Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve (DHKPV), si përfaqësuesja e më shumë se 500 sipërmarrësve në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve nën rregjimin e përpunimit aktiv (fason) ka reaguar lidhur me situatën ekonomiko-financiare që po kalon sektori fason.


SHKPV arriti në konkluzionin se dy janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në përkeqësimin e tejskajshëm të gjendjes ekonomike të ndërmarrjeve prodhuese fason : Rënia drastike dhe e pandalshme e kursit të këmbimit euro-lek dhe Mosrimbursimi i TVSH-së.


“Së pari: Rënia drastike dhe e pandalshme e kursit të këmbimit euro-lek. Mbivleresimi i lekut kundrejt euros ka sjellë një humbje ekstreme për të gjitha ndërmarrjet e prodhimit fason. Të ardhurat e këtyre ndërmarrjeve janë në euro dhe shpenzimet janë në lekë.


Në kushtet kur euro në raport me lekun është zhvlerësuar mbi 9% gjatë vitit 2018, do të thotë një zhvlerësim i njëjtë i faturimeve (të ardhurave) për këto kompani. Theksojme se fitimi mesatar i ndërmarrjeve të prodhimit fason është rreth 15%, që do të thotë rënie e të ardhurave në masën e 2/3 më pak vetëm për efekt të kursit të këmbimit. Së dyti : Mosrimbursimi i TVSH-së. Gjatë muajve të fundit ka patur një bllokim të rimbursimit të TVSH-së dhe për pasojë një bllokim të likuiditeteve të këtyre kompanive, që ka sjellë asfiksimin e sektorit, sidomos në marrëdhëniet me nënkontraktorët. Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, shpreh shqetësimin e anëtarëve të saj, se destabiliteti i kursit të këmbimit dhe mosrimbursimi në kohë i TVSH-së po shkatërrojnë qëndrueshmërinë dhe aktivitetin e ndërmarrjeve fason dhe kërkon marrjen e masave urgjente për të normalizuar gjendjen.”- thuhet në deklaratën e shtypit.

Kërkesat e DHKPV:
Së pari: Kërkojmë ndërhyrjen e menjëhershme të Bankës së Shqipërisë për të stabilizuar kursin e këmbimit euro-lek.

Së dyti: Kërkojmë nga ana e Qeverisë të bëjë rimbursimin e menjëhershëm të TVSH-së sipas ligjit dhe me përparësi për ndërmarrjet e përpunimit aktiv.

Së treti: Kërkojmë nga ana e Qeverisë të gjejë mjetet e nevojshme për të ndihmuar ndërmarrjet e prodhimit fason të dalin nga gjendja e vështirë dhe të kontribuojë për stabilizimin dhe normalizimin e situatës ekonomiko-financiare të tyre.

“Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve, nëpërmjet kësaj deklarate kërkon nje reagim urgjent te qeverisë shqiptare, për të implementuar një paketë emergjente, për të arritur një zgjidhje të shpejtë të situatës, për të shpëtuar nga falimentimi një nga sektorët që numëron numrin më të madh të të punësuarëve në vend dhe që siguron miliona euro nga eksporti i prodhimeve tona”,përfundojnë ata. /Monitor/