Një dorëheqje e beftë mund të konsiderohet ajo e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj ditën e sotme. Edhe skenari i ndjekur duket ndryshe nga të tjerët, vetë ministri i dorëhequr nuk ka dalë ende të njoftojë dorëheqjen e tij, dhe arsyet që cuan në këtë vendimmarrje. Mjaftoi një shkresë ku njoftohej emërimi i ministrit të ri të brendshëm, dhe një postim i shkurtër në tëitter nga kryeministri për dorëheqjen e Fatmir Xhafës, edhe pse në respekt të kushtetutës duhet pritur dekreti i presidentit Meta, e më pas votimi në Kuvend.

Po pikëpyetjet që shtrohen lidhur me dorëheqjen e Xhafës nga posti i ministrit të Brendshëm janë të shumta.

Fatmir Xhafaj nuk e ndërmori këtë akt, kur u vu në qendër të sulmeve të ashpra të opozitës, në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij e vëllait të tij, për lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës. As kur PD, publikoi audiopërgjimin e shumëpërfolur “Babale”, dosje e cila është ende nën hetimin e prokurorisë e që ka dërguar në gjykatë edhe aktorët që u shfaqën në të, por edhe që e denoncuan, në të cilën pretendohej se vëllai i tij, Agron Xhafaj është i implikuar në trafik. ‘Jane hetimet që do vërtetojnë gjithçka,dhe ministri nuk ka faj për punët e vëllait’ do të shprehej asokohe kryeministri Rama, ndërsa vlerësonte figurën e Xhafën në krye të Ministrisë së Brendshme.

Doreheqja e tij nga drejtimi i Ministrisë më të sulmuar në vend, vjen pikërisht një javë pasi katër grupe kriminale u goditën, ndërsa vetëm në operacionin e fundit policia tha se dërgoi në pranga një numër të madh personash  në kuadër të goditjes së krimit të organizuar në vend.

Këto operacione u përshëndetën   nga faktori ndërkombëtar por edhe nga personazh të politikës shqiptare.

Grupi i ‘Bajrave’ në Shkodër, për të cilin vetë opozita dhe kryedemokrati Basha thanë se kanë kontrollin dhe bëjnë ligjin në këtë qytet, u vu në pranga vetëm pak kohë më parë.

Javën e kaluar në pranga e policisë u vendosën gjithashtu 2 ish-deputetë të PS, Arben Cuko e Arben Ndoka, ky i fundit i denoncuar nga opozita për skandalin me tjetërsimin e pronave në Lezhë. Opozita i cilësoi arrestimet si vërtettim të tezës së saj për implikimin e krimit në vjedhjen dhe blerjen e votave.

Operacioni Vol Vo 4 , në kuadër të të cilit u zbulua edhe laboratori i heroinës në Has, u konsiderua si një tjetër sukses i Policisë së Shtetit. 300 të arrestuar përfunduan në pranga në pak ditë në kuadër të goditjes së krimit të organizuar në vend, operacion i cili u përshëndet edhe nga faktori ndërkombëtar por edhe në radhët e opozitës, kujtojmë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i konsideroi një sinal të mirë të policisë ndërsa theksoi se me këto arrestime po faktoheshin denoncimet e opozitës. Edhe psë kryedemokrati kërkonte arrestimin e ‘peshkut të madh’, kreu të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

E ndërsa Fatmir Xhafaj, ishte ministri më i vlerësuar edhe i ndërkombëtarëve në vend, vlerësim të cilat i atribuohen edhe për udhëheqjen e reformës në drejtësi, duket se diçka po zihen në kazanin e politikës.

Ish-ministri Sajmir Tahiri, edhe ky në akuzë për lidhje me trafikun e drogës, njoftoi dje se do të fliste për mediat, konferencë e lajmëruar për këtë të shtunë por e shtyrë më pas për javën e ardhshme.

Ndërsa operacioni Vol Vo 4, në përgjimet telefonike të të cilët rezulton të jetë i përfshirë edhe kreu i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, duket se po lihet nga Ministri Xhafaj, për tu marrë në dorë nga pas ardhësi i tij në detyrë.

Surprizë, apo e papërgatitur duket se u kap edhe opozita, me dorëheqjen e Fatmir Xhafës, ndërsa në reagimet përmes rrjeteve sociale, akuzuan kryeministrin se e largoi atë, pikërisht për të shpëtuar Kreun e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb