Nga: BLENDI FEVZIU*

Fasada e stadiumit “Qemal Stafa” nuk është më. Detyrim ligjor apo moral, pak rëndësi ka. Një prej monumenteve të rëndësishme të kryeqytetit është shembur nën diellin e gushtit, atëherë kur vëmendja është më e vogël dhe reagimi publik më minimal. Është shembur thuajse tinëz, edhe pse fotot e fadromave që godasin mbi basorelievet kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale.
Për ata që nuk e dinë, Stadiumi i madh i Tiranës u ndërtua në vitin 1940, si pasojë e një plani për modernizimin e kryeqytetit pas pushtimit nga Italia. I gjithë kompleksi rreth tij, përfshirë atë vetë, u projektua nga Gerardo Bosio, një arkitekt i ri, por veçanërisht i talentuar. Bosio ndërtoi një kompleks ku përfshihej godina qendrore, ku sot është universiteti, stadiumi që nuk është më dhe godina ku ndodhet Akademia e Arteve të Bukura. Ai i bashkoi të tria godinat me dy sheshe, atë që sot quhet “Nënë Tereza” dhe tjetrin të quajtur “Italia”. Kompleksi ishte në raport të drejtë më sheshin “Skënderbej” dhe një tjetër, që pritej të ndërtohej në atë që sot njihet si stacioni i Trenit. Bosio bëri një punë të mrekullueshme dhe për fatin e tij të keq, ndërroi jetë në moshën 38-vjeçare, pa arritur t’i shohë të mbaruara të gjitha. Ajo që mbeti nga trashëgimia e tij ishte admirimi i publikut dhe specialistëve. Shumica e të huajve që kanë shkruar për Tiranën pas vitit 1941 nuk kanë lënë pa përmendur madhështinë që i ka dhënë Tiranës ai shesh. Specialistët rusë që Hoxha i thirri në mes të viteve ’50 për t’i planifikuar një Tiranë ndryshe, sugjeruan që sheshi të konservohej sepse mbetej një kryevepër. Fjalët e tyre që vlera arkitekturore e sheshit do vinte duke u shtuar, kujtohen edhe sot nga arkitektët që kanë qenë në ato debate. Askush nuk guxoi ta prekë deri në vitin 1991 dhe thuajse askush nuk guxoi të ndërhyjë fort për të deformuar atë shesh. Një lloj simboli i Tiranës i pakrahasueshëm me asnjë qytet tjetër në botë. S’di të them më i bukur apo jo, por di të them unik. Në prill 2000 qeveria e shpalli atë ansambël muzeal dhe ia kaloi për ruajtje ministrit të Kulturës, Edi Rama. Mbaj mend që ministri ka dalë vetë në “Opinion” atë natë, duke deklaruar i ngazëllyer se ansambli muzeal i Tiranës kishte shpëtuar nga babëzia e injorantëve. Mbase kishte të drejtë. 16 vite më pas, me gjasë injorantët u kthyen prapë. Fasada e stadiumit u shemb dhe ansambli muzeal ka mbetur si statujë me një këmbë.
Personalisht kam qenë në favor të ndërtimit të një stadiumi të ri, po aty. Dhe po ashtu jam shumë i bindur që mënyra më e mirë për ta ndërtuar ishte me sipërmarrje private. Madje, kam qenë në favor që stadiumi të shndërrohet edhe një lloj ansambli dyqanesh dhe aktivitetesh të tjera, që zona të jetë e frekuentueshme gjatë gjithë javës, jo vetëm në orët e ndeshjes. Deri këtu nuk duket se ka një problem. Nuk po i hyj debatit nëse stadiumi duhej të kishte të njëjtën formë ovale me atë të vjetrin dizenjuar nga Bosio, sepse kjo është çështje profesionistësh. Por, kam qenë i bindur dhe kam këmbëngulur që fasada e stadiumit duhej të ruhej ashtu siç ishte. Këtë e ka pranuar çdo arkitekt që ka ardhur të merret me projektin e stadiumit të ri këto 6 vite dhe ky ka qenë një detyrim moral dhe ligjor. Madje, edhe një premtim. E para, shembja e fasadës është shkelje flagrante e ligjit, sepse ajo ishte e mbrojtur prej tij. Nëse qeveria e ka hequr nga mbrojtja, sërish ajo ka kryer një krim, sepse kjo nuk mund të bëhet me një vendim arbitrar. Shkelja e ligjit duhet të ndiqet nga prokuroria dhe ajo duhet të japë vendimin e saj.
E dyta, shembja është në shkelje flagrante të një premtimi publik të kryeministrit që fasada do të ruhej. Në fillim u tha brenda hollit të xhamtë e më pas jashtë. Deklarata i qetësoi disi kundërshtarët e projektit, por siç duket, paska qenë as më shumë dhe as më pak, e pavërtetë. Kryeministri premtoi sërish që fasada do të rindërtohet, por pamjet dhe kjo foto që është më sipër dëshmon se basorelievet janë thyer; që heqja e gurëve po bëhet në mënyrën më barbare të mundshme dhe që shkallët dekorative, që janë në harmoni të plotë më shkallët e Universitetit dhe të Akademisë së Arteve nuk janë më. Fasada duhej të ruhej ashtu siç ishte, sepse rindërtimi i saj nuk është më e njëjta gjë. Dhe jam shumë skeptik se mund të ndodhë realisht. Një pjesë e historisë së këtij qyteti u shndërrua sot në rrënojë, nga babëzia e injorantëve siç i quante ish-ministri i Kulturës në vitin 2000. Ndërsa premtimi për ta bërë fasadën sërish siç ishte, madje më të bukur, siç shkruante dje një komentator, të kujton atë frazën e famshme të gjeneralit serb, që shembi urën e famshme të Mostarit me artileri dhe që Rama e citonte në vitin 2010: “Mos u mërzisni dhe të mos shqetësohet bota, do ta bëjmë edhe më të bukur, do ta bëjmë edhe më të vjetër”. Marrë nga Opinion.al

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb