TIRANË
Kryeministri Edi Rama ka folur sot në nisje të konferencës për shtyp për rastin e 11-vjeçarit shqiptar Alvin Berisha, historia e të cilit u publikua nga emisioni “LE Iene”, në Italia1 dhe preku zemrat e të gjithëve.
Apeli i babait, i cili edhe pse e takoi të birin, që ka mbetur i vetëm në një kamp në Siri, nuk mundi dot ta merrte në Itali ku jeton prej vetesh, iu drejtua autoriteteve shqiptare por edhe atyre italiane. (në foto: Afrim dhe Alvin Berisha gjatë takimit në fund të shtatorit në Siri)
Nisur nga reagimet e shumta, kryeministri Rama tha se e ka marrë shqetësimin nga një numër i madh shqiptarësh dhe se ka folur me babain e Alvin dhe familjarët e tij por se tërheqja e tij nga Siria nuk është një çështje e strukturave diplomatike. Rama tha se tërheqja e tyre nga ato kampe nuk bëhet as me ambasada dhe as me ambasadorë sepse aksesi dhe i gjithë procesi është tejet i komplikuar dhe kërkon një koordinim me partnerët.
“Dëshiroj të ndaj me të gjithë një shpjegim lidhur me një shqetësim që e kemi marrë prej një nr të konsiderueshëm bashkëqytetarësh qofshin në Itali, qofshin këtu apo dhe vende të tjera mbi një emision të mbrëmshëm kushtuar një të mituri shqiptar në një kamp në Siri. Për fat të keq ai emision drithërues sipas të gjithë përshtypjeve të marra, unë vetë nuk e kam ndjekur ka lënë të kuptohet se djali i mitur është një çështje thjesht vullneti nga ana e ambasadës në Turqi. Është tërësisht e pavërtetë. E vërteta është që prej disa kohësh unë kam nxjerrë një urdhër, është një material i klasifikuar që nuk mund ta ndajmë dot me publikun për shkak të sensivitetit të lartë lidhur me personat, familjet, civilët që gjenden në atë territor si pasojë e përfshirjes së burrave në një luftë për të tjerë në funksion të organizatës terroriste dhe kriminale të ISIS. Shqetësimi ynë ka qenë lidhur me nevojën për të aksesuar pikërisht këto kampe ku ka dhe një numër grash dhe fëmijësh. Dhe në bashkëpunim me partnerët amerikanë ne kemi zhvilluar një proces të tërë identifikimi, disponojmë të dhëna mbi identitetin e shumë prej personave, por janë të dhëna shumë sensitive për shkak se ata njerëz janë të rrezikuar në jetën e tyre në mënyrë të përditshme. Tërheqja e tyre nga ato kampe nuk bëhet as me ambasada dhe as me ambasadorë sepse aksesi dhe i gjithë procesi është tejet i komplikuar dhe kërkon një koordinim me partnerët”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare tha se kemi punuar intensivisht, kemi një plan veprimi të rakorduar me partnerët tanë kryesorë. “Ka një sërë grupesh të përfshira në këtë proces. Dua t’ju them të gjithëve po të ishte një çështje ambasadash apo ambasadorësh edhe vende të tjera do kishin tërhequr individët dhe në radhë të parë gratë e fëmijët që janë viktima të zgjedhjeve të gabuara të prindërve apo të të afërmve dhe janë përfshirë në një situatë dramatike që nuk është zgjedhje e tyre. Kam komunikuar dhe me të afërm dhe babain e djalit dhe ia kam sqaruar që nuk varet nga ne. Nuk është çështje e strukturave tona diplomatike sepse nuk bëhet fjalë për kampe refugjatësh të zakonshëm. natyrisht që gazetarët mund të hyjnë në këto kampe siç kanë shkuar shumë dhe kanë arritur të filmojnë dhe brenda trupave të ISIS. Por nuk është e njëjta gjë, është komplet e kundërta për të zhvilluar një operacion tërheqje të personave që duhen liruar nga ajo situatë. Duke shprehur keqardhjen dëshiroj të ndaj se e vërteta është kjo. Së fundmi situata është edhe më e komplikuar sepse në atë territor është krijuar një situatë përplasesh luftarake”, theksoi Rama.
Ai premtori se ‘ne do të vazhdojmë të bëjmë punën që kemi bërë dhe jemi në koordinim të plotë me partnerët’.
“Ju e patë dhe një thirrje që e bëri presidenti i SHBA-ve, për të tërhequr njerëzit. Që do të thotë që asnjë vend deri sot, përfshirë dhe Italinë ku është transmetuar ky emision nuk ka bërë tërheqjen e njerëzve sepse është një operacion tejet i komplikuar. Sidoqoftë fokusi ynë ka qenë qysh në fillim dhe mbetet tek gratë dhe të miturit dhe në bashkëpunim me partnerët, SHBA-të dhe po ashtu me autoritetet turke ne kemi arritur të grumbullojmë jo pak informacion, kemi arritur të organizojmë kontakte dhe ka një plan për nxjerrjen e tyre nga kampet dhe është përgatitur infrastruktura e nevojshme për transportimin e tyre dhe një plan specifik masash për trajtimin e tyre pastaj në Shqipëri. Por kini parasysh që është një zonë që nuk ka autoritete, prandaj dhe kontaktet janë të ndërmjetme. Besoj që ky shpjegim është i mjaftueshëm për të nënvizuar faktin se informacioni i dhënë apo i nënkuptuar, sikur kjo është një çështje vullneti dhe thjesht vënie në veprim nga ana e ambasadës nuk qëndron”, deklaroi Rama.
(m.k/BalkanWeb)