatat e tjera të OKB-së, të gjithë janë të mendimit se këta njerëz, pra gratë dhe fëmijët duhet të kthehen në shtëpi.


“Një shtet si Shqipëria që nuk është një shtet i madh, e ka shumë të vështirë që të përballet me këtë çështje sepse kthimi i këtyre njerëzve në Shqipëri është një sfidë e dyfishtë. Eshtë sfida e sigurisë dhe nga ana tjetër sfida sociale. Ne dimë se shumë nga këta fëmijë kanë lindur në Siri. Kemi të identifikuar më shumë se 13 fëmijë nga Shqipëria të cilët janë të lindur në Siri dhe Irak. Ata duhet të kthehen pavarësisht vështirësive”.


Wire 11619116 1553866632 548 634x422
Wire 11619116 1553866632 548 634×422

E pyetur sesi mund të kthehen ata në Shqipëri gazetarja Mejdini shprehet se rruga e kthimit të tyre përmes strukturave shtetërore dhe aleatëve është rruga e duhur. por sigurisht që në kushtet kur njerëzit në kampin Al Hol të Sirisë qëndrojnë aty prej më shumë se pesë muajsh dhe ne nuk kemi asnjë reagim nga shteti është shumë mundur që këta njerëz të dëshpëruar për të ardhur në shtëpi mund të përdorin edhe trafikantët.


Duke iu përgjigjur asaj se disa njerëz mund të shtrojnë pyetjen se se përse duhet të kthehen këta njerëz në Shqipëri kur kanë zgjedhr të luftojnë për ISIS në Siri, Mejdini thekson se kemi të bëjmë me gra të cilat kanë qenë viktima, ka pasur nga ato gra të cilat praktikisht janë rrëmbyer për të shkuar në Siri, nuk e kanë ditur se ku po shkonin?

“Disa mund të kenë qenë të qarta se po i bashkoheshin një organizatë terroriste, disa kane qenë të gënjyera, Nga ana tjetër kemi fëmijët të cilët janë të gjithë viktima. Ata janë edhe numri më i madh. Janë fëmijë krejtësisht të pafajshëm. Fëmijë të cilët janë marrë për dore nga prindërit dhe janë çuar në Siri duke menduar se po shkonin në Malin e Zi. Kjo është histori reale. Ne kemi një rast të një zotërie në Tiranë i cili kërkon nipin dhe mbesën e vet të cilët gjenden në kampin Al Hol. Dy fëmijët janë rrëmbyer nga babai i tyre. Nëna e tyre ndodhet në Tiranë”.

Kampi Al Hol është ngritur në disa tenda në provincën siriane të El-Hasakah. Sipas Kombeve të Bashkuara, aktualisht në të janë rreth 73,000 njerëz. Sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, rreth 65 për qind e njerëzve në kamp janë fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe rreth 27% janë gra. Refugjatët e zhvendosur brenda vendit dhe refugjatët irakianë përbëjnë shumicën, por rreth 15 % janë të ashtuquajturat shtetas të vendeve të treta. Nje dite me pare, Agron Sojati koordinatori kombëtar i qendrës kundra ekstremizmit të dhunshëm duke iu përgjigjur interesit te News 24 mbi kete ceshtje deklaroi se qeveria po punon me seriozitet dhe përgjegjshmëri në bashkëpunim edhe me partnerët për ti kthyer qytetarët nga zonat e konfliktit. “ Shqipëria merr të gjitha përgjegjësitë juridike, politikë, ekonomike dhe sociale, për të trajtuar në mënyrën e duhur brenda kuadrit ligjor. Tematika është sensitive dhe delikate, sepse flasim për mosha që ligji apo penalittet ekzekutohen por edhe për kategori të ndryshme të cilët jashtë vullnetit të tyre janë gjendur në një moment të jetës në hapsira që në fakt nuk duhet të ishin dhe kundër dëshirës së familjes apo komunitetit shprehet Sojati.

Ndërkohë në Kosove, me date 20 prill autoritetet njoftuan se janë kthyer 110 qytetarë që kanë qëndruar në vatrat e luftës në Siri. Shumica prej të kthyerve ishin gra dhe fëmijë, ndërsa katër prej tyre ishin luftëtarë, të cilëve tashmë u është caktuar masa e paraburgimit.